Page 1
KUVENDI
KËSHILLI KOMBËTAR I INTEGRIMIT EUROPIAN
PROCESVERBAL
Tiranë, më datë 04.2.2020, ora 10:00
TAKIM NDËRGJEGJËSUES I KËSHILLIT KOMBËTAR TË INTEGRIMIT
EUROPIAN NË BASHKËPUNIM ME DHOMËN NDËRKOMBËTARE TË
TREGTISË NË KUADËR TË JAVËS SË INTEGRITETIT.
Drejton takimin:
Rudina Hajdari – Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian
Rendi i ditës:
1. Informim nga ministrja e Drejtësisë, Znj. Etilda Gjonaj, lidhur me ecurinë në
luftën kundër korrupsionit dhe zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Europian në
raportin e vitit 2019 për Shqipërinë, si dhe Nënkomitetit BE-Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe
Siguri 2019
2. Informim nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Anila Denaj, lidhur me
luftën kundër korrupsionit në fushën e biznesit
Marrin pjesë:
Rudina Hajdari, Taulant Balla, Vasilika Hysi, Nimet Musaj, Ralf Gjoni, Korab Lita,
Alban Zeneli, Arben Elezi, Halil Jakimi, Milva Ekonomi, Fatjona Dhimitri, Senida Mesi,
Mirela Kumbaro, Odeta Barbullushi, Erinda Ballanca, Ines Muçostepa, Albana Dhimitri,
Zyhrada Kongoli (anëtare zëvendësuese), Kol Nikollaj, Krisela Haçkaj, Ines Muçostepa,
Dafina Peçi, Annelies Roza G Vanëymelbeke(Delegacioni BE në Tiranë),
Mungojnë:
Ulsi Manja, Mimi Kodheli, Ermonela Felaj (Valikaj), Klodiana Spahiu, Niko
Peleshi, Enver Roshi, Ilda Zhulali, Suela Kusi Drita, Erida Skëndaj, Sokol Dedja, Olsion
Çela, Edison Hoxha, Pranvera Strakosha, Zana Vokopola, Besnik Dervishi, Robert Gajda,
Gledis Gjipali, Gjergji Vurmo, Emira Paçrami, Albert Rakipi, Klodjan Seferaj, Erlir Puto,
1
Page 2
Gjergji Luca, Eralda Methasani Çani, Ilva Tare, Nikolin Jaka, Arben Shkodra, Shkëlqim
Ganaj, Vasil S. Tole, Sihana Nebiu.
Të ftuar:
Etilda Gjonaj (Saliu) – Ministre e Drejtësisë
Anila Denaj – Ministre e Financave dhe Ekonomisë
Ardita Seknaj – Sekretare e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë/ICC
Albania
-Annelies Roza G. Vanëymelbeke – Përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit
Europian në Shqipëri
Fjoralba Caka – Zëvendësministre e Drejtësisë
Erinda Zhupani – Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Fondacionit Maarif
Marlinda Zotaj – Drejtoreshë e Dhomës Austriake në Shqipëri (Advantage Albania)
Ledia Muço – Këshilltare për Çështjet Ekonomike e Delegacionit të Bashkimit
Europian në Shqipëri
Albana Laknori – Sekretare e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
Tiranë
Klajdi Shalësi – Përfaqësues i “Vodafone Albania”-s
Brunilda Kostare – Përfaqësuese e Shoqatës Shqiptare të Bankave
Aida Lahi – Këshilltare për Çështjet Ekonomike e Ambasadës Holandeze në
Shqipëri
Ledina Mandija – Lektore e Universitetit të Tiranës
Alban Tartari – Lektor i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës
Erinda Ndreçka – Lektore e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të
Tiranës
Alda Bakiri – Sekretare e Përgjithshme e Dhomës Italo-Shqiptare
Valeria Bardhaj – Përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë
Klevis Boçi – Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë
Enida Qoli – Përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë
Kristiana Dodaj – Përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë
Gentjan Mersini – Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë
Artan Hoxha – Përfaqësues i IDUT-it
Olsi Çoku – Përfaqësues i “Optima Legal” (ICC Albania)
Genta Druga – Përfaqësuese e Studios Ligjore “Boga & Associates” (ICC Albania)
2
Page 3
HAPET MBLEDHJA
Rudina Hajdari – Mirëdita të gjithëve!
Të nderuar kolegë,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,
Faleminderit që keni ardhur në mbledhjen e radhës!
Sot jemi mbledhur për një takim ndërgjegjësues lidhur me luftën kundër
korrupsionit, i cili vjen në bashkëpunim me Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë dhe në
kuadër të Javës së Integritetit.
Të ftuara sot kemi zonjën Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë, e cila është njëherazi
Koordinatore Kombëtare në Luftën kundër Korrupsionit, zonjën Denaj, ministre e Financave
dhe Ekonomisë, si dhe zonjën Ardita Seknaj, sekretare e Përgjithshme e Dhomës
Ndërkombëtare të Tregtisë/ICC Albania.
Në kuadër të Javës së Integritetit, menduam që sot të zhvillojmë një takim lidhur me
luftën e madhe ndaj korrupsionit, që, siç e dini, është një nga plagët më të thella të shoqërisë
sonë, e cila prek çdo aspekt të jetës së shqiptarëve: arsimin, shëndetësinë dhe të gjitha
shërbimet publike, madje ka një impakt të jashtëzakonshëm në jetën e njerëzve, sidomos të
atyre me të ardhura të ulëta dhe të grupeve vulnerable.
E kam menduar gjithnjë dhe do të vazhdoj ta mendoj se lufta kundër korrupsionit do
të jetë pjesë e kulturës së gjeneratës së re. U takon atyre që në dekadën e re, pra në
dhjetëvjeçarin e ardhshëm, ta luftojnë këtë fenomen dhe ne t’i edukojmë gjeneratat për të
ndërtuar themelet më të rëndësishme të një shoqërie, e cila e lufton këtë fenomen si në
familje, ashtu edhe në shoqëri.
Duhet të jemi, gjithashtu, të vetëdijshëm se ky fenomen nuk mund të luftohet pa
institucione të forta, me integritet dhe me transparencë.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se, sot më shumë se kurrë, ne duhet ta luftojmë këtë
fenomen, i cili na ka mbajtur mbrapa si shoqëri, si vend dhe në rajon jemi ende ndër vendet
me një plagë të rënduar, që po e mundon jashtëzakonisht shumë rrugën tonë drejt Bashkimit
Europian.
Si kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, mendoj se kemi ende shumë
punë për të bërë, si dhe Kuvendi, pavarësisht se ka luajtur një rol pozitiv, sidomos kur bëhet
fjalë për të aplikuar dhe për të miratuar të gjitha ligjet e paketës së reformës në drejtësi, duke
3
Page 4
luajtur një rol konstruktiv ndaj kontrollit; mendoj se ne kemi ende shumë punë për të bërë për
ta zbatuar reformën në drejtësi.
Nuk mund të lë pa përmendur, në fakt, edhe rolin pozitiv që ka luajtur opozita
parlamentare në Kuvend, duke qëndruar në Kuvend pikërisht për t’i miratuar dhe për ta çuar
përpara reformën në drejtësi. Dua të kujtoj këtu se vetëm dy muajt e fundit Kuvendi ka votuar
kandidaturën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe
që me ngritjen e SPAK-ut, tashmë presim edhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila
është akoma duke u ndërtuar.
Ne urojmë fort që të gjitha këto struktura të pavarura të japin rezultatet e
shumëpritura nga qytetarët shqiptarë.
Gjithashtu, si opozitare, më takon që të vë në dukje faktin se vitet e fundit
korrupsioni ka pësuar një ngritje të jashtëzakonshme. Vetëm vitin e kaluar, po të shikosh
raportet, e faktojnë këtë nivel korrupsioni, i cili po e gërryen Shqipërinë si në ekonomi, në
jetën shoqërore, në atë kulturore e më tej.
Ju kujtoj këtu raportin e dy javëve më parë, i cili faktonte se Shqipëria ka rënë në
shifrën më të ulët nga viti i kaluar, por edhe nga vitet e mëparshme. Ndërkohë, sot ne
ndodhemi në vendin e 106-të nga 180 vende, gjë që fakton se Shqipëria ka rënë me gjashtë
vende dhe ka një rezultat të përkeqësuar për sa i përket kësaj lufte. Ne duhet të bëjmë patjetër
çdo gjë të mundur që ta rikthejmë besimin te politika, por kjo nuk mund të forcohet dhe të
arrihet pa luftuar korrupsionin politik.
Po ashtu, dua të kujtoj këtu faktin që vetë raporti i fundit i Shteteve të Bashkuara të
Amerikës theksonte dy gjëra kryesore.
Së pari, se Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor,
dhe citoj këtu: “Krimi, korrupsioni, favorizimi i qeverisë, presioni politik mbi bizneset,
mungesa e konkurrencës dhe e transparencës, presioni politik mbi partneritetin publik-
privat”, të cilat janë vetëm disa nga gjetjet kryesore që evidenton raporti në fjalë.
Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur, në mënyrë që jo vetëm të rregullojmë kuadrin
ligjor për të përmirësuar klimën politike në vend, por të bëjmë çdo gjë të mundur që ta
luftojmë këtë fenomen në të gjitha nivelet.
Jo pa qëllim në seancën e djeshme plenare unë përmenda faktin se ne nuk mund të
kemi dot një shoqëri, e cila kërkon ta luftojë korrupsionin pa sekuestruar pasurinë e atyre
politikanëve që kanë dhënë pa fund para në këta 20 vjet apo 30 vjetët e fundit. Unë vazhdoj të
jem e bindur se partitë politike në vend janë kthyer në një grup miliarderësh, të cilët
4
Page 5
vazhdojnë, por pa lidhjet e tyre me krimin e organizuar ata nuk mund të mbijetojnë kurrë pa
njëri-tjetrin. Nëse ne nuk arrijmë ta luftojmë korrupsionin brenda politikës, ne nuk do ta
fitojmë dot betejën me këtë fenomen.
Unë vazhdoj të jem e mendimit se sekuestrimi i pasurive duhet të fillojë me atë klasë
politike, e cila e ka shfrytëzuar pozicionin e pushtetit për t’u pasuruar dhe për të forcuar
pozitat e tyre, për egon e tyre dhe për ta vazhduar pushtetin e tyre, por, nga ana tjetër, duke
varfëruar pjesën tjetër të shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por mendoj se korrupsioni, duke qenë një
plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare, ka rënduar edhe gjendjen ekonomike në Shqipëri. Sot ne
nuk kemi ende investime të reja nga kompanitë e huaja. Investimet e huaja kanë rënë
jashtëzakonisht shumë. Investitorët e huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë
specifikë të lidhur politikisht. Raportimet e korrupsionit me prokurimin e qeverisë janë të
jashtëzakonshme. Të gjitha këto evidentojnë faktin se korrupsioni është rritur dhe jo vetëm
kaq, por ka një ndikim tejet të lartë në politikë.
Pavarësisht fjalës sime, unë mendoj se ne duhet t’u japim mundësinë të gjithëve që
të flasin gjerësisht për këtë temë, duke marrë parasysh që Bashkimi Europian do të marrë një
vendim deçiziv për Shqipërinë javët ose muajt në vijim. Ju e dini fare mirë se lufta ndaj
korrupsionit është një nga sfidat kryesore që ka ky vend, që do të masë në mënyrë konkrete
nëse Shqipërisë do t’i hapet rruga për të çelur negociatat dhe për të vazhduar rrugëtimin e saj
në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Prandaj, ftoj kolegët e mi ta përdorin këtë rast për të
na treguar konkretisht të gjithë hapat e ndërmarrë deri në sot si nga ndjekjet penale, ashtu
edhe për të gjitha çështjet e korrupsionit që po ndiqen, flas në rastin e zonjës Gjonaj, e cila
është Koordinatore Kombëtare në Luftën kundër Korrupsionit: çfarë është bërë deri sot në
luftimin e korrupsionit në nivelet e larta, si janë rritur? Në rastin e zonjës Denaj, ju lutem, na
tregoni më shumë për përdorimin e hetimeve financiare dhe përmirësimin e aksesit në
regjistrat elektronikë kombëtarë për autoritetet ligjzbatuese që merren pikërisht me këto
çështje. Po ashtu, nga zonja Seknaj, kërkojmë të dimë më shumë se si ka ndikuar gjendja e
sotme, niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri në këtë sektor.
