Page 1
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
KËSHILLI KOMBËTAR I INTEGRIMIT EUROPIAN
PROCESVERBAL
Tiranë, më 06.05.2016, ora 12:30-13:20
Drejton mbledhjen:
Majlinda Bregu – kryetare e Këshillit
Rendi i ditës:
Diskutim rreth rëndësisë së përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e integrimit.
Marrin pjesë:
Majlinda Bregu, Taulant Balla, Eduard Shalsi, Arta Dade, Monika Kryemadhi,
Alfred Peza, Eralda Çani (anëtare zëvendësuese), Besnik Dervishi, Ilda Zhulali, Gjergji
Vurmo, Fatmir Mediu, Pranvera Strakosha, Altin Shumeli, Enkelejda Hebibasi, Ilva Tare,
Kol Nikollaj, Helena Papa (anëtare zëvendësuese), Klodjan Seferaj, Zana Vokopola, Mona
Xhexhaj (anëtare zëvendësuese), Nikolin Jaka, Arben Shkodra, Edmond Cane (anëtar
zëvendësues), Lorisa Ylli (anëtare zëvendësuese) dhe Claudia Vollmer.
Mungojnë:
Klajda Gjosha, Odeta Barbullushi, Gramoz Ruçi, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Oerd
Bylykbashi, Edi Paloka, Genc Pollo, Flamur Noka, Ridvan Bode, Fatmir Xhafaj, Spartak
Braho, Shpëtim Idrizi, Erion Braçe, Genc Ruli, Klodiana Spahiu, Vasil S. Tole, Irma Baraku,
Igli Totozani, Alba Çela, Shkëlqim Ganaj, Gledis Gjipali, Edith Harxhi, Anila Basha,
Adriatik Llalla dhe zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Të ftuar:
Romana Vlahutin – ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri
Yesim Oruc – drejtoreshë e Përgjithshme e PNUD-it në Shqipëri
Albana Shtylla – sekretare e Përgjithshme e Kuvendit
Andi Dobrushi – drejtor ekzekutiv i fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”
Elda Kalaja – përfaqësuese e shoqërisë civile
Page 2
2
HAPET MBLEDHJA
Majlinda Bregu – Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se keni ardhur!
Një vit më parë, po gjatë javës së Europës, u krijua Këshilli Kombëtar i Integrimit
Europian. Ky këshill u iniciua si një rekomandim i Dialogut të Nivelit të Lartë për ngritjen e
një strukture gjithëpërfshirëse për integrimin europian, e cila do të garantonte zhvillimin e një
dialogu politik, konstruktiv dhe të qëndrueshëm, por, mbi të gjitha, do të garantonte
gjithëpërfshirjen në realizimin e reformave dhe të detyrimeve të anëtarësimit, si dhe do të
kanalizonte një proces me gjithë ekspertizën e shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, të
medies dhe botës akademike.
Nuk jam e sigurt se kemi arritur të nxisim më shumë debat për integrimin europian
të Shqipërisë këtë vit apo se qeveria ka arritur t’i marrë parasysh më shumë ato që kemi
diskutuar gjatë mbledhjeve dhe takimeve tona në këtë Këshill. Është e sigurt që ky vit ka
qenë plot me ngjarje europiane, në të mira e në të këqija: nga aktet terroriste në Francë, në
Bruksel, kriza e azilkërkuesve, dalja ose jo e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian,
kriza politike e vendeve fqinje me ne deri te lajmet pozitive, së fundi, liberalizimi i vizave me
Kosovën, pa harruar edhe lajmin e mirë të futbollit. Por, gjithsesi, mos prisni që t’ju hap
kokën sot duke numëruar sa mbledhje të suksesshme kemi zhvilluar gjatë këtij viti apo se cili
është inventari i komunikimeve zyrtare shkresore mes këtij Këshilli dhe qeverisë, të cilat
besoj se, për herë të parë, kemi arritur t’i mbajmë larg vëmendjes së medies, një element ky
për t’u vlerësuar, të paktën shmangim kështu edhe keqkuptimet medietike. Madje, mos prisni
as të numëroj sa miq, kolegë dhe zyrtarë të BE-së kanë adresuar mesazhet e tyre gjatë këtij
viti në Këshillin Kombëtar apo sa herë kemi diskutuar, jemi kuptuar ose jo me njëri-tjetrin,
kush është ndjerë keq nga informacioni i çalë i përcjellë në këtë Këshill apo kush e ka marrë
thjesht si zbatim dhe plotësim të detyrimeve të tij. Në fakt, nuk kam numëruar as sa herë
ambasadorja e BE-së në Tiranë, zonja Vlahutin, ka qenë prezente në këtë forum, por më
lejoni ta falënderoj për mbështetjen, mirëkuptimin dhe durimin e saj gjatë këtij viti.