Edhe një herë, ju lutem, shfrytëzojeni këtë mbledhje për të diskutuar mbi këtë
problematikë dhe të mos dalim jashtë kornizës, pasi duhet që bashkërisht të adresojmë të
gjitha rekomandimet sipas fushave të përgjegjësisë.
Faleminderit për vëmendjen!
Fjalën e ka zoti Balla, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Taulant Balla – Faleminderit, Rudina!
5
Page 6
Përshëndetje të gjithëve!
Së pari, dua t’ju them se një ndër objektivat e Këshillit Kombëtar të Integrimit
Europian është pa dyshim adresimi i çështjeve që lidhen me detyrat e shtëpisë që ka
Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit dhe, në këtë kontekst, bashkëveprimi me të gjithë
aktorët në luftën kundër korrupsionit, sikurse edhe krimit të organizuar, është
domosdoshmëri.
Unë nuk e kam asnjëherë zakon të replikoj me kryetaren e këshillit tonë, por, për sa
u përket të dhënave për perceptimin e korrupsionit, të cilat mund të gjenden lehtë qoftë në
barometrin global të korrupsionit apo në indeksin e perceptimit të korrupsionit të institucionit
prestigjioz Transparency International, do të thosha që krahasimi në aspektin analitik dhe
profesional duhet bërë mes qeverive. Në Shqipëri në vitin 2013 ka pasur një rotacion politik
të rëndësishëm dhe të gjithë e dinë, referuar të njëjtit raport, të cilit iu referua zonja Hajdari,
se në vitet 2012-2013 mbahen mend në raportin e Transparency International si vitet me
korrupsionin më të lartë historik, ku Shqipëria renditej në vendin e 122-të në botë, për të
shkuar më pas në vitet 2016-2017 në nivelet më të ulëta historike të perceptimit të
korrupsionit, në mos gaboj, në vendin e 85-të ose të 86-të dhe, pa dyshim, beteja jonë me
korrupsionin ka vijuar. Raporti i këtij institucioni është një çështje e perceptimit, ndaj detyra
jonë është që betejën ta thellojmë.
Takimi i sotëm trajton një tematikë me rëndësi të veçantë në rrugën tonë drejt
Bashkimit Europian. Dje patëm mundësinë, në praninë e Presidentit të Parlamentit Europian,
zotit Sassoli, të merrnim një mesazh të drejtpërdrejtë nga institucioni që përfaqëson qytetarët
europianë (që është Parlamenti Europian) për të kuptuar se jemi shumë pranë, madje jemi më
pranë se kurrë, fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian, gjë e cila na
ngarkon të gjithëve me përgjegjësi të shumëfishuara në përpjekjet tona për të përmbushur
rekomandimet e lëna nga Bashkimi Europian.
Në këtë kontekst, dua të them se edhe rekomandimet e bëra nga vendet anëtare, ku
ndër to si yll polar apo udhërrëfyes kryesor shërbejnë edhe rekomandimet e Bundestagut.
Udhërrëfyesit tanë për të miratuar një strategji kuptimplotë edhe në luftën kundër
korrupsionit janë raportet e përvitshme të Komisionit Europian, ku në raportin e fundit të vitit
2019 përmenden pozitivisht një sërë iniciativash të ndërmarra nga Shqipëria, sikurse është
Plani i Veprimit 2018-2020 “Për zbatimin e strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit”,
ndryshimet në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”, ligji “Për prokurimin publik”
6
Page 7
apo miratimi i Kodit të Sjelljes së Deputetëve për të parandaluar çdolloj forme të konfliktit të
interesit ndërmjet vendimmarrjes, votës së deputetëve dhe ligjeve që kalojnë në Kuvend.
Pavarësisht asaj që mund të bëjë një qeveri apo ligjvënësit e saj, Komisioni Europian
nënvizon: “Megjithëse rivlerësimi i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ,
përparimi në këtë fushë është relevant për të vlerësuar rezultatet konkrete të Shqipërisë në
luftën kundër korrupsionit”, sepse duhet ta dimë që korrupsionin në shoqëritë demokratike
nuk e lufton dot askush më shumë sesa gjyqësori. Pra, gjyqësori, prokuroria dhe Byroja
Kombëtare e Hetimit do të jenë dhe janë garancitë për një goditje vdekjeprurëse të fenomenit
të korrupsionit në Shqipëri. Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie që ka reforma në luftën ndaj
korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në drejtësi është mbështetur që në hapat e saj
të parë nga shumica jonë qeverisëse.
Nuk besoj që këtu në këtë sallë apo nga opinioni publik që na ndjek të ketë pasur
ndonjëherë ndonjë dyshim që maxhoranca qeverisëse, nën drejtimin e Kryeministrit Edi
Rama, ka ekuivoke apo tërheqje për sa i përket çuarjes përpara të reformës në drejtësi.
Prandaj, përtej analizës me lupë në dorë të raporteve të lartpërmendura të Transparency
International lidhur me perceptimin ndaj korrupsionit në vend, dua të nënvizoj se hapat e
ndërmarrë deri tani për të çrrënjosur korrupsionin në shoqërinë tonë kanë qenë të
vazhdueshëm, pavarësisht se, për shkak të përmasave që ky fenomen ka pasur në të shkuarën
në shoqërinë tonë, nuk mund të jenë asesi të mjaftueshme dhe, sigurisht, duhet të
intensifikohen për të arritur rezultatet që duam. Por, nëse kritikët e drejtojnë gishtin drejt
qeverisë apo edhe ligjvënësve, vetë Transparency International thekson rëndësinë e
padiskutueshme të një sistemi drejtësie të pavarur për të investiguar dhe për të ndëshkuar
korrupsionin.
Ne si qeverisje e majtë mund të kritikohemi për shumëçka, por nuk mund të
kritikohemi kurrë për mungesën e vullnetit për të ndërmarrë reforma, të cilat jo vetëm nuk u
ndërmorën kurrë në njëzet e shumë vite përpara sesa Kryeministri Edi Rama dhe Partia
Socialiste të merrnin besimin e qytetarëve për të qeverisur vendin, por as u artikuluan në
diskurse politike për dy dekada deri në vitin 2013.
Për t’u kthyer konkretisht te rekomandimet e lëna në Komisionin Europian,
rekomandimi i fundit i lënë në vitin 2019 ishte: “Duhet të vazhdojnë përpjekjet drejt
konsolidimit të historikut të sekuestrimit, të konfiskimit dhe të rikuperimit të pasurive
kriminale që rrjedhin nga veprat penale që lidhen me korrupsionin”; detyrë shtëpie e
vendosur nga Komisioni Europian, por kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë prej ditëve të
7
Page 8
para të muajit janar dhe, në mënyrë të pakuptimtë, ndërkohë që në çdo vend të botës opozita
duhej të ishte e para që të mbështeste qeverinë në paketën, që ne në një kontekst kuptimplotë
e kemi quajtur “anti-KÇK”, opozita jonë është kundër kësaj strategjie.
Në lidhje me këtë aspekt, vullneti i shumicës sonë qeverisëse ka qenë i palëkundur.
Madje, shembulli më i fundit i krijimit të njësisë së re operacionale të Policisë së Shtetit:
Operacioni “Forca e Ligjit”, i cili do të zbatojë ligjin special për masat pasurore ndaj
personave të dënuar apo të akuzuar për krim të organizuar, e vërteton plotësisht realizimin në
një kohë të shkurtër të kësaj detyre të rëndësishme shtëpie.
Korrupsioni ushqehet shpesh nga paratë e krimit. Ndaj, për këtë qëllim konfiskimi i
burimeve pasurore të të akuzuarve për krim të organizuar, terrorizëm apo krime të rënda do të
shërbej si një mekanizëm për parandalimin e korrupsionit. Ashtu si SPAK-u, edhe vtingu janë
dy mekanizma që shërbejnë për hetimin e zyrtarëve apo prokurorëve edhe gjyqtarëve të
korruptuar, që do të mundësojnë largimin njëherë e përgjithmonë të të korruptuarve nga
sistemi i drejtësisë, në mënyrë që t’u japim fund ”të paprekshmëve”. Pavarësisht këtyre
mekanizmave të fuqishëm, ne sërish jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mund të jetë e
mjaftueshme për të çrrënjosur korrupsionin. Korrupsioni duhet luftuar në përditshmëri nga të
gjithë aktorët politikë dhe jo vetëm, por edhe nga shoqëria civile dhe qytetarët e thjeshtë.
Këtu nuk bën përjashtim askush, madje as opozita shqiptare, flas për opozitën
joparalamentare, sepse nuk e fsheh dallimin e madh që ka mes opozitës joparalamenatre dhe
asaj parlamentare. E kam thënë dje në seancë dhe do ta theksoj sa herë të më jepet mundësia
që kur bie fjala për çuarjen përpara të reformës në drejtësi, të këtij mekanizmi të rëndësishëm
në luftën kundër të paprekshmëve, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,
opozita parlamentare e ka mbështetur dhe vijon ta mbështesë këtë detyrë të përbashkët
shtëpie që kemi.
Thirrjet e vazhdueshme kundër shtetit, lëvizja e përgjithshme antishtet e të gjithë
muajve të pjesës së parë të vitit 2019 e kanë zanafillën që me bojkotimin total të
institucioneve, britmat anarkike dhe sjelljet e pajustifikueshme kundër Policisë së Shtetit.
Padrejtësitë dhe korrupsioni i shkaktuar nga administrata gjithashtu kanë qenë dhe
mbeten një sfidë për shoqërinë tonë në tre dekadat e fundit. Prandaj viti 2020 ka nisur me një
revolucion tërësor digjital në të gjitha shërbimet publike. Vetëm pak minuta online në
kompjuter apo celular, duke klikuar nga kudo të jetë, çdo qytetar shqiptar mund të marrë
shërbime për të cilat i duheshin ditë apo muaj për t’i përfituar.
8
Page 9
Së fundi, dua të theksoj se, edhe në kuadër të reformës zgjedhore, ligji për
financimin e partive politike është vullnet i maxhorancës dhe, për fat të mirë, është vullnet
edhe i opozitës parlamentare, ku duhet të propozojmë detyrimisht ndryshime për të
mundësuar transparencën e financimit të partive politike, por, siç e kemi theksuar, kjo paketë
ka nevojë për dakordësimin e të gjithë aktorëve politikë, duke përfshirë edhe opozitën
jashtëparlamentare, e cila, për sa i përket çështjes së financimit të partive politike, po të kemi
parasysh akuzat e rënda që rëndojnë mbi ta, ka një nevojë ulëritëse,.
Dua ta mbyll fjalën time, duke ju ftuar për të përcjellë mesazhin që lufta ndaj
korrupsionit kërkon një angazhim që shkon përtej institucioneve e politikës dhe sigurisht
kërkon angazhim mbarëqytetar.
I bëj thirrje çdo qytetari të mos hezitojë për të denoncuar pranë SPAK-ut apo pranë
çdo institucioni, që i jepet mundësia, çdo akt apo fenomen të shëmtuar për ta çrrënjosur
njëherë e përgjithmonë, ose për t’ia ulur këtë ndikim kaq negativ në shoqëri fenomenit të
turpshëm të korrupsionit.
Faleminderit!
Rudina Hajdari- Faleminderit, zoti Balla!
Para se t’ia kaloj fjalën ministres së Drejtësisë, zonjës Gjonaj, dua të përmend atë që
sapo citoi zoti Balla, që ka të bëjë me raportin e Komisionit Europian, i cili përmend faktin se
Shqipëria vazhdon të ketë korrupsion në të gjitha nivelet. Kjo është një çështje tejet
shqetësuese dhe për këtë ka rekomandime të posaçme.
Po ashtu, më lejoni t’ju them se, pavarësisht mendimit të zotit Balla për opozitën
brenda apo jashtë parlamentit, pak rëndësi ka, ajo që duhet të luftohet bashkërish është
pikërisht ky fenomen, që është një plagë e thellë në shoqërinë tonë. Kjo, patjetër, kërkon
vullnet, por kërkon edhe që ne të drejtojmë gishtin, së pari, nga vetja jonë dhe të shikojmë
sesi po e luftojmë këtë fenomen.
Gjithashtu, zoti Balla përmendi Transparency International, i cili tha që është thjesht
një perceptim. Në fakt, unë mendoj se ky nuk është thjesht një perceptim, por është fakt,
sepse korrupsioni ka arritur në nivelet më të larta. Ky është një realitet i prekur nga të gjithë
shqiptarët, sepse ky fenomen nuk ndikon vetëm në shërbimet publike, si: shëndetësi, arsim
dhe punësim, por ka ndikuar edhe në klimën e biznesit në Shqipëri. Tani dihet, edhe nga
raportet ndërkombëtare, që partneritetet publike private janë etiketuar si shërbime që nuk
kanë përmirësuar shërbimet që i janë dhënë privatit, por në shumë raste e kanë përkeqësuar,
çmimi është rritur dhe ka sjellë një rritje më të lartë të korrupsionit. Prandaj dua të shfrytëzoj
9
Page 10
rastin që të flasim më shumë lidhur me të gjitha aspektet që po ndikojnë korrupsionin në
Shqipëri.
Pa humbur kohë, fjalën e ka zonja ministre.
Faleminderit!
Etilda Gjonaj – Të nderuar deputetë,
I nderuar zoti Balla,
E nderuara zonja Hajdari,
Të nderuar pjesëmarrës,
Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ju falënderoj për ftesën!
Më vjen mirë që ky takim zhvillohet në kuadër të një nisme të re të ndërmarrë në
bashkëpunim me Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, e cila quhet “Java e integritetit”. Pas
një iniciative të suksesshme në Holandë, zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe
mbështetet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, delegacioni i Bashkimit Europian dhe
Ambasada Holandeze. Kjo do të jetë një javë e mbushur me aktivitete, të cilat në thelbin e
tyre do të kenë gjithpërfshirjen. Kjo do të thotë që do të jenë aktivitete, ku, nëpërmjet
forumeve apo tryezave, do të kemi mundësinë të diskutojmë me komunitetin e biznesit, me
aktorë të shoqërisë civile, me përfaqësues të medies dhe me studentë e pedagogë, me qëllim
që të kemi mundësinë për të diskutuar jo vetëm për fenomenin e korrupsionit, por,
njëkohësisht, edhe për masat dhe luftën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku, me qëllim që
të arrijmë rezultatet e dëshiruara. Kjo javë, e cila i kushtohet integritetit, si një aspekt shumë
kuptimplotë dhe gjithëpërfshirës jo vetëm në aspektin e luftës kundër korrupsionit, por edhe
rritjes së transparencës së qeverisjes, si edhe promovimit të integritetit dhe figurave me
integritet, besoj se do të na japë rezultatet e duhura, me qëllim që secili nga ne të ketë
mundësinë të kontribuojë jo vetëm duke bërë kritika, por edhe duke dhënë sugjerime e duke
qenë së bashku në luftën kundër korrupsionit. Ky është një prioritet i qeverisë shqiptare dhe i
të gjithëve ne, por, nga ana tjetër, është një prioritet, i cili është rekomanduar edhe nga
Komisioni Europian dhe, ashtu siç tha zoti Balla, nga Bundestagut gjerman, me qëllim që
Shqipërisë t’i hapet rruga për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj gjej rastin t’ju
falënderoj përzemërsisht për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, duke
sjellë në vëmendje të tyre pikërisht çështjen dhe një ndër prioritetet kryesore, që është lufta
kundër korrupsionit.
10
Page 11
Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare
dhe kjo po vijon jo vetëm në aspektin e rregullimeve legjislative, por njëkohësisht edhe me
masa në tri plane: parandaluese, represive dhe ndërgjegjsuese.
Pavarësisht se ministri i Drejtësisë është koordinatori Kombëtar Kundër
Korrupsionit, duhet të kuptojmë qartë se kjo nuk është detyrë apo përgjegjësi e vetme e
Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë janë të përfshira të gjitha institucionet e qeverisjes vendore
dhe asaj qendrore, por njëkohësisht edhe institucionet e pavarura, të cilat kanë një rol në
rritjen e transparencës dhe në masat që marrin për luftën kundër korrupsionit. Pa dyshim që
reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut do të ndihmojnë në rezultatet konkrete në luftën
kundër korrupsionit dhe aktualisht ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme, të cilat nuk kanë
asnjë ngjashmëri me asnjë vend tjetër të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, që
kanë marrë iniciativë, siç është procesi i vetingut, që ne e kemi ndërmarrë.
Me ngritjen e SPAK-ut tashmë ka filluar një kapitull i ri dhe presim rezultate për
luftën kundër korrupsionit. Mendoj se viti 2020 do të jetë një vit vendimtar për sa i përket
zbatimit të reformës në drejtësi.
Në të gjitha politikat tona, rekomandimet e Komisionit Europian dhe të një sërë
partnerëve janë të mishëruara në objektiva dhe masa konkrete, me qëllim zbatimin e tyre dhe
arritjen e rezultateve të dëshiruara.
Strategjia antikorrupsion dhe plani i veprimit, i cili koordinohet dhe monitorohet
lidhur me zbatimin e tij nga Ministri Drejtësisë, ka pasur një përmirësim jo vetëm në mënyrën
e hartimit dhe konceptimit në bazë të rishikimeve që keni kryer vit pas viti, por edhe sa i
përket zbatimit të këtyre masave, duke dhënë indikatorë dhe rezultate konkrete të matshme.
Ministri i Drejtësisë, në rolin e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit,
koordinon në bazë të këtij planveprimi dhe strategjie 84 institucione, ku 61 janë bashki, 11
janë ministri dhe 12 janë institucione qendrore në luftën kundër korrupsionit. Koordinimi
realizohet nëpërmjet dokumenteve strategjike, siç është strategjia dhe plani i veprimit
anntikorrupsion, duke bërë një monitorim të vazhdueshëm të rezultateve dhe impaktit që kanë
këto rezultate te qytetarët.
Çdo tre muaj Komiteti Koordinativ, si një mekanizëm i ngritur në nivel politik
kundër korrupsionit, monitoron planin e veprimit antikorrupsion për të matur suksesin e
masave, por edhe për problematikat që kanë dalë, me qëllim që të reflektohen dhe adresohen
në rekomandime, që u drejtohen institucioneve shtetërore.
11
Page 12
Dokumentet tona strategjikë, sikundër edhe raportet e monitorimit, kanë ndjekur
qasjen e trefishtë, ashtu siç thashë në aspektin parandalues, në aspektin e masave represive,
ndëshkuese dhe ato ndërgjegjësuese.
Të gjitha vendet zhvilluara i japin një rëndësi tepër të veçantë aspektit parandalues
dhe besoj se kjo ka gjetur vend në planet e veprimit që qeveria ka miratuar në luftën kundër
korrupsionit më shumë se sa masat e tjera.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka punuar prej disa muajsh në hartimin e një plani
të ri të veprimi kundër korrupsionit për vitet 2020-2023, i cili është konsultuar me të gjithë
aktorët e shoqërinë civile, është konsultuar me të gjitha institucionet e përfshira, me
ekspertizën ndërkombëtare dhe asistencën teknike të ofruar nga Komisioni Europian me
qëllim që masat, të cilat janë parashikuar, të jenë mirëbuxhetuara, të matshme dhe të
efektshme.
Shumë shpejt ky plan veprimi do të miratohet edhe nga qeveria, njëkohësisht ka një
mbështetje të jashtëzakonshme edhe nga Komisioni Europian.
Komisioni Europian nëpërmjet delegacionit në Shqipëri ka mbështetur këtë plan dhe
të gjitha masat që kemi marrë kundër korrupsionit, jo vetëm nëpërmjet mbështetjes buxhetore
dhe sektoriale, por, njëkohësisht po përgatitet edhe asistenca teknike për zbatimin dhe arritjen
e rezultateve konkrete të planit të ri të veprimit. Besoj se nëpërmjet mbështetjes buxhetore që
Komisioni Europian jep, por, pa dyshim pa harruar të gjithë partnerët, të cilët kanë ndihmuar
në mënyrë të vazhdueshme, do të kemi mundësinë që ky plan i ri 3-vjeçar të japë absolutisht
atë, të cilën ne sot e kemi ideuar në politikat, po e ndjekim në të gjitha politikat legjislative,
po ashtu edhe në zbatimin e tyre.
Krahas kuadrit strategjik, në përmbushje të rekomandimeve të progres-raportit, është
vijuar edhe me përmirësimin e kuadrit ligjor në luftën kundër korrupsionit. Përtej paketës
ligjore të reformës në drejtësi, tashmë të njohur edhe për parashikimet ligjore, por,
njëkohësisht, edhe për rezultatet që unë preka pak më parë, gjithashtu e përmendën zonja
Hajdari dhe zoti Balla, ka një përmirësim në kuadrin nënligjor për kontrollin dhe financimin e
partive politike.
Në prill 2019 u miratuan akte nënligjore, që e bëjnë të detyrueshme publikimin e
financimit të fushatave elektorale, si dhe monitorimin e raporteve financiare të partive
politike, por pa dyshim që ka ende shumë për të bërë, jo vetëm për të rritur transparencën, si
një ndër komponentët kryesorë në luftën kundër korrupsionit, por edhe për zbatimin e
rekomandimeve të mekanizmave të Këshillit të Europës.
12
Page 13
Ligji për deklarimin e pasurisë për zyrtarët publikë është ndryshuar duke bërë të
mundur deklarimin online të aseteve, nëpërmjet një regjistri online, i cili do t’i japë
mundësinë të gjithë publikut të çekojë, të aksesojë deklaratat financiare, deklaratat e pasurisë
që zyrtarët e lartë, si subjekte të detyruara, do të kenë mundësi t’i kenë këto deklarata dhe t’i
aksesojnë me të gjitha të dhënat. Në të njëjtën kohë, ka filluar puna edhe për popullimin e
këtij sistemi elektronik nga ILDKPKI-ja, me qëllim që ky proces të përfundojë sa më shpejt.
Gjithashtu, në kuadër të deklarimit të aseteve të pasurisë nga zyrtarët e lartë me
asistencën e OSBE-së, ILDKPKI ka filluar analizën për rishikimin e ligjit për konfliktin e
interesave, i cili shkon në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian.
Është për t’u përgëzuar dhe gjej rastin të falënderoj parlamentin për rishikimin e
Rregullores së Kuvendit për të bërë të mundur reflektimin për shkeljet e Kodit të Etikës, si
shkak për fillimin e procedurës disiplinore. Pa dyshim, kjo është në përmbushje të
rekomandimeve të GRECO-s (Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit). Shqipëria nga 10
rekomandime të GRECO-s ka përmbushur 4 në mënyrë të kënaqshme dhe 6 rekomandime
pjesërisht të kënaqshme, por edhe për këto 6 rekomandime, ka vijuar puna për realizimin
plotësisht të tyre. Pa dyshim, që një sërë e këtyre rekomandimeve lidhen me zbatimin
reformës në drejtësi, me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, me ndarjen e pushteteve
në mënyrë të pastër, si pushteti gjyqësor, legjislativ dhe ai ekzekutiv, me qëllim që të
garantohet pavarësia jo vetëm në qeverisjen e sistemit të drejtësisë, por edhe në inspektimin e
gjyqtarëve dhe prokurorëve. Tashmë kuadri i ri rregullator ia jep këtë mundësi, pasi ministri i
Drejtësisë apo ekzekutivi nuk kanë më asnjë rol në inspektimin dhe në vlerësimin e
gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ajo çfarë mekanizma, si Këshilli i Europës dhe GRECO,
vlerësojnë është pikërisht zbatimi në praktikë. Unë besoj se në raportonin që vjen, dhe ne do
të raportojmë në mars të këtij viti, do të kemi një rezultat shumë më të mirë, pasi një sërë nga
rekomandimet e tyre që lidhen me drejtësinë janë tashmë në zbatim.
Rekomandime të progress-raportit ka qenë ngritja e organeve të specializuara, të
hetimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu siç thashë ngritja e SPAK-ut dhe
pas disa muajsh edhe Byrojë Kombëtare e Hetimit do të sjellin të përpara drejtësisë zyrtarët e
lartë të përfshirë në korrupsion, duke shkulur një herë e mirë kulturën e pandëshkueshmërisë.