E di që Romana vetë do të kishte dashur të ishte më e padukshme dhe të bënte atë
punë që bëjnë të gjithë ambasadorët e tjerë në përditshmërinë e tyre, por këtë besoj se e do ta
bëjë pas miratimit të reformës në drejtësi. Kam frikë se deri atëherë nuk do të gjejë qetësi, siç
nuk mund të jetë i qetë asnjëri prej nesh. Për sa kohë na duhen ambasadorët dhe miqtë
nga jashtë që të na kujtojnë çdo ditë se kur ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, atëherë nuk
ka shtet ligjor; kur lufta kundër varfërisë, pabarazisë, korrupsionit, situatës së dobët
ekonomike dhe sociale, papunësisë, emigrimit, krimit të organizuar, shitblerjes së votës,
abuzimit me pronën nuk mjafton, atëherë standardet europiane nuk quhen të arrira. Për sa
Page 3
3
kohë na duhen ndërkombëtarët me rezoluta, raporte, këshilla, gjuhë diplomatike ose jo për të
na kujtuar përgjegjësinë tonë, për të na dhënë mend dhe për të qenë si shkesë të politikës
shqiptare, për fat të keq, ne përsëri si të trallisur politikisht do të ngjasojmë para të gjithëve.
Thënë këtë, po shtoj edhe dy fjalë për kryetitullin e reformave tona integruese,
kryesisht atë të drejtësisë.
Personalisht nuk kam menduar asnjëherë se reforma në drejtësi do të ishte e lehtë,
përkundrazi, e kam menduar si një gur të rëndë ose më të rëndin, të cilin duhet ta ngremë për
të hapur rrugën dhe për të vazhduar të ecim përpara.
Jo për faj të brezit tim, shumë kohë ka kaluar gabim dhe trishtueshëm për shqiptarët
në rrugën e tyre drejt mbërritjes së pashmangshme, në Europë. Por sjellja jonë, si figurantë
politikë të paaftë dhe pa vullnet për ta lëvizur këtë gur, rrezikon të na bëjë me më shumë faj
se ata që e bllokuan Shqipërinë për një gjysmë shekulli, sepse do të thotë që ne përfundimisht
jemi përshtatur me të keqen dhe na pëlqen vetëndëshkimi.
Dy shifra përputhen, si rrallëherë, me dy sondazhe të ndryshme në Shqipëri:
mbështetja pro europiane dhe ajo për reformën në drejtësi. Kush nuk e kupton dhe nuk e
lexon dot këtë, po të ishte gjallë Konica do të thoshte: “E ka ngase e merr kufirin e mendjes
së tij për kufirin e botës”. Ndaj, për të mos shkarë në këtë rrugë të demokracive tona naive
dhe pak përmbajtësore, garancia më e fortë që na duhet të gjithëve duhet të kalojë patjetër
përmes Europës.
Modestish, me këtë parim, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian do të kryejë dhe
do të forcojë rolin dhe misionin e tij, duke nisur së shpejti edhe me një sërë aktivitetesh në
rrethe të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim rritjen e informimit të grupeve të interesit për
procesin e integrimit dhe nxitjen e përfshirjes aktive të tyre në këtë proces.
Duke qenë të ndërgjegjshëm se gjithëpërfshirja është çelësi i suksesit të reformave që
lidhen me anëtarësimin në BE, kjo do të jetë në vëmendjen tonë kryesore, me qëllim
promovimin dhe rritjen e përfshirjes së shoqërisë civile dhe të aktorëve të tjerë në proces,
nëpërmjet forcimit të kapaciteteve në çështjet e integrimit europian.
Vitin e kaluar, në takimin e parë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, kam
theksuar si qëllim madhor forcimin e mëtejshëm të rolit të shoqërisë civile dhe aktorëve të
tjerë të interesuar në çështjet e integrimit europian, duke siguruar vazhdimësinë e angazhimit
të tyre në këtë proces.
Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju se, në bashkëpunim me partnerë shumë të
rëndësishëm, si: delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, Kolegji i Europës në Bryzh,
SOROS dhe me mbështetjen e UN-it në Shqipëri, ne do të bëjmë realitet, për herë të parë këtë
vit, shkollën verore për çështjet e integrimit europian, duke shpresuar që kështu do të nisim
Page 4
4
një organizim apo një lloj testi pilot për të vendosur dhe institucionalizuar atë që vitin e
kaluar e kemi shprehur me shumë dëshirë nga ky forum, krijimin e një akademie europiane
në nivel rajonal, e cila do të ofrojë ekspertizë për të gjithë aktorët në procesin e integrimit
europian, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, politikanët e rinj, përfaqësues të
vetëqeverisjes vendore, të biznesit, të medies dhe të gjithë ata që duan të kontribuojnë realisht
në këtë proces të Shqipërisë.
Besoj se ky është lajmi më i mirë ose arritja më e spikatur në këtë një vit të Këshillit
Kombëtar të Integrimit Europian .
Duke shpresuar shumë që kjo shkollë verore do të sjellë një qasje të re dhe të
unifikuar për trajnime gjithëpërfshirëse në procesin e integrimit europian, jo vetëm duke
nxitur përfshirjen e mëtejshme të shoqërisë civile në procesin e integrimit dhe në
vendimmarrje, por duke forcuar edhe kapacitetet e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë
proces, të gjitha detyrimet dhe sfidat që përfshin procesi i anëtarësimit, si dhe duke
identifikuar aktorët dhe personat më të spikatur jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe grupet
e interesit, të cilët do të kenë mundësi të përfshihen në analiza dhe vlerësime për procesin e
integrimit, kemi mundësi t’i hapim rrugë për të ndërtuar bazën për ngritjen dhe aftësimin e
grupit negociator të Shqipërisë.