Pa dyshim, korrupsioni, si fenomen dhe pandëshkueshmëria, janë dy elemente, të cilat
shkojnë bashkërisht dhe, nëse nëpërmjet institucioneve të drejtësisë do të luftohet
pandëshkueshmëria, atëherë do të jetë shumë më e lehtë lufta kundër korrupsionit.
13
Page 14
Ndërkohë Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet task forcës anti-korrupsion, e cila
drejtohet nga ministri, por, duke pasur në përbërje një sërë institucionesh të tjera ka vijuar
punën për të ndëshkuar rastet korruptive dhe shpërdorimin e detyrës brenda administratës
publike nëpërmjet hetimeve dhe inspektimeve administrative.
Nga të dhënat e task forcës antikorrupsion, brenda vitit 2019 janë marrë rreth 600
masa disiplinore, ku janë shkarkuar nga shërbimi civil rreth 110 nëpunës dhe janë dërguar në
prokurori 36 raste. Pa dyshim mbetet ende shumë për të bërë nga organi akuzës në lidhje me
rastet e referuara në prokurori, pasi ka një procedurë të tejzgjatur dhe besoj se, me ngritjen e
institucioneve të reja, do të kemi rezultate edhe në aspektin e përgjegjësisë penale për këto
dosje që janë referuar në prokurori.
Këtë vit është menduar dhe kemi planifikuar ngritjen në një nivel të ri për sa i përket
luftës kundër korrupsionit dhe ndëshkimin e saj në aspektin administrativ, është përgatitur
rrjeti antikorrupsion, i cili do të jetë një rrjet që do të ketë koordinatorët antikorrupsion në 17
agjenci, të cilat ofrojnë shërbim ndaj qytetarëve, ku perceptimi i qytetarëve është shumë më i
lartë në lidhje me shërbimin që marrin dhe do të jetë pikërisht ky rrjet i koordinatorëve
antikorrupsion në këto agjenci në nivel qendror dhe rajonal, që do të ketë mundësi të hetojë si
nga brenda, ashtu edhe nëpërmjet denoncimeve që qytetarët do të adresojnë për të kryer
inspektimet dhe për të ndëshkuar çdo zyrtar çdo punonjës administrate, i cili shpërdoron
detyrën apo kryen korrupsion.
Lufta ndaj korrupsionit nuk është e lehtë jo vetëm për vende si Shqipëria, por për një
sërë vendesh të tjera të zhvilluara. Për më tepër, korrupsioni endemik dhe sistematik në
Shqipëri është edhe më i vështirë të çrrënjoset pa një qasje gjithëpërfshirëse.
Shqipëria ka vijuar të punojë seriozisht në fushën e antikorrupsionit si në nivelin
strategjik, ligjor, ashtu edhe institucional apo nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të ngritur
edhe me akte nënligjore. Krahas këtyre masave, Shqipëria ka bërë përpara edhe në
ndërmarrjen e një sërë masash novatore që përfshijnë përdorimin e teknologjisë në luftën
kundër korrupsionit dhe një ndër masat parandaluese është shtimi i shërbimeve online. Numri
i shërbimeve online gjatë 2019 ka qenë rreth 580 dhe që nga fillimi i janarit janë shtuar rreth
472 shërbime të reja. Qeveria është duke punuar në mënyrë intensive, duke e pasur si një
prioritet kryesor që deri në qershor të vitit 2020 pothuajse pjesa më e madhe e shërbimeve
publike të jetë online. Besoj fort, ashtu si edhe zoti Balla tha në fjalën e tij, që ofrimi i
shërbimeve në mënyrë elektronike online te qytetarët, do të ulë korrupsionin, do të pakësojë
14
Page 15
radhët dhe do të japë mundësinë që qytetarët ta marrin shërbimin në një kohë shumë të
shkurtër, duke shmangur sportelet apo sorrollatjet nga një sportel te sporteli tjetër.
Për sa u përket masave të tjera parandaluese, janë rritja dhe trajtimi i denoncimeve
nëpërmjet portalit elektronik “Shqipëria që duam”, i cili përtej faktit që ishte një portal dhe
vazhdon të jetë një portal që trajton ankesat e qytetarëve, do të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë
me sistemin antikorrupsion, i cili do të ngrihet në Ministrinë e Drejtësisë, ku do t’i shërbejë
edhe rrjetit antikorrupsion për të dërguar dhe për të trajtuar çdolloj veprimi që kryhet në
rastin e denoncimeve të marra nga qytetarët. Duke u lidhur të dy bashkë këto sisteme, duke
folur me njëri-tjetrin, do të kemi mundësinë që çdo shqetësim i qytetarëve përtej faktit nëse e
njohin si veprim korruptiv apo e njohin si veprim abuziv, të gjejë përgjigjen dhe adresimin e
duhur nëpërmjet hetimeve administrative që do të kryejmë nëpërmjet mekanizmave të ngritu,
që sapo i përmenda.
Dëgjova dhe këtu dhe, pa dyshim e kemi përcjellë me shqetësim edhe raportin e
Transparency International. Ky është shqetësimi i të gjithëve për shkak të një renditjeje më
të ulët se sa vitet e shkuara, por duhet të kuptojmë metodologjinë e Transparency
International, pasi indeksi i korrupsionit është indeks perceptimi nëpërmjet pyetësorëve dhe
intervistave me ekspertë, ashtu si çdo vit ne po studiojmë pikat e dobëta tona, të cilat kanë
rezultuar edhe nga ky raport, i cili i vlerëson vendet edhe në bazë të raporteve të tjera, siç
është raporti për shtetin e së drejtës, raporti për Doing Bussines, të cilat ndikojnë
automatikisht në këtë perceptim apo në këtë indeks, që ka të bëjë me perceptimin e qytetarëve
ndaj korrupsionit. Por duke marrë në konsideratë edhe reformimin e sistemit të drejtësisë ka
sjellë jo pak ndikim edhe në rankimin e Shqipërisë në këtë indeks.
Nga ana tjetër, në rritjen e perceptimit të korrupsionit, e njohur kjo edhe nga të
gjitha studimet ndërkombëtare ndikojnë dhe ngjarjet politike dhe duhet të kuptojmë se nuk
kemi kaluar një vit të lehtë për sa u përket ngjarjeve politike. Përkundrazi, ngërçet politike në
zgjedhjet e qershorit, bojkotimi i mandateve, bllokimi i reformave dhe një sërë elementesh të
tjera që lidheshin me situatën politike, ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e korrupsionit
dhe automatikisht në renditjen e Shqipërisë më me pak vende poshtë se sa ka qenë 1 vit më
parë. Por ajo çfarë është për t’u theksuar është se indeksi i perceptimit të Transparency
International nuk mat masat që qeveria apo shteti ndërmerr për të luftuar korrupsionin, por
mat vetëm perceptimin e qytetarëve. Tashmë është e njohur botërisht edhe nga studiuesit
apo dhe nga organizma të cilët merren me studimin e korrupsionit se sa më shumë të flitet
për këtë të fundit, aq më tepër rritet perceptimi i qytetarëve se një vend ka korrupsion. Nëse
15
Page 16
qytetarët dëgjojnë në mënyrë të përditshme se shkarkohen gjyqtarë dhe prokurorë, sepse
janë të korruptuar apo për masat që ka marrë qeveria duke mbajtur në konsideratë edhe
daljet e mia javore, ku evidentoheshin të gjitha rastet ku kishim marrë masa për shkak të
korrupsionit apo të shpërdorimit të detyrës, të gjitha këto ndikojnë në perceptimin e
qytetarëve. Dua të ndaj me ju, se ka pasur një rezultat pozitiv. Nëse perceptimi i qytetarëve
për korrupsionin vazhdon të jetë i njëjtë duhet të theksojmë se perceptimi i qytetarëve për
masat që ka marrë qeveria në luftën kundër korrupsionit është rritur. Ky është një aspekt
shumë pozitiv, pasi aktualisht qytetarët e kuptojnë për korrupsionin, dinë fenomenin dhe
nga ana tjetër dinë edhe masat që ka marrë qeveria për sa i përket luftës kundër tij.
Për të mbështetur zotin Balla në krahasimin e treguesve të vitit 2013 me ato të vitit
2019 sesi është renditur Shqipëria, unë them se viti 2013 ka qenë ndër vitet më të këqija për
sa i përket renditjes së Shqipërisë në këtë indeks të korrupsionit. Nuk po flasim me retorikë
politike, por po flasim me shifra, pavarësisht interpretimit dhe pavarësisht reformave që
ndërmerr një vend dhe sa ndikojnë në këtë indeks. Pavarësisht kësaj, nuk jemi utopikë dhe
të themi se kemi bërë gjithçka për të luftuar korrupsionin, përkundrazi një sërë masash të
tjera qoftë legjislative, ashtu si dhe akti normativ i fundit, do të ndikojnë pozitivisht në
luftën kundër korrupsionit dhe në rezultate konkrete, por nga ana tjetër edhe me një sërë
masash legjislative që duam të ndërmarrim në të ardhmen lufta kundër korrupsionit me
qëllim që të bëhet sa më efektive.
Ministria e Drejtësisë në këtë prioritet kryesor, që na përket të gjithëve ka
ndërmarrë një sërë masash, por duke vendosur theksin sidomos te gjithëpërfshirja. Shoqëria
civile pavarësisht përpjekjeve tona në mënyrë të vazhdueshme ka qenë paksa në një rol më
të tërhequr. Unë besoj se edhe “Java e integritetit”, por edhe nxitja që partnerët
ndërkombëtarë u kanë bërë aktorëve të shoqërisë civile, do të na japin mundësinë të jemi të
gjithë bashkë për të diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje apo dhe për të dëgjuar zërin e
qytetarëve nëpërmjet aktorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Unë do të doja ta mbyllja pa ju lodhur shumë, sepse aktualisht ne jemi në fazën
duke përgatitur një studim dhe një dokument politikash me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit
të qytetarëve, por edhe rritjen e përfshirjes së qytetarëve në rastet e denoncimeve, sidomos
në 4 fushat kryesore që kanë të bëjnë me pronat, shëndetësinë, arsimin dhe informalitetin
fiskal, me qëllim që të kemi mundësi të japim disa rekomandime konkrete edhe në aspektin
sektorial, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfaqësimit të vetë qytetarëve nëpërmjet
denoncimeve të rasteve të korrupsionit.
16
Page 17
Së fundi, më lejoni t’ju them si ministre Drejtësie se po e ndjekim me shumë
vëmendje së bashku me zëvendësministren, e cila e ka pjesë kryesore të përgjegjësisë dhe të
portofolit të saj, duke bërë çdo përpjekje jo vetëm për të koordinuar dhe për të monitoruar,
të cilat janë tashmë pjesë e planeve strategjike, por edhe për të intensifikuar masat në luftën
kundër korrupsionit, me qëllim që ato të jenë sa më gjithëpërfshirëse.
Rudina Hajdari - Shumë faleminderit, zonja Gjonaj!
Përpara se t’ia jap fjalën ministres së Ekonomisë dhe Financave zonjës Denaj,
më lejoni të përmend disa pika për sa i përket biznesit dhe luftës kundër korrupsionit.
Përpos faktit që ne përmendim raportet e Transparency International që nuk është
i vetmi raport, i cili përmend fenomenin e korrupsionit në Shqipëri, zonja Denaj mund ta dijë
shumë mirë se Banka Botërore kryen të ashtuquajturën “Vrojtim i sipërmarrjeve” çdo 6 vjet.
Bën një raportin për vrojtimin e sipërmarrjeve në Shqipëri, në Europën Lindore dhe në
Azinë Qendrore. Ky raport mat kompanitë për çështjet që lidhen me klimën e biznesit si:
korrupsionin, taksat, krimin dhe ambientin rregullator. Përveç kësaj ky raport i Bankës
Botërore, i cili publikohet çdo 6 vjet, është publikuar më 8 nëntor të vitit 2019 thekson se
ryshfetet janë një mënyrë matëse që bëhet në këtë raport. Në këtë raport thuhet se:
“Ryshfetet në vendin tonë janë rritur shumë”. Sipas Bankës Botërore krahasuar me vitin
2013, raportin e fundit që është bërë, frekuenca e ryshfeteve në Shqipëri është rritur gati 2
herë më shumë në biznes, nga 20,6% që ishte në vitin 2013, në 36,1% sot. Është shumë
shqetësues fakti që mbi 36% të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë
ryshfet nga zyrtarët e shtetit. Kjo shifër është 3 herë më e lartë se mesatarja e rajonit, jo vetëm
që është problem në Shqipëri, por është shifër e lartë në krahasim edhe me rajonin, që tregon
se ne jemi në një gjendje tejet të përkeqësuar në lidhje me këtë fenomen dhe në një gjendje
më të keqe sesa rajoni.