Ky grup negociator, pavarësisht se ne e ndajmë gjithmonë mendimin se duhet të ishte
gati, tashmë i formësuar, por, mbi të gjitha, ka rëndësi të jetë një grup i arrirë, i cili do të
kryejë negociatat e Shqipërisë kurdo dhe kudo të ndodhë, nuk do të jetë kohë e humbur nëse
fillojmë menjëherë.
Besoj se edhe shkolla e verës është një element, që do t’i lehtësojë këto përpjekje,
duke forcuar kapacitetet e të gjithëve, si dhe duke ofruar realisht një mundësi të aftësimit të të
gjithë aktorëve që merren me këtë proces.
Ndaj, thënë këtë dhe duke ju falënderuar të gjithëve për kontributin tuaj gjatë këtij
viti, më lejoni të falënderoj, sigurisht në emër të Këshillit, kryesisht ata që kanë qenë me ne
më shumë prezent sesa të tjerët në mbledhjet e këtij këshilli: kryesisht përfaqësuesit e
shoqërisë civile, të dhomave të biznesit, të medies dhe institucioneve të pavarura, kolegët e
mi nga parlamenti, të cilët, në fakt, jo të gjithë kanë qenë gjithmonë pjesëmarrës në këto
takime, por e mirëkuptoj edhe këmbënguljen e tyre për të qenë anëtarë të Këshillit Kombëtar
të Integrimit Europian, sikurse mundohem të mirëkuptoj edhe mungesën e tyre herë pas here
në këto takime!
Më lejoni tani t’ia kaloj fjalën ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, zonjës
Romana Vlahutin, duke falënderuar edhe një herë delegacionin për të gjitha vuajtjet që kanë
kaluar bashkë me ne në procesin e integrimit europian të Shqipërisë!
Page 5
5
Romana Vlahutin – Faleminderit shumë!
Kam këtu përpara në listë me shumë gjëra, si, për shembull: të dashur kështu e ashtu,
por, në fakt, dëshiroj të them të dashur miq, nuk po përmend shkëlqesi e të tjerë, por thjesht
miq.
Në fakt, ky set-up që kemi këtu, pra pikërisht ky modalitet është i njohur për të gjithë
ne. Pra, kjo tryezë e rrumbullakët apo ky katror tek i cili ne jemi ulur, është shumë i
rëndësishëm, pasi unë mendoj se na vlen të gjithëve ne që të jemi të sinqertë dhe të hapur me
njëri-tjetrin, por edhe si miq, për të diskutuar për të gjithë ato çështje të rëndësishme për të
ardhmen e Shqipërisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian.
Në fakt, në këtë takim kam ardhur pas një takimi tjetër që kam pasur, i cili është
ndoshta edhe takimi më i rëndësishëm që kam bërë në Shqipëri që kur kam ardhur këtu si
ambasadore e BE-së. Nuk ishte një takim me udhëheqës partish, nuk ishte një takim me
njerëz ekzekutivë e të tjerë, por një takim apo një mbledhje, të themi, me të rinjtë shqiptarë.
Ishte një takim shumë i rëndësishëm, që na solli edhe emocione. Një gjë që dua t’ju them, që
më rezultoi nga ai takim është se të rinjtë shqiptarë, pra fëmijët tuaj, kanë nevojë për ju. Unë
do të thosha që fëmijët tuaj kanë nevojë që ju të merrni vendime të guximshme, kurajoze,
vendime të qarta, të cilat e çojnë vendin tuaj aty ku ai duhet të jetë. Ky ishte një grup
fëmijësh, të rinjsh shqiptarë, të cilët kanë lindur në kohën e lirisë së Shqipërisë, por as unë
dhe as ata nuk ishim të sigurt nëse, ata në fakt, e ndiejnë vërtet këtë liri në kuptimin e vërtetë
të saj dhe unë vërtet mendoj që kjo është përgjegjësia juaj më e madhe që keni për fëmijët
tuaj.
Procesi i aderimit apo i anëtarësimit në BE është një proces politik dhe është një
zgjedhje politike, por megjithatë ka çaste kur ju duhet të largoheni nga këto momente
politike, sepse suksesi i procesit ka të bëjë pikërisht me politika të shëndetshme, me reforma
të thella, ku disa prej tyre nuk kanë të bëjnë fare me pjesën politike. Është pikërisht politika e
përditshme për të cilën e pata fjalën, sepse po flasim për politika të shëndetshme, por ama për
këto politika të shëndetshme duhen shumë dije, njohuri dhe dialog. Kjo është arsyeja pse ne
jemi këtu, në mbështetje edhe të këtij këshilli, edhe të shkollës verore, sepse ka një dallim
shumë të madh ndërmjet politikave dhe politikës: për çështjen e politikave kërkohet një
angazhim vërtet afatgjatë i të gjitha segmenteve të shoqërisë. Pra, duhet një shoqëri, e cila ka
vërtet njohuri të mira të proceseve të ndryshme dhe që, gjithashtu, dinë sesi t’i trajtojë ato.
Duhen njohuri për të monitoruar zbatimin, duhen njohuri për të monitoruar
ndryshimet dhe interesat e ndryshme që ekzistojnë, pra çdo gjë në të gjithë hapësirën e vet,
dhe dialogu është thelbësor.
Page 6
6
Do të thosha që shumë nga problemet, me të cilat ne jemi përballur në rrugëtimin
tonë të reformave, fatkeqësisht kanë të bëjnë me mungesën e dialogut, kryesisht me
mungesën e dialogut politik, por edhe të dialogut të klasës politike me qytetarët e vendit.
Procesi i integrimit europian është, në fakt, një proces i cili e ndryshon, e
transformon shoqërinë dhe për këtë kërkohen përpjekjet e të gjithëve: nga ju, që ju ka
zgjedhur populli në këtë tryezë, nga ata që punojnë në administratën publike, nga gazetarët
dhe nga shoqëria civile. Të gjithë ju jepni kontributin tuaj duke hartuar, duke monitoruar dhe
duke kërkuar që të bëhen të gjitha këto procese politikash dhe reformash. Ndaj, le t’i
përdorim ne aftësitë e të gjithëve që, me anën e shkollës verore të Europës, të përdorim
potencialin që kemi për të fuqizuar më tej ekspertizën tonë, por edhe për të ndërtuar rrjete të
ndryshme për procesin e integrimit europian jo vetëm brenda për brenda Shqipërisë, por edhe
me vendet e tjera të rajonit, si dhe me shtete, anëtare të Bashkimit Europian.
Ne jemi shumë të kënaqur, pikërisht, me vendosmërinë dhe angazhimin e këtij
këshilli, ndaj do të vazhdojmë t’ju japim mbështetjen tonë edhe në të ardhmen.
Shpresoj vërtet që reforma në drejtësi të miratohet së shpejti, sepse me anën e
miratimit të reformës, si dhe në bazë të historisë së zbatimit të saj, atëherë Shqipëria do të
ketë vërtet mundësinë që Komisioni Europian të japë një rekomandim pozitiv për çeljen e
negociatave.
Për fat të keq, Shqipëria ka humbur shumë mundësi, shumë shanse për sa i përket
ndërtimit të shtetit, modernizimit të vendit, kjo sidomos në shekullin e XX-të, dhe kjo nuk ka
qenë zgjedhje juaja. Por ama ky moment, kjo punë që është bërë duhet vazhduar dhe tashmë
kjo është zgjedhje juaja.
Ne jemi këtu, siç e dini edhe ju, për t’ju mbështetur me anën e përvojës sonë, me
anën e ekspertizës sonë, si dhe me fondet tona. Ne jemi me të vërtetë të interesuar për
Shqipërinë dhe besoj se të gjithë ju e dini që nuk jeni të vetëm në këtë rrugëtim të Shqipërisë
drejt Bashkimit Europian. Ne do ta bëjmë bashkë këtë punë; ne nuk do të heqim dorë; ne nuk
do të lodhemi; ne nuk do ta humbasim durimin, por ama nuk mund ta bëjmë ne këtë, në vend
që ta bëni ju!
Faleminderit shumë për mundësinë që të takohesha sërish me ju sot!
Siç e thashë, keni mbështetjen tonë të plotë, shkolla ka mbështetjen tonë të plotë, ndaj
le të përpiqemi të bëjmë një punë sa më të mirë të mundshme për të rinjtë, në veçanti për ata
të rinj që takova përpara dy orësh.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zonja Vlahutin!
Page 7
7
Është e sigurt, në fakt, që ky proces ka nevojë, më shumë se çdo gjë tjetër, për
pronësinë tonë, Pra, ne nuk mund të presim që dikush të shpikë mekanizmin sesi të na e sjellë
demokracinë nga jashtë dhe as sesi ta konsolidojë në vendin tonë së brendshmi.
Unë shpresoj shumë, madje kjo ka qenë arsyeja pse vjet, pas një diskutimi, të gjithëve
bashkë na pëlqeu ideja për të krijuar një mekanizëm, ku të diskutonim dhe kryesisht të kishte
mundësi për të rinjtë, ata që janë sot 18-20 vjeç, të cilët nesër, kur të jemi anëtarë të
Bashkimit Europian, do të jenë ndoshta 30 vjeç. Askush nuk e di se sa e gjatë do të jetë rruga,
por nuk do të jetë e shkurtër dhe kjo është e sigurt. E rëndësishme është që procesi të mos
mbetet në vend dhe të ketë mundësi të ketë një perspektivë të qartë dhe për këtë duhet
përfshirja e të gjithëve.
Do t’ia kaloj fjalën tani zotit Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit
“Shoqëria e hapur për Shqipërinë”, duke e falënderuar për mbështetjen që ka treguar që në
krye të herës për idenë tonë, për ta bërë më të prekshëm procesin e integrimit europian për të
rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm!