Po në të njëjtën linjë, siç e theksova në fjalën time hyrëse raporti për klimën e
investimeve për vitin 2019 të Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku tashmë
Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor thotë: “Krimi,
korrupsioni, favorizimi i qeverisë, presioni politik mbi bizneset mungesa e konkurrencës, e
transparencës dhe kontratat e partneritetit publik” janë vetëm disa nga gjetjet kryesore të
raportit. Sipas këtij raporti: “Kuadri ligjor që rregullon veprimtarinë e biznesit ndryshon
shpesh dhe pa konsultime domethënëse me komitetin e biznesit, pronarët e bizneseve dhe
shoqatat e biznesit shpeshherë vërejnë se nuk kanë marrë njoftim dhe nuk kanë kohë apo
mundësi të mjaftueshme për t’u angazhuar në ndryshimet ligjore dhe nënligjore”.
17
Page 18
Pra, ky raport për klimën e investimeve që është publikuar në vitin 2019 nga
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit
publik privat ka ngushtuar mundësinë për konkurrencë, përfshirje nga investitorët e huaj në
infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë. Po ashtu, të njëjtin konstatim, siç e thashë dhe më
përpara e ka bërë edhe raporti i Komisionit Europian.
Do të doja të dija pak më tepër nga zonja Denaj në lidhje me këtë fenomen. Çfarë
është bërë nga qeveria? Çfarë masash janë marrë në lidhje me presionin që ka biznesi në
Shqipëri nga korrupsioni, nga ky fenomen shumë i thellë në shoqërinë tonë?
Ju lutem, nëse keni mundësi të kontribuoni në këtë bisedë, e cila është një bisedë e
hapur dhe shërben për të qenë një bisedë ndërgjegjësuese, do ta inkurajoja zonjën ministre
të jetë sa më e hapur në lidhje me masat që janë marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe
Financave për të krijuar një mjedis më konkurrues, më transparent dhe pa ndikimin politik,
që të jetë i paanshëm dhe i drejtë. Çfarë ka ndryshuar kjo ministri në lidhje me këtë aspekt?
Faleminderit!
Anila Denaj - Shumë faleminderit!
Të nderuar deputetë,
I nderuar zoti Balla,
E nderuar zonja Hajdari,
E nderuar zonja Gjonaj,
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë,
Në fakt, sot kjo tryezë sikurse edhe vetë titulli i adresuar më parë në raport për
ndërgjegjësimin dhe masat që janë marrë në raport me luftën kundër korrupsionit ka sjellë
në vëmendje disa aspekte shumë të rëndësishme që ju i përmendët pak më parë si rezultat i
nevojës për të luftuar korrupsionin në të gjitha elementet e tij.
Në lidhje me çështjen që lidhet me biznesin dhe me kuadrin juridik, sigurisht
procesi i reformave është një proces, i cili ka nisur prej kohësh dhe në shumë sektorë
strategjikë, të cilët prekin ekonominë.
Unë dëshiroj të theksoj në radhë të parë që përmirësimi i vazhdueshëm i klimës së
biznesit lidhet me shumë nga këto procese legjislative, duke filluar me fokusin që i vihet
raportimit financiar të shëndetshëm dhe transparent në çdo biznes, qoftë ai vendas apo i
huaj, që si një fokus i rëndësishëm edhe i administrimit fiskal luan një rol kryesor në
zhvillimin ekonomik të vendit, në vendosjen e një konkurrence të ndershme në zhvillimin e
tregjeve të kapitalit në aksesin në financim dhe në rritjen ekonomike të vendit.
18
Page 19
Kuptohet që të realizohet ky objekt duhen si instrumentet juridike ashtu edhe ato
administrative. Për këtë kërkohet kohë dhe shikohet progres. Jemi angazhuar që t’u
shërbejmë mirëqeverisjes së korporatave dhe të reduktojmë qasjen korruptive në disa aspekte
në luftën kundër evazionit dhe informalitetit. Në tërësinë e tij këto masa juridike përfshijnë
angazhimin e Ministrisë së Financave në të gjithë përmirësimin e kuadrit rregullator drejt
përshtatjes dhe përafrimit me legjislacionin me acquis communautaire të vendeve të BE-së.
E ritheksoj se janë 13 kapituj që Ministria e Financave dhe Ekonomisë negocion prej disa
kohësh. Njëkohësisht është një paketë shumë e rëndësishme e provuar vitin e kaluar, më e
fundit para një jave, paketa e Manival, e cila i krijon mundësinë Ministrisë së Financave
dhe Ekonomisë dhe institucioneve të saj të luftojë dhe të ketë instrumente shumë të
rregulluara ndaj avazionit fiskal, por edhe pastrimit të parasë.
Në mënyrë absolute jam dakord me ju që vetëm pjesa juridike dhe pjesa
legjislative nuk është e mjaftueshme për të luftuar korrupsionin. Sigurisht të duhen
instrumente të tjera dhe mbi të gjitha të duhen instrumente që janë në kohë reale, të jenë të
mundur dhe të saktë. Në këtë aspekt prej gati 9 muajsh ne jemi përfshirë në një proces shumë
të rëndësishëm, atë të ligjit të fiskalizimit, i cili do të ndihmojë në mënyrë të drejtpërdrejtë
administratën tatimore të marrë të dhëna në kohë reale dhe të jenë të sakta për të gjitha
marrëdhëniet e biznesit në raport me administratën tatimore, por njëkohësisht dhe të të
gjithë informacionin që qarkullon në raport me marrëdhëniet biznes- biznes dhe biznes -
qeveri. Synimi është që në vitin 2021 i gjithë procesi i informacionit nëpërmjet faturimit të
jetë elektronik dhe kjo të ushtrojë një presion akoma më të shtuar drejt qasjes së
pasqyrave financiare reale dhe jo atyre fiskale që sot gjykojmë se janë shumë larg realitetit
që ekziston dhe që mundëson një limitim edhe të kreditimit në ekonomi.
Shumë i rëndësishëm është edhe raportimi financiar i njësive ekonomike në raport
me ligjin e kontabilitetit. Më lejoni të shpreh këtu falënderimin për partnerët tanë
ndërkombëtarë: Bankën Botërore dhe SECO-n në veçanti, të cilët ndërmorën iniciativën së
bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të ndryshuar ligjin ekzistues “Për
kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Cili është qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve?
Përmirësimi i cilësisë së kuadrit ligjzbatues ekzistues, si dhe përditësimi i tij për të pasqyruar
zhvillimet e fundit, të paktën për 10 vjetët nga ndryshimi i fundit i këtij ligji.
Ligji “Për kontabilitetin” përcakton kriteret që duhet të përmbushen nga subjektet
për përdorimin e standardeve të raportimit financiar. Standardet kombëtare të kontabilitetit
janë rishikuar në korrik të vitit 2014 dhe një datë efektive më 1 janar të vitit 2015. Ky
19
Page 20
përmirësim dhe rishikim i standardeve të kontabilitetit është një proces i vazhdueshëm, i cili
kryhet nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, një ent i pavarur që monitoron në mënyrë të
vazhdueshme vijueshmërinë e këtij aspekti juridik.
Në raport me zhvillimet e klimës së biznesit është shumë e rëndësishme të
përmendim jo vetëm indekset që përmendët ju, që do t’i kthehem në vijim, por edhe
indekset, të cilat e vendosin Shqipërinë në kuadër përmirësimi të klimës, si dhe të
përmirësimit të kapaciteteve operacionale. Prej vitit 2016 Shqipëria ka pasur një përmirësim
në indeksin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në indikatorët mbi të mësuarit rreth
sipërmarrjeve të grave, shërbimet mbështetëse të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe
aftësitë e sipërmarrjes. Kjo vazhdon të jetë lider në rajon për mjedisin operacional të
ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ky është një raport i disponueshëm, por shpesh nuk lexohet, sepse përmirësimet
gjithmonë janë të fundit në listë, kurse kritikat janë në fillim.
Për t’iu adresuar shqetësimeve në lidhje me klimën e biznesit dhe ata indikatorë që
ju përmendët pak më parë, më lejoni të theksoj që, nëse matja e indikatorëve për rritjen e
dhënies së ryshfeteve është dy herë më shumë, sikurse ju e përmendët nga raporti i Bankës
Botërore, unë do të vlerësoja shumë bazën e formacionit, pasi është e rëndësishme të
kuptojmë nëse kjo bazë informacioni është me perceptime, atëherë është një element që duhet
ta gjykojmë, në qoftë se është me denoncime, unë do ta mirëprisja këtë raport, sepse do të
thotë që ndërgjegjësimi i aktorëve të biznesit është rritur në raport me denoncimet.
Sikurse e tha edhe kolegia ime pak më parë, ne e kemi të nevojshme që ky denoncim
të jetë i rritur, në mënyrë që edhe lufta jonë drejt gjetjes së elementeve korruptive të jetë
efektive dhe e drejtpërdrejtë. Kështu që, nxitja e denoncimeve është një nxitje, që edhe unë si
ministre e Financave dhe Ekonomisë e bëj. Ne nuk pretendojmë që korrupsioni është zero,
nuk pretendojmë që kjo është një luftë, e cila do të mbarojë ndonjëherë. Ky është një proces i
vazhdueshëm, por ndërgjegjësimi, nëse ka ndihmuar me rritjen me dyfish të denoncimeve,
unë do ta mirëprisja shumë këtë tregues dhe nuk do ta shikoja me sy negativë, por me sy
pozitivë.
Gjithashtu, më lejoni të theksoj, që në klimën e biznesit elementi i ndryshimit të
shpeshtë të kuadrit rregullator, legjislativ, kryesisht atij fiskal është shqetësues. Ky është një
shqetësim i përcjellë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë edhe nga forumet e ndryshme
të biznesit dhe në këtë aspekt, prej më se një viti, ne kemi komunikuar me biznesin në
mënyrë intensive të gjitha aktet juridike, duke filluar nga ai i fiskalizimit dhe të gjitha aktet e
20
Page 21
tjera të paketës fiskale dhe jemi angazhuar në një përpjekje për t’i adresuar ndryshimet fiskale
në një kontekst afatmesëm dhe jo afatshkurtër, duke synuar ndryshimet vjetore në ndryshime
minimumi 3-vjeçare, pasi edhe për biznesin parashikueshmëria e kuadrit legjislativ fiskal
është e nevojshme të jetë afatmesme dhe jo afatshkurtër, prandaj kjo është e mirëpritur.
Konsultimet publike janë të vërtetuara se si po ndodhin, por unë mendoj që nuk janë
një format thjesht për të kaluar radhën, se është e nevojshme që konsultimet publike të sjellin
përmirësime legjislative. Fakt është që katër nga nenet kryesore të ligjit të fiskalizimit janë
ndryshuar falë konsultimit publik shumë intensiv të bërë me grupet e interesit.
Ky nuk është një proces i cili përfundon sot. Si në aspektin rregullativ, ashtu edhe në
atë administrativ ne kemi shumë punë për të bërë. Ne synojmë që në fund të vitit 90% e
shërbimeve të jenë online dhe pjesa më e rëndësishme e dokumentacionit, 2/3 e tyre, të
merren nga administrata dhe jo nga qytetarët apo bizneset dhe, sigurisht, kjo futet në
ombrellën e madhe të revolucionit dixhital, i cili do të eliminojë jo vetëm burokracitë, por
edhe qasjet korruptive në raport me sportelet.