Andi Dobrushi – Faleminderit, Majlinda!
E nderuara zonja Vlahutin,
Të nderuar pjesëmarrës,
Po dal disi jashtë temës së prezantimit. Më tërhoqi vëmendjen këtu kryqëzimi i dy
çështjeve të rëndësishme, i reformës në drejtësi dhe i procesit të integrimit, të dyja këto të
shprehura me një miratim të jashtëzakonshëm të opinionit publik (i kalon shifrat e 80%-shit),
çka dëshmon që vullneti, të cilin shpeshherë e quajmë “vullneti i munguar nga poshtë”, është
i madh, por nuk po përkthehet në një vullnet politik. Prandaj mendoj se kjo është salla e
duhur për t’iu drejtuar edhe një herë politikës, me bindjen më të plotë që ky është momenti
vendimtar për të dëshmuar se me të vërtetë ato kujdesen për sentimentin popullor, me të
vërtetë ato e marrin parasysh këtë ndjenjë popullore për këto reforma kaq të rëndësishme. Kjo
bëhet jo për arsye të karotës dhe të shkopit të integrimit europian, por për arsye të mirëqenies
dhe të së ardhmes së fëmijëve, siç e përmendi ambasadorja. Mendoj se kjo është gjëja më e
rëndësishme. Në qoftë se kjo vetëdije nuk është formuar tani, besoj se nuk ka për t’u formuar
ndonjëherë në historinë e këtij vendi.
Gjithsesi, unë do të doja ta falënderoja edhe një herë zonjën Majlinda, sepse na ka
krijuar një mundësi bashkëpunimi, e cila po konkretizohet jo vetëm në raport me shkollën
verore, por edhe me nisma të tjera, të cilat ne i kemi marrë kaherë. Këtu do të përmendja edhe
ndryshimin e ligjit “Për punën e Kuvendit” në raport me procesin e integrimit europian, i cili,
pavarësisht modelit të tij përfundimtar, të miratuar, rezultoi me krijimin e Këshillit Kombëtar
të Integrimit Europian.
Page 8
8
Pa dyshim, dy vjetët e fundit kanë shënuar edhe një seri nismash pozitive në aspektin
ligjor dhe institucional, ku, midis të tjerave, do të përmendja këtu ligjin “Për të drejtën e
informimit”, ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, udhërrëfyesin “Për hartimin e
politikës dhe masave për mjedisin mundësues dhe zhvillimin e shoqërisë civile”, si dhe
krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku jemi mbledhur të gjithë sot.
Gjithsesi, ajo që unë dua të theksoj është se, pavarësisht të gjitha këtyre ndryshimeve ligjore,
përfshirja e shoqërisë civile (dhe këtu me “shoqëri civile” nuk flas vetëm për organizatën, por
për të gjithë aktorët përtej politikës në Shqipëri), dhe konsultimi karakterizohen ende nga një
mungesë dialogu kuptimplotë dhe efektiv.
Fondacioni ka një histori të gjatë në raport me mbështetjen e procesit të integrimit, e
cila i ka fillesat e saj që nga viti 2005, është mbështetje që është komplementuar besoj me
mbështetjen e reformës më të rëndësishme, asaj në drejtësi. Kemi një vit e gjysmë prapa
parlamentit në mbështetje të plotë të gjithë procesit të reformës dhe shpresojmë që këto dy
procese, që janë komplementare të njëra-tjetrës, të arrijnë të konkludohen sa më pozitivisht,
siç e përmenda edhe më herët, gjithmonë në të mirën e qytetarit.
Shqipëria mbetet, pa dyshim, një vend i karakterizuar nga një ambient politik
kompleks dhe për këtë arsye, forcimi i rolit të Kuvendit mbetet shumë i rëndësishëm.
Në rrugëtimin drejt integrimit këshilli mund të mundësojë nxitjen dhe garantimin e
bashkëpunimit gjithëpërfshirës nëpërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe
shoqërisë civile, si dhe rritjen e transparencës (e theksoj këtë) në vendimmarrjet për çështjet
e integrimit.
Shqipëria, siç e përmenda, edhe pse ka një mbështetje qytetare në më shumë se 80%
për procesin e integrimit të vendit, çalon në përfshirjen në këtë proces të popullatës, të
njerëzve të interesuar, të publikut në përgjithësi.
Ekspertiza ndërkombëtare jashtë administratës lë, gjithashtu, shumë për të dëshiruar
dhe kjo, duke parë edhe dinamikat që ka procesi i anëtarësimit, kërkon një angazhim sa më të
hershëm të shoqërisë civile në procesin e informimit, konsultimeve, monitorimit dhe zbatimit
të kritereve dhe të reformave jetësore për integrimin sa më të shpejtë të vendit.
Ajo që dua të theksoj është që ky proces nuk duhet të jetë një proces proform, një
proces për hir të procesit, por një proces që siç e thashë, të përkthehet në një angazhim
konkret të shoqërisë civile, por nga ana tjetër, edhe në një angazhim xhenuin të politikës.
Dua të sjell këtu përvojën e vendeve të tjera anëtare të mëparshme kandidate, si
Kroacia, që kanë treguar se një nga përparësitë e procesit të bisedimeve për anëtarësim, është
qasja dhe struktura e gjerë e negocimit, me pjesëmarrjen e shoqërisë civile në të gjitha fushat.
Në Kroaci dhe në Mal të Zi rreth një e treta e angazhuar e ekspertëve në grupet e punës për
Page 9
9
përgatitjen e negociatave, vijnë nga shoqëria civile. Përfshirja e shoqërisë civile është edhe
më kuptimplotë për vende të vogla, si puna e Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, ku
kapacitetet administrative janë të kufizuara. Kjo, pasi siguron një legjitimitet më të madh dhe
një mbështetje më të gjerë për reformat, që duhet të ndërmerren. Në këtë kuadër, padyshim,
fondacioni e ka vlerësuar si prioritet dhe do të mbështesë nismën e Këshillit Kombëtar të
Integrimit Europian për organizimin e një shkolle verore mbi integrimin europian, e cila do të
fuqizojë edhe rolin e shoqërisë civile në çështjet e integrimit.
Ashtu siç e përmendi edhe zonja Majlinda, zhvillimi i kësaj shkolle do të sjellë një
qasje të re, e cila do t’i shërbejë jo vetëm identifikimit të ekspertëve të spikatur nga shoqëria
civile, por edhe forcimit të kapaciteteve të tyre teknike dhe krijimit të një rrjeti
bashkëpunëtorësh, të cilët do të mund të përfshihen më pas në procesin e bisedimeve për
anëtarësim.
Në mbyllje të fjalës, meqë reforma e drejtësisë është kryefjala e ditës, më lejoni të
sjell në vëmendjen tuaj edhe nismën e fundit civile pro reformës në drejtësi dhe ju ftoj të
bëheni pjesë e saj, duke e nënshkruar dhe duke iu bashkëngjitur.
Miratimi dhe rëndësia e kësaj reforme lidhet jo vetëm thjesht me rrugëtimin tonë për
në BE, por është një prioritet që gëzon mbështetjen e më shumë se 90% të qytetarëve
shqiptarë.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Dobrushi!
Faleminderit, edhe për mbështetjen!
Para disa ditësh kemi zhvilluar bashkë me zotin Balla, në cilësinë e kryetarit dhe
zëvendëskryetarit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, një mëngjes të gjatë pune me
agjencitë e UN-it në Shqipëri, me qëllimin e thjeshtë për të prezantuar dhe duke menduar se
sigurisht, proceset nuk janë të ndara, sepse pjesë e zhvillimit të shoqërisë dhe sidomos pjesë e
ngritjes së kapaciteteve të shoqërisë shqiptare, ka pikëprerje, ka lidhje dhe ecën paralel me
proceset e integrimit europian. Ndaj nuk shoh se ka ndonjë rivalitet mes agjencive të UN-it,
BE-së, Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe organizatave të tjera, që janë vendosur në
Shqipëri.
Edhe për një arsye të thjeshtë, sigurisht, kishim nevojë për të prezantuar edhe idenë e
Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe të shkollës së verës, por edhe sepse mendoj se një nga
prioritetet kryesore, që do të jetë një nga modulet bazë edhe të kësaj shkolle, ka të bëjë
pikërisht me pushtetin lokal. Shqipëria ka kaluar së fundi (vjet), një reformë të ndryshueshme
territoriale, gjë që do të thotë që sot organizimi i ri dhe bashkitë kanë nevojë imediate për t’u
trajnuar dhe për të rritur kapacitetet, sidomos kur vjen fjala për thithjen e fondeve të BE-së,
Page 10
10
por, njëkohësisht, edhe për të pasur një punë sa më dinjitoze dhe sa më efikase në
përditshmërinë e tyre, pasi janë kontakti i parë me qytetarët.
Në këtë takim kemi marrë një mbështetje të plotë, jo vetëm për përfshirjen në këtë
ide të parë të shkollës së verës, por edhe për aktivitetet që Këshilli Kombëtar i Integrimit do
të zhvillojë në mbarë Shqipërinë nga agjencitë e UN-it.
Ndaj unë do t’ia kaloj fjalën zonjës Yesim Oruc, e cila është drejtore, përfaqësuese e
UNDP-së në Shqipëri, duke e falënderuar edhe një herë për diskutimin e frytshëm që patëm
të gjithë atë mëngjes!
Yesim Oruc – (Flet anglisht).
Fioralba Shkodra – Unë do ta përkthej shumë shkurtimisht. Zonja është drejtore e
UNDP-së, siç e tha edhe zonja Bregu.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Atëherë, nuk po e përkthej.
Pra, ne, si agjenci e UN-it, patëm kënaqësinë e zhvillimit të një dialogu me Këshillin
Kombëtar të Integrimit, javën e kaluar. Ndërkohë, kemi një angazhim konkret për t’ju
mbështetur jo në aspektin financiar, por në aspektin intelektual dhe profesional, me
angazhimin tonë, që kemi si agjenci e UN-it në Shqipëri, për të mbështetur zhvillimin e
demokracisë dhe procesin e integrimit në Shqipëri.