Së fundi, në raport me zhvillimin ekonomik që ka të bëjë me investitorët e hua, për
të përmirësuar një klimë biznesi jo vetëm në kuadrin legjislativ, por edhe në kuadrin e
ndjekjes së investimeve të huaj, janë bërë përpjekje për të ndryshuar edhe mënyrën se si qaset
një investitor, duke filluar nga një derë e vetme që është AIDA, për të ndjekur gjithë procesin
zinxhir të rrugëtimit që një investitor kryen në Shqipëri, sikurse është duke u rishikuar ligji i
investimeve, duke përshtatur jo vetëm ligjin e investimeve strategjike, i cili ka një
kohëzgjatje të limituar, por edhe ligjin e mëparshëm të investimeve në një ligj të unifikuar të
investimeve, i cili sot është hedhur për konsultim publik dhe me mbështetjen e Bankës
Botërore, vitin e fundit kemi arritur në një qasje që të jetë një kuadër legjislativ i lexuar nga
investitorët e huaj për të ndihmuar investimet në vend, të cilat nuk janë ulur (se në fjalën
hyrës ju përmendët ulje me shifra), por në fakt, po t’i referohemi shifrave të investimeve të
huaja direkte të vitit të kaluar, në 9-mujor, në krahasim me 9-mujorin e vitit 2018, kemi 10%
rritje. Kjo rritje synon të tejkalojë nivelin 1 bilionë euro, që ka qenë në vitin 2018. Pra,
treguesit janë aty me shifra për t’u evidentuar dhe për t’u vlerësuar.
Kjo nuk e ul aspak presionin që qasja ndaj investitorëve të huaj të na bëjë të jemi
komodë me faktin që numrin i investitorëve dhe vlerat e investimeve janë në rritje, sepse
burokracia dhe korrupsioni janë dhe duhen luftuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për këtë
arsye edhe kuadri i rritjes së koordinatorëve dhe i ministrisë së mbrojtjes së sipërmarrjes nga
ministri përgjegjës për këtë proces është një rol shumë i rëndësishëm në një komunikim të
21
Page 22
drejtpërdrejt për çdo ankesë dhe denoncim, i cili shkon paralelisht edhe me denoncimin
korruptiv që menaxhon ministrja Gjonaj.
Kuadri legjislativ sot është një kuadër i plotë dhe i orientuar drejt legjislacionit të
BE-së. Ai synon përafrimin e në raport me luftën kundër evazioni dhe korrupsionit në aspekt
të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, por nuk është i mjaftueshëm vetëm legjislacioni.
Të gjitha institucionet përgjegjëse për të implementuar instrumentet dhe për ta
ndjekur legjislacionin deri në fund janë duke punuar dhe ne kemi mbështetjen jo vetëm të
organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, por edhe atyre jashtë.
Unë prita dje zëvendëssekretarin e përgjithshëm të ECD-së, i cili në një vizitë
dyditore në Shqipëri, është duke na ndihmuar edhe për ligjin më të fundit, atë të shkëmbimit
automatik të informacionit, që do të ndihmojnë për përafrimin jo vetëm të legjislacionit, por,
njëkohësisht, edhe çdo aksion, i cili do të mundësojë që informacionet nëpërmjet
administratave tatimore të 43 vendeve me të cilat kemi marrëveshje të taksimit të dyfishtë, të
jetë një kohë reale dhe sipas standardeve europiane.
Faleminderit!
Rudina Hajdari – Faleminderit, zonja Denaj!
Kemi menduar që në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian të kemi një
gjithëpërfshirje dhe duke u përpjekur për të arritur këtë objektiv kemi nderin të kemi të ftuar
edhe sekretaren e Përgjithshme të Dhomës së Ndërkombëtare të Tregtisë, ICC, zonjën
Seknaj, e cila na ka ndihmuar dhe ka facilituar këtë aktivitet dhe i jemi shumë falënderues.
Unë dua t’ju falënderoj për këtë bashkëpunim, zonja Seknaj!
Faleminderit, të gjithë të pranishmëve!
Faleminderit, zonjat Gjonaj dhe Denaj për praninë e tyre në këtë mbledhje të radhës!
Faleminderit, stafi dhe të gjithë anëtarët e KKIE-së!
Kjo mbledhje tregon se ne jo vetëm duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përpiqemi
të koordinojmë institucionet shtetërore në luftën kundër korrupsionit, por të jetë një fushatë e
cila vjen duke u rritur dhe fuqizuar në mënyrë që të rriten kapacitetet institucionale dhe
mënyrat e ndryshme për ta luftuar këtë fenomen.
Unë ju kërkoj shumë ndjesë që më duhet të largohem.
Urdhëroni, zonja Seknaj!
Ardita Seknaj - Faleminderit!
Në radhë të parë do të doja të bëja falënderimin e radhës për KKIE-në.
22
Page 23
Nuk do të zgjatesha te Java e Integrimit, por më lejoni të them që ky është takimi i
parë që hapë tiparin e të gjitha aktiviteteve dhe kam një informacion shtesë, se na janë
bashkuar 26 partnerë që përfshijnë palë interesi të ndryshme dhe janë mbi 22 aktivitete që po
organizohen gjatë kësaj periudhe.
Kryefjala e të gjitha këtyre aktiviteteve ka qenë bashkëpunimi midis palëve të
ndryshme të interesit. Është shumë interesante të bashkëpunosh dhe të ndash mendime në
lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe sidomos për ne që kemi qenë pjesë e sektorit privat,
ka qenë një ushtrim, i cili na ka dhënë shumë informacione nga njëra anë, por na ka krijuar
edhe një listë shumë të gjatë punësh që duhet të bëjmë.
Zonja kryetare më drejtoi një pyetje, se si ka ndikuar korrupsioni në Shqipëri.
Indekset qëndrojnë si tregues me qëllim që të ndërmarrim reforma apo nisma të tjera. Në
qoftë se u referohemi perceptimeve të bizneseve shqiptare në raport me qeverisjen ose me
klimën e biznesit, do të shikojmë që në tre indekset që bëjnë tri dhoma shumë të mira në
Shqipëri, në 5 elementet ose në 5 problematikat kryesore qëndron gjithmonë transparenca,
konkurrenca e pandershme dhe lufta ndaj korrupsionit, çka tregon se këto janë tregues që
duan akoma më shumë përpjekje. Megjithatë, unë qëndroj edhe te fakti që ne nuk duhet të
jemi viktima të indekseve. Patjetër që këto janë perceptime, janë tregues, por puna jonë duhet
të drejtohet edhe sikur të ishim 10 apo 15 vende më sipër te raporti i Transparence
International, sepse prapë se parë nuk ishte një pozicion i mirë.
Në këtë drejtim, ndoshta edhe për të biseduar me KKIE-në se si ne mund të
zhvillojmë më shumë bashkëpunim me këtë institucion, duke qenë se vetë parlamenti është
pala e interesit që vendos mbi ligjet, në momentin që projektligje të ndryshme vijnë në
komisionet parlamentare, ata janë në një formë mjat të avancuar dhe në këtë rol ju do të duhej
të kishit një mbikëqyrje akoma edhe më të madhe mbi gjithë procesin e konsultimit që është
bërë më përpara, nëse është ezauruar në të gjitha fazat e veta dhe nëse ka pasur elemente të
cilat janë futur nga ana e komenteve që kanë ardhur nga komunitetit i biznesit apo palët e
tjera.
Në perspektivën e dytë është edhe mbikëqyrja që ju i bëni ekzekutivit. Në këtë
drejtim Shqipëria është nënshkruese e disa konventave ndërkombëtare, duke përfshirë këtu
konventën e OKB-së, konventën e OECD-së apo të tjera dhe do të duhet të shihet se si është
ecuria e reformave që ka ndërmarrë vendi ynë në raport me përmbushjen e pikave të këtyre
konventave dhe se cfarë mund të bëhet akoma më mirë.
23
Page 24
Në të gjitha rastet është e nevojshme të kemi këtë dialog, të kemi një vazhdimësi, jo
ta bëjmë vetëm për hir të Javës së Integrimit, por të jetë në mënyrë të vazhdueshme në të
gjitha mbledhjet që organizohen nga parlamenti apo edhe aktorë të tjerë.
Eksperienca jonë në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe konkretisht me
Ministrinë e Drejtësisë, në kuadrin e koordinatorit kombëtar për luftën kundër korrupsionit,
ka qenë një ndër eksperiencat shumë të mira dhe ne jemi të gatshëm të vijojmë dhe të
asistojmë në ato pika që kanë lidhje me sektorin tonë, por jo vetëm, edhe me të gjitha palët e
tjera të interesit.
Unë nuk kam ardhur vetëm, por bashkë me një grup nga komuniteti i biznesit, nga
akademia, nga partneret ndërkombëtarë prandaj do të ishte me vlerë që ne ta qarkullonim
bisedën për më konkretisht.
Damian Gjiknuri - Faleminderit!
Do t’ju kërkoja miqësisht të gjithëve që diskutimet të jenë jo më shumë se 3-4
minuta, që të kemi mundësi t’i dëgjojmë të gjithë.
Urdhëroni për procedurë, zoti Gjoni!
Ralf Gjoni – Mua më vjen keq që kryetarja e KKIE-së u largua para kohe sot dhe
më vjen keq që ky këshill po bëhet si këshillat e mëparshëm tradicionalë historikë, me
inflacion fjalësh dhe me humbje kohe.
Me gjithë respektin për ministret e nderuara, ju keni të drejtë të prezantoni punën
tuaj, por, zoti Balla, besoj se kam mirëkuptimin tuaj që Këshilli Kombëtar i Integrimit
Europian duhet të jetë një këshill me një format më efikas për punën që ne bëjmë këtu. Unë
nuk mendoj se ne, si deputetë, apo edhe anëtarët e nderuar, përfaqësues të organizatave të
shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare apo të biznesit kanë ardhur këtu si audiencë.
Formati i këtij këshilli nuk duhet të jetë skena dhe audienca, skena dhe publiku, sepse ky
duhet të jetë interaktiv dhe kjo nuk ka të bëjë fare me ministret e nderuara që janë këtu, punën
e të cilave e vlerësoj.
Kështu, zoti Balla, unë mendoj që ne si anëtarë të këtij Këshilli duhet të mblidhemi
shpejt dhe të diskutojmë për mënyrën se si do të zhvillohen mbledhjet e këtij këshilli për të
rritur efikasitetin, sepse këtë që ne po bëjmë sot mund ta bëjmë në çdolloj komisioni
parlamentar. Pra, mund të thërrasim secilin ministër apo ministre që t’u bëjmë pyetje dhe t’u
kërkojmë llogari, por që ne të vijmë këtu dhe të rrimë dy orë, duke dëgjuar fjalime për arritjet
e mëdha të qeverisë, kjo nuk shkon. Këtë e them si deputet, jo si opozitar, dhe e them me
gjithë dashamirësinë time, sepse ne duam që të gjithë bashkë të japim kontributin tonë në
24
Page 25
luftën kundër korrupsionit, por edhe ta ndihmojnë qeverinë që të jetë më efikase në luftën
kundër korrupsionit. Këtë gjë nuk mund ta bëjmë duke dëgjuar fjalime, ndaj hajdeni të
gjejmë një format ku t’i japim mundësi edhe përfaqësuesve, sidomos të biznesit dhe
shoqërisë civile të shprehen, por edhe të dalim me një rezultat.
Faleminderit!
Taulant Balla - Jo pa qëllim Këshilli Kombëtar i Integrimit i është besuar opozitës,
kështu që unë dua që opozita të jetë e bashkuar dhe jo e ndarë në opinione. Megjithatë, fjalën
po ua kaloj të ftuarve, siç i përmendi edhe kryetarja që të japin këndvështrimet e tyre, qofshin
këta nga shoqëria civile, nga biznesi apo nga partnerët ndërkombëtarë.
E ftuar – Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për organizmin e këtij takimi që vërtet
për sipërmarrësit shqiptarë është shumë i vlefshëm. Ne të gjithë diskutojmë çdo ditë lidhur
me temën që po trajtojmë sot dhe se si mund ta zgjidhim atë, ndaj kjo tavolinë mund të jetë
një nga ato instrumente ku vërtet mund të dalin propozime të mira dhe konkrete. Unë nuk do
të doja që sot të jem pjesë e debateve, sepse dëgjuam mjaft debate.