Nga ana tjetër, zonja Oruc e ngriti si shumë të rëndësishme pjesën e së ardhmes
europiane të Shqipërisë dhe duke mbështetur edhe fjalën e zonjës Vlahutin, nuk e sheh vetëm
si një proces që mbështetet nga politika të mëdha, por si një proces, që mbështetet dhe
funksionon për njerëzit dhe për shërbimet që marrin të gjithë këta njerëz (popullata), në të
gjitha nivelet. Për këtë arsye ne jemi shumë të inkurajuar jo nga ana e BE-së, por nga të gjitha
nivelet dhe të gjitha institucionet, qoftë ato qendrore, qoftë ato lokale, që të mbështesim jo
vetëm rritjen e kapaciteteve lokale, por për më tepër, ndërthurjen me aspektin e demokracisë
lokale në shërbim të integrimit dhe të zhvillimit të demokracisë në vend.
Majlinda Bregu – Faleminderit!
Unë jam e sigurt se në 17 synimet apo parimet e përgjithshme të zhvillimit të
qëndrueshëm që UN-i ka vënë para të gjitha vendeve, besoj se një pjesë e mirë e tyre janë
pjesë e axhendës europiane. Janë më shumë se pesë prioritetet e Shqipërisë, por ato janë të
përbashkëta dhe janë një detyrim për t’u zbatuar.
Do t’ia jap fjalën zonjës Dade dhe më pas e ka fjalën zoti Balla, si zëvendëskryetar i
këtij këshilli. Me sa duket, Taulanti do fjalën e fundit.
Zonja Dade flet si kryetare e Komisionit të Jashtëm. Pavarësisht se nuk qëlluam të
ishim të dyja bashkëkryetare të këtij këshilli, sikurse ishte mendimi i parë i maxhorancës,
Page 11
11
është kaq e dhënë me sugjerimet dhe vërejtjet e saj, saqë unë e dëgjoj me shumë dëshirë dhe
dashamirësi.
Nuk e di sa ju dëgjon Taulanti, Arta, por të paktën për mua është vlerë e shtuar në
këtë këshill.
Arta Dade – Faleminderit, Majlinda!
Me sa duket Taulanti më dëgjon mua përmes teje. E rëndësishme është që ju t’i
merrni në konsideratë sugjerimet e mia, që janë gjithmonë shumë dashamirëse.
Unë dua t’ju falënderoj për punën që bëni!
E dashur zonja Ambasadore,
Ju falënderoj për mbështetjen që na keni dhënë në vazhdimësi në këtë proces! Pa
dyshim, sikurse u tha këtu, koncepti i integrimit në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm
me klasën politike, vetëm me qeveri të caktuara, apo vetëm me parlamentin. Integrohet
Shqipëria, integrohet edhe shoqëria shqiptare. Vetë formati i kësaj tryeze flet për këtë. Pra,
është bërë kujdes që këtu të përfaqësohen të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare.
Ndonjëherë mendoj se shoqëria shqiptare ka qenë gjithmonë më e avancuar sesa vetë
politika. Sigurisht, kjo është një gjë shumë pozitive, e cila na inkurajon që të vazhdojmë
punën për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, gjë e cila ka qenë një aspiratë
dhe tashmë është përkthyer në përpjekje të gjithanshme të të gjithë aktorëve dhe faktorëve në
vend.
Dëshiroj të mbështes krijimin e shkollës europiane të verës, sepse praktikisht sa vjen
e rritet domosdoshmëria për të pasur kapacitete më të trajnuara. Në mënyrë të veçantë dhe
unë shpresoj të marrim lajmin e mirë para se parlamenti të fillojë pushimet e verës, lidhur me
hapjen e negociatave. Patjetër, do të nisë një kapitull më i vështirë, i cili do të kërkojë
kapacitete më të kualifikuara, por në të njëjtën kohë kërkon edhe sensibilizim dhe njohuri më
të thella nga të gjitha kategoritë e shoqërisë shqiptare, përfshirë edhe skajet më të largëta, siç
është zona që unë përfaqësoj në parlament, për ta çuar Europën, atje ku jetojnë njerëzit në
përditshmërinë e tyre, atje ku merren edhe me mbrojtjen e mjedisit, atje ku merren edhe me
përpjekjet e përditshme për të garantuar një jetesë normale, atje ku edhe pushteti vendor
përballet me një sfidë të re, me sfidën e implementimit të reformës së re territoriale, atje ku
jemi në fazën e kalimit të autoriteteve dhe të kompetencave.
Sigurisht, të rinjtë, gratë dhe në përgjithësi shoqëria, nuk mund të jetë jashtë këtij
procesi. Unë kështu e shoh një nga drejtimet me të cilin do të merret shkolla e verës për
trajnimin e të rinjve, nxënësve të shkollave, të universiteteve, pse jo, edhe të atyre që merren
edhe me administratën publike, e cila vazhdon të mbetet ende e brishtë, lidhur me
përmbushjen e detyrave që ka, në mënyrë të veçantë në thithjen e fondeve dhe në krijimin
Page 12
12
dhe shfrytëzimin e të gjitha hapësirave që krijon stadi i tanishëm i Shqipërisë në axhendën
tonë europiane, pra, si vend kandidat.