Unë mendoj se kjo tryezë sot mund të jetë më tepër e paqes për të nxjerrë pikërisht
disa konkluzione të sakta, të cilat sipërmarrësit kërkojnë çdo ditë të forcohen, që lidhen me
rritjen e konkurrueshmërisë dhe eliminimin e korrupsionit, si dy elemente që vërtet do të
bënin që ekonomia shqiptare të ecte para. Nuk mund të themi se është një problem shqiptar,
sepse ky problem është në të gjithë rajonin dhe nuk e kemi shpikur ne, por është një fenomen
që ekziston çdo ditë dhe prandaj çdo ditë ne luftojmë për forcimin e dialogut midis
sipërmarrësve dhe atyre që bëjnë politikat në vend. Pra, në çdo vend, përfshirë edhe vendet e
BE-së, ekziston një temë, e cila është konstante, prandaj edhe ne çdo ditë në temat tona,
sidomos me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e cila është edhe ministria që lidh zërin e
sipërmarrjes, kërkojmë që ky dialog të forcohet.
Sot po flasim për përthithjen e investimeve dhe të gjithë ne duhet të jemi faktorë,
pozita-opozita, biznesi, pra të gjithë së bashku duhet të punojmë që të forcojmë thithjen e
investimeve, të shtojmë prodhimin dhe të rrisim eksportet e vendit tonë, sidomos për ato
produkte me një vlerë të shtuar, sepse tani kemi edhe një treg shumë konkurrues në rajon.
Pra, sfida dhe misioni ynë për forcimin e dialogut do të vazhdojë gjithmonë, sepse pikërisht
me forcimin e këtij dialogu mund të luftojmë edhe fenomene, të cilat nuk janë vetëm fushata,
por mendoj se janë fenomene dhe një luftë ditore.
Integrimi ekonomik është një hap i rëndësishëm për integrimin në BE dhe është një
nga ato tema të forta që sipërmarrësit e kanë përzemër dhe e diskutojnë çdo ditë në tryezat
25
Page 26
tona me frikën se mund të lidhen me ekonominë, e cila, gjithsesi, ka nevojë që të forcohet më
shumë. Unë do të doja t’ju informoja që shpeshherë sipërmarrësit shkojnë dhe bëjnë atë
hapjen e mëparshme në krahasim me politikat. Unë do të doja të citoja që dhomat e tregtisë
janë në një proces drejt integrimit ekonomik me një iniciativë të përbashkët, duke ngritur një
forum të përbashkët të dhomave të tregtisë rajonale që në vitin 2015 në Procesin e Berlinit.
Ne jemi fokusuar në një bashkëpunim ekonomik rajonal, duke afruar sipërmarrësit e vendeve
tona me një strategji në ndihmë të përthithjes së investimeve, ashtu siç na e ka vënë kusht
edhe BE-ja. Ne kemi punuar me tryeza të vazhdueshme dhe aty ku ka një semit politik, ka
edhe një takim midis sipërmarrësve, në mënyrë që t’i imponohet politikës, në këtë rast
politikës në rajon, sepse sipërmarrësit nuk mund të mënjanohen në një proces kaq të
rëndësishëm, siç është integrimi në BE.
Përthithen e investimeve jemi munduar ta shikojmë, duke krijuar një platformë të
përbashkët me të gjitha dhomat e tregtisë, ku promovohet vendi ynë, ashtu siç promovohen
edhe vendet e tjera të Ballkanit, në mënyrë që 6 vendet e Ballkanit të shihen si vende, të cilat
vërtet mund të krijojnë një dimension të madh ekonomik dhe ne mund të jemi më tërheqës
për sa i përket investitorëve të rëndësishëm.
Një tjetër platformë, të cilën ne e firmosëm vetëm një muaj më parë, është ajo e një
bashkëpunimi për krijimin e një platforme biznesi ndërmjet këtij forumi ekonomik rajonal
dhe BE-së, ku do të punohet pikërisht për forcimin e dialogut publik-privat lidhur me
politikbërësit e BE-së, politikbërësit e rajonit, si dhe biznesit të BE-së dhe biznesit të rajonit.
Pra, këtë hallkë komunikimi në implementimin e MAP REA-së, pra të zonës ekonomike
rajonale, ne e kemi menduar si strategjike pikërisht për krijuar këtë dialog dhe një nga
elementet është pikërisht edhe forcimi i konkurrueshmërisë. Në këtë rast një hallkë tjetër për
t’u forcuar është edhe lufta kundër korrupsioni në rang rajonal.
Faleminderit!
Taulant Balla – Kush e do fjalën nga pjesa tjetër e panelit?
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Unë kam dy pyetje, të cilat dua t’i parashtroj. Në qoftë se ne themi se po përdorim të
gjithë indikatorët, sepse bëhen vëzhgime të ndryshme kombëtare, pa dyshim që indikatorët
mblidhen, duke pasur parasysh individin dhe biznesin. Pra, këto janë dy subjektet që e
pësojnë më shumë nga korrupsioni. Për këtë arsye ne përpiqemi të krijojmë disa instrumente
për të lehtësuar jetën e individëve dhe biznesit që operojnë në tregun tonë ekonomik. Në fakt,
një nga pyetjet më të rëndësishme që kemi dhe ajo që vihet re te biznesi është: pse biznesi
26
Page 27
është vazhdimisht nën kontrollin e task forcave? Unë e di se në përgjithësi task forcat janë të
mira, sepse tregojnë se ku janë indikatorët që duhet të plotësojë biznesi, por, nga ana tjetër,
kanë edhe një presion negativ për biznesin, sepse detyrohen që tufën e parave, që edhe
anketat e ndryshme ndërkombëtare tregojnë që biznesi paguan si pjesë e kulturës korruptive,
ta venë nën presion. Kështu, pyetja ime është: çfarë po bëhet për të koordinuar veprimin e
task forcave? Sidomos në kohën kur është piku i sezonit turistik në Shqipëri task forcat, që
shkojnë drejt biznesit janë të shumta dhe ne po krijojmë algoritme, po krijojmë module që
biznesi të mos kontaktohet fizikisht nga task forcat, sepse ka sisteme që mund ta bëjnë këtë
gjë. A kemi operuar ne për këto?
Së dyti, ne kemi krijuar platformën “e-shërbime”, që është paketa më e madhe e
shërbimeve që ofron shteti dhe që po informatizohet, por informatizimi është një pjesë që e
ka krijuar dhe po përdor administrata. A e njeh individi këtë gjë? A kemi bërë ne
mjaftueshëm edukim për individin për këtë lloj shërbimesh që po ofrojmë? Në qoftë se një
individ nuk do t’i përdorë dot, se nuk di t’i përdorë, ne përsëri krijojmë një rrugë të re për
mundësi korrupsioni. Kështu, bashkë me këto shërbime që ne rrisim, a po mendojmë, nga ana
tjetër, që duhet të shtojmë edukimin e përdorimit të shërbimeve nga individi? Unë këto pyetje
kisha për të dyja zonjat ministre, të cilat, në fakt, e shteruan të gjithë çështjen për sa i përket
luftës që po bëhet aktualisht kundër korrupsionit.
Anila Denaj - Kjo është një vërejtje e drejtë dhe besoj se është edhe zëri i biznesit,
nëse do ta thoshte këtu. Kështu që unë ju falënderoj shumë për të dyja pyetet, në radhë të
parë, për task forcën. Në fakt, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka në vëmendje këtë
instrument për të monitoruar përpjekjen e luftës antiinformalitet. Në pamje të parë konteksti i
task forcës pas inspektimeve, sidomos pas të ashtuquajturës “hetim tatimor” është ajo që
krijon më shumë shqetësim. Ne jemi përpjekur që prej fillimit të vitit të kaluar të shkëputemi
nga konteksti i aksioneve dhe kemi vendosur në fokus jo inspektimet rutinë në bazë
gjeografike, por në bazë risku. Konteksti i matricës së riskut është një kontekst, i cili sot po
implementohet në të gjitha institucionet inspektuese dhe ne po përpiqemi që ta harmonizojmë
falë edhe një mbështetjeje që po na jep BERZH-i me një asistencë teknike. Kriteret që
përcaktojnë me risk një biznes te një inspektorat nuk mund të variojë shumë nga një
inspektorat tjetër, në mënyrë që të mos kemi inspektime të ndryshme nga inspektorate të
ndryshme për të njëjtit biznes brenda një periudhe kohe të caktuar. Ky është një proces që po
shikohet së brendshmi në kontekstin rregullativ, por edhe një herë e theksoj që bëhet në bazë
risku. Sigurisht, baza e riskut ka disa elemente, që kanë të bëjnë me historikun e mëparshëm
27
Page 28
dhe me mënyrën se si të dhënat në administratën tatimore lexohen në kontekst uljesh edhe për
sektorë, të cilët kanë tregues rritës të ekonomisë dhe faktorizojnë e përcaktojnë se cilat do të
jenë subjektet që do të inspektohen.
Unë dua të theksoj se edhe këtë vit (këtë nuk e lidh me sezonin turistik, sepse ne
jemi duke inspektuar në rajone të ndryshme për të eliminuar qasjen korruptive të ryshfetit) ne
kemi filluar të bëjmë një adresim të ndryshëm të kontrollit dhe inspektimit me ekipe në
kontekst task force, që janë pjesë e punës së planit operacional të tyre, ku këta persona, të
cilët administratat tatimore qendrore i përcakton në mënyrë të vazhdueshme, nuk janë nga i
njëjti qytet, por vijnë nga qytete të ndryshme. Sigurisht, një monitorues i biznesit është një
punonjës i administratës tatimore në këtë rast dhe nuk ka rëndësi se nga cili qytet vjen, por ne
kemi dashur të shkëpusim pak këtë lidhjen e menjëhershme. Megjithatë, edhe në verifikimet
që kemi bërë në fund të javës së kaluar kemi denoncime në raport me ryshfetin që u është
dhënë inspektorëve dhe që vjen nga të dyja palët, pra edhe inspektorët që flasin për biznesin,
por edhe biznesi që flet për inspektorët. Pra, ky fenomen vazhdon dhe nuk mund të themi se
është eliminuar. Nëse ne do të shkojmë drejt qasjes, që unë si ministre e Financave e kam
thënë edhe më parë, synoj që është përfundimi i të gjithë procesit të fiskalizimit që do të sjellë
paralelisht edhe një administratë tatimore më moderne me një nevojë për intelligence unit apo
njësi më inteligjente të përpunimit të të dhënave dhe informacionit të kryqëzuar ndërmjet të
dhënave që vijnë nga dogana dhe tatimet. Ne jemi duke punuar edhe në këtë aspekt, në
mënyrë që paralelisht me marrjen e informacionit të plotë dhe në kohë reale për të gjitha
marrëdhëniet, që unë përmenda pak më parë, të ketë një nevojë për një qasje të
menjëhershme për të ndryshuar administratën tatimore dhe doganore, sepse nuk është vetëm
njëra, por janë të dyja, ndaj informacioni duhet të jetë i kryqëzuar. Kështu që në këtë aspekt
unë besoj se frytet do t’i marrim për pak muaj, pasi nuk mund të them që të gjitha do të
bëhen këtë vit, sepse kërkojmë të fillojmë nga një sistemim informacioni, por në qasjen tonë
politikëbërëse matja e inspektimeve bëhet në matricë risku dhe jo në ad hoc. Kjo nuk do të
thotë se bizneset nuk janë vizituar nga persona, të cilët kanë deklaruar që kanë një plan pune
inspektimi dhe kur ne verifikuam nuk kanë qenë. Pra, fenomeni ndodh, por është e
nevojshme që këtë dialog ne ta intensifikojmë, denoncimin ta shtojmë dhe ne të marrim masa,
në mënyrë të menjëhershme dhe të punojmë paralelisht.
Në raport me sistemin online kam një koment të shkurtër.
Sigurisht sistemi online nuk është një proces, i cili do të sjellë vetëm
revolucionarizim në shërbime në raport me burokracinë, por është një element shumë i
28
Page 29
rëndësishëm edhe në raport me informimin që përpunohet ndërmjet administratave të
ndryshme, të cilat shpeshherë për tatimpaguesit ose për individët ka ekspozim për
informacione të ndryshme. Për shembull, siç e ka ISSH-ja informacionin, nuk e kanë tatimet
dhe shpesh ka situata kur informacioni duhet të kalojë në një komunikim ndërmjet dy
institucioneve për të vërtetuar në këtë rast personin që po pret të marrë pensionin dhe të mos
mendojë se kujt duhet t’i japë një ryshfet për këta katër muaj, që t’ia njohë apo të mos ia
njohë. Pra, sistemi duhet të filloj të funksionojë vetë. Kjo nënkupton që ne do të shkojmë
drejt arkivave elektronike dhe përpunimit të të dhënave, në mënyrë që databaze të krijohet
përpara se të shkojë tek individi. Pra, nuk është vetëm çështja e të qenit online, por edhe e
përputhshmërisë së databazave mes institucioneve për të realizuar një saktësim informacioni
dhe për të mos e ekspozuar personin në raportet me informacione dispropocionale, të cilat
bëjnë vulnerabël personin, edhe sportelistin dhe i shtyn drejt ryshfetit. Këto janë pjesë e
proceseve që sigurisht kemi embarguar dhe që duan edhe ato kohën e tyre.
Etilda Gjonaj – Shqetësimi juaj është shumë i drejtë, sepse ka qenë një ndër
problematikat që kemi hasur në momentin që do të ofroheshin shërbimet online. Për këtë
arsye, meqenëse shërbimet online filluan automatikisht më 1 janar, kemi marrë disa masa që
në çdo sportel në front office, ku ofrohet shërbimi për qytetarët, të ketë një periudhë
tranzitore, dy deri në tre muaj, ku çdo qytetar që paraqitet në sportel të orientohet se si ta bëjë
aplikimin online.
Pra, këta tre muaj tranzitorë do të shërbejnë për çdo qytetar që të pajiset me
informacionin e duhur, por njëkohësit të mos paraqitet më në sportel, sepse shërbimin e merr
nga shtëpia. Ne kemi ndaluar çdo lloj aplikimi në letër, pavarësisht se qytetari ka shkuar në
sportel, kjo është bërë për të ndihmuar dhe orientuar qytetarët se si mund të logohen dhe se si
të kërkojnë online për të aplikuar. Kjo ka qenë në të gjitha shërbimet, në të gjitha sportelet
dhe në çdo front office, ku ofrohet shërbimi online.
Faleminderit!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Taulant Balla – Po.
Ralf Gjoni – Dëgjova që u fol për raportin e indeksit të fundit për korrupsionin nga
Transparency International, që u përmend si nga kolegia Hajdari, ashtu edhe nga ministrja
Gjonaj. Unë mendoj se është mirë të bëjmë për publikun një pasqyrë të dekadave të fundit. Po
të shikojmë në vitet 2003 – 2004 përpara se Partia Demokratike të vinte në pushtet, pra në
qeverisjen e Partisë Socialiste, indeksi i korrupsionit ka qenë në nivelet më të ulëta të
29
Page 30
mundshme me 24 – 25 pikë. Ftoj kamerat që ta fokusojnë grafikun. Pra, kjo tregon qartë se
ku ka qenë dhe se si është rritur korrupsioni gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike
dhe si ka vazhduar të rritet edhe më shumë nga 2013 deri më sot.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ja mundi ta shikoni tabelën nga viti 2004, 2014 dhe 2019.
Deputet – Tabela nuk është e Transparency International.
Ralf Gjoni – Po, kjo është e Transparence Internacional.
Për sa i përket po Transparency International le të marrim vitet e fundit. Kjo nuk
është kritikë, por është konstatim.
Nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka një trend në rënie. Këtë e kam specifikisht për
ministren e Drejtësisë, zonjën Gjonaj. Në vitin 2014 kishte 33 pikë, në vitin 2015 kishte 36
pikë, në vitin 2016 kishte 39 pikë, në vitin 2017 kishte 38 pikë, në vitin 2018 kishte 36 pikë
dhe në vitin 2019 kemi 35 pikë, ndërkohë që Afrika Sub-Sahariane ka mesatarisht 32 pikë
dhe Bashkimi Europian ka 66 pikë. Pyetje ime nuk është për kritikë, por është konstruktive,
zonja Ministre, nuk e di nëse është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë apo në
kompetencën e një task force ndërinstitucionale të Këshillit të Ministrave, por a ka Këshilli i
Ministrave një plan për të parë me imtësi pikat problematike të raporteve të viteve të fundit të
Transparency International? Ne vërtet kemi raportet e Komisionit Europian, por për një
investitor të huaj serioz pika e parë e ndalesës nuk është Komisioni Europian, është raporti i
Transparency International. Pra, a ekziston një task forcë për të adresuar pikat e dobëta që ka
gjetur Transparence International, me qëllim të jemi të përgatitur për raportin e vitit 2020 që
të mos kemi 35 pikë, por të kemi 39, 40 e pse jo 45 pikë. Nuk është në interesin tonë as si
deputetë të opozitës që Shqipëria të përfaqësohet me pikë kaq të vogla në botë, sepse
investimet nuk janë vetëm për qeverinë, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne kemi interes
që ta rrisim klimën e besimit, por klima e besimit të një investitori të huaj bazohet
fatkeqësisht mbi perceptimet e raporteve ndërkombëtare. Por ne nuk kemi nevojë fare për
raportet ndërkombëtare dhe as për përfaqësues ndërkombëtar, sepse ne e dimë më mirë se
ndërkombëtarët se çfarë problemi dhe çfarë halli na ka zënë ne si vend me korrupsionin dhe
me praktikat korruptive.
Zonja Gjonaj, a ka një task forcë apo një vend ku adresohen këto pika? Nëse nuk ka
a do ishte mirë që Këshilli i Ministrave të ngrinte një grup pune dhe t’i adresonim, ndoshta
për një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional, me qëllim rritjen e pikëve për vitin që
vjen?
30
Page 31
Faleminderit!
Etilda Gjonaj – Zoti Gjoni, unë e përmenda edhe në diskutimin tim, që Ministria e
Drejtësisë tashmë ka një drejtori specifike për luftën kundër korrupsionit, e cila merret me
pjesën e politikave, me pjesën e masave dhe me pjesën e masave represive, duke asistuar me
task forcë antikorrupsion. Kjo drejtori ka një strukturë të posaçme dhe ka në kompetencë
analizimin e raporteve ndërkombëtare. Kjo analizë nuk është bërë vetëm këtë vit, duke u
finalizuar me gjetjen e pikave të dobëta, ashtu siç thatë ju, dhe duke adresuar rekomandimet
specifike se ku duhet të jemi më të kujdesshëm, por edhe vitin e kaluar është bërë një analizë
shumë e detajuar duke marrë çdo element që ka përmendur Transparency International dhe
kujt i referohet për të marrë informacionin.
Problemi nuk lidhet detyrimisht me perceptimin, me masat që merr qeveria apo me
probleme të fenomenit të korrupsionit, por lidhet edhe me një sërë elementesh të tjera, për
shembull, burimet e raportit të Transparency International janë raportet lidhur me sistemin e
drejtësisë, të Freedom House apo Doing Busines. Po të shikoni të dhënat e tyre, që ju iu
referuat, ku ne kemi bërë krahasim me rajonin dhe me vendet e tjera, Shqipëria në vitin 2016
ka një rënie të vogël të pikëve, që do të thotë se ka ndikuar automatikisht jo vetëm situata
politike, por edhe fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi, në atë kohë kur ne kemi folur më
shumë për korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Pra këto analiza janë shumë komplekse dhe
nuk mund të merren vetëm me një tregues.
Patjetër që ne do të nxjerrim mësimet dhe rekomandimet tona për secilën nga
problematikat që ka trajtuar Transparency International dhe jo vetëm, për ta bërë pjesë të
politikave dhe masave konkrete. Por është shumë komplekse për të krahasuar vetëm shifrat.
Për hir të së vërtetës, pavarësisht se edhe unë i kam shifrat që nga viti 2006 deri në vitin
2019, është e vërtetë që viti më i mirë i Shqipërisë ka qenë viti 2016 ku ka marrë edhe pikët
më të larta, pra 39.
Po të krahasojmë këtë vit Shqipërinë me Maqedoninë ne kemi të njëjtën sasi pikësh,
pra me 35 pikë. Kjo nuk do të thotë se ka një ndikim negativ në zbatimin e rekomandimeve
dhe të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, pra janë elemente të tjera që kanë
ndikuar negativisht për këtë indikator.
Po të doni unë mund t’ju sjell një analizë të qartë, duke i analizuar element për
element. Mbase nuk është tryeza sot për t’ju lodhur, por është një nga çështjet me
problematika që ne i kemi në vëmendjen kryesore.
Faleminderit!
31
Page 32
Deputete – Dua të bëj edhe një plotësim. Ka edhe instrumente të tjera që ekzistojnë
dhe jo më larg se para një viti e gjysmë ne kemi pasur bashkëpunim me disa nga institucionet
shtetërore në një udhëtim studimor tek OECD-ja, dhe është deklarata e investimeve pro
OECD-së, ku kemi kërkuar që edhe Shqipëria të aderojë në këtë deklaratë. Në momentin që
Shqipëria aderon, atëherë është e detyruar të krijojë atë që quhet pika e kontaktit për
Shqipërinë.
Me sa di unë, jemi duke e vlerësuar si mundësi. Por kjo u jep një mekanizëm shumë
të mirë investitorëve të huaj për të plotësuar një listë kriteresh, të cilat janë në përputhje me
konventën e OECD-së, por edhe me ONTAK-un. Pra ka edhe mekanizma të tjerë përtej
vlerësimit të Transparency International.
Taulant Balla – A ka pyetje të tjera? Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve që jeni
prezent, duke rishprehur edhe një herë ndjesën time për të qenë më efikas lidhur me kohën
dhe mënyrën e adresimit të çështjeve, sepse kur flitet për korrupsionin duhet t’i lëmë
leksionet e të kalojmë te veprat dhe në raportimin e veprave.
Ajo që ministret Gjonaj dhe Denaj bëjnë në mënyrë të përditshme dhe të përjavshme
është një raport i përditësuar. Ministrja e Drejtësisë është koordinatore kombëtare e
strategjisë sonë kundër korrupsionit.
Numri i zyrtarëve të kallëzuar nga Ministria e Drejtësisë apo institucione të tjera të
qeverisë në tri vjetët e fundit është shumë i madh. Kjo nuk do të thotë që numri është i madh,
sepse është rritur korrupsioni, por që është rritur forca goditëse, sepse ata aty ka qenë.
Ne shqiptarët kemi një sjellje sikur ne do të shpikim rrotën, ndërkohë që rrota është
po aq e vjetër sa edhe njerëzimi, dhe strategjitë e përdorura në vende të tjera janë efikase dhe
ne po i përdorim. Duhet të them se digjitalizimi, ajo që po bëhet nga qeveria, është një prej
ilaçeve më të mira në vendet e tjera. Pra sa më pak të shkurtojmë kontaktin e drejtpërdrejtë të
zyrtarit me qytetarin, duke i digjitalizuar ato, aq më shumë rritet efikasiteti në luftën kundër
korrupsionit. Po të shkojë qytetari te zyrtari, ai i thotë eja të pimë një kafe dhe kjo është e
njëjta histori 30-vjeçare. Pra, janë rreth 450 shërbime të digjitalizuara duke shmangur këtë
lloj kontakti. Unë jam shumë i bindur që viti 2020 do të mbahet mend, përveç objektivit tonë
kryesor të rindërtimit, pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, për
pjesën e digjitalizimit dhe ristrukturimit të shërbimeve në kuadër të teknologjisë dhe mendoj
që do të jetë një prej ilaçeve të kimioterapisë intensive që ne kemi ndërmarrë kundër
korrupsionit gjatë këtij viti.
Faleminderit, të gjithëve për kontributet!
32
Page 33
Nëse dikush ka ndonjë material që kishte dëshirë ta prezantonte, por nga koha e
paktë në dispozicion nuk mundi, i lutem, sipas traditës së këtij Këshilli Kombëtar ta
depozitojë, sepse janë materiale shumë të vyera në adresimin të Kuvendit për punën tonë. Ne
paguhemi nga qytetarët për të bërë ligje, por ligjet bëhen duke reflektuar mbi propozimet që
vijnë nga ata që merren çdo ditë. Për këtë dua ta falënderoj qendrën tuaj për kontributin,
sepse pa shoqërinë civile kjo është një betejë që nuk mund të fitohet.
Faleminderit të gjithëve!
MBYLLET MBLEDHJA
33