Unë besoj se duke u bërë Shqipëria një shtet me demokraci të konsoliduar dhe
funksionale, sigurisht mund ta luajë atë rol, që ne shpesh kemi dëshirë të luajmë, por që edhe
partnerët tanë ndërkombëtarë, europianë dhe euroatlantikë na kërkojnë që ne ta luajmë. Kjo
nuk është vetëm për arsyen se ne jemi i vetmi vend i NATO-s në Ballkanin Perëndimor, apo
për arsyen se kemi shqiptarë në 3-4 shtete të tjera. Kjo është për arsyen se ne kemi shumë vite
(25 vjet), që i kemi nisur proceset integruese dhe, sigurisht, i kemi të gjitha mundësitë që ne
ta vëmë vendin tonë në avangardë të këtyre proceseve.
Dihet se edhe në momentin që po flasim, ne kemi arritje dhe progres. Tirana do të
jetë qendra e bashkëpunimit rinor me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, parlamenti ka kaluar dhe ka ratifikuar edhe marrëveshjen për krijimin e
Fondit të Ballkanit Perëndimor, sipas modeleve të bashkëpunimeve të tjera rajonale në
suazën europiane. Gjithashtu, mendohet të jetë qendra e luftës kundër ekstremizmit për vetë
faktin që ne mund të ofrojmë shembuj pozitivë për vlerat e tolerancës dhe të
bashkekzistencës, në mënyrë të veçantë, asaj fetare.
Sigurisht, dua të shpreh bindjen edhe për shqetësimin e madh që është krijuar në
opinionin publik, por edhe te partnerët tanë ndërkombëtarë, që na mbështesin në këtë
rrugëtim të vështirë, lidhur me reformën në drejtësi, se ne do ta konkludojmë me sukses këtë
reformë edhe me nxitjen e partnerëve tanë, por edhe me punën e lavdërueshme që kanë bërë
ekspertët, qofshin këta të Komisionit të Venecias, EURALIUS, apo OPDAT-it. Besoj se do të
jenë pikë reference për të zgjidhur edhe ato mosmarrëveshje, që besoj se tashmë janë
zgjidhur, sikurse kemi dëgjuar mesazhe shumë të fuqishme nga Kryetari i Kuvendit dhe nga
Kryeministri.
Unë besoj se shpreh edhe mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit për shkollën
europiane të verës, për faktin se parlamenti ka një rol lider në këtë Këshill të Integrimit, edhe
për faktin që në krye të këtyre proceseve kemi kryetaren e Komisionit të Integrimit.
Dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë dhe t’ju ofroj të gjitha mundësitë e mia, nëse do t’ju
duhen, për ta bërë sa më efektive këtë shkollë, sepse unë i përkas asaj kategorie jo vetëm të
politikanëve, por edhe të qytetarëve, që mendojnë se përvojat pozitive janë të vyera në proces
afatgjatë apo afatmesëm për t’ia kaluar këto përvoja pozitive brezit të ri, pa të cilat as historia
njerëzore nuk do të ishte kaq e konsoliduar, siç e kemi ne sot.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Arta, ju siguroj që këtu jeni gjithmonë e mirëpritur dhe, sigurisht,
do të jeni anëtare.
Page 13
13
Fjalën e ka zoti Mediu dhe më pas zoti Balla, duke shpresuar që atë që kishim për të
diskutuar sot, mbase nuk është një nga mbledhjet e zakonshme për të ...
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Më falni, zoti Shalsi, sepse gjithmonë e lë fjalinë përgjysmë, sepse sapo mundohem
t’i jap drejtim dhe ta mbyll seancën, shoh një dorë që ngrihet.
Atëherë, keni fjalën zoti Mediu.
Fatmir Mediu - Ti duhet të jesh e kënaqur, sepse kjo tregon një proces aktiv në
lidershipin tuaj.
Sinqerisht, dua t’ju falënderoj për punën që bëni, si drejtuese e Këshillit, dhe
mirëkuptimin që keni për një proces shumë të rëndësishëm. Pa dyshim që shkolla verore
është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos për të rinjtë, por besoj se do të ishte më mirë,
zonja Bregu, të organizonim edhe një trajnim apo shkollë për deputetët për të kuptuar më
mirë procesin e integrimit evropian. Besoj se duhet ta kuptojmë mirë dëshirën, por duhet të
kemi edhe njohuritë e duhura për procesin, për të qenë vërtet pjesë e këtij procesi.
Vërtet më shumë se 90% e qytetarëve shqiptarë e mbështesin integrimin europian,
po ashtu dhe politika, por besoj se njohja rreth këtij procesi gjithmonë lë për të dëshiruar.
Po kaloj te çështja që u përmend këtu, si një nga çështjet më të rëndësishme. Dua që
një herë e përgjithmonë të kuptojmë rëndësinë e reformës dhe të lemë jashtë hipokrizinë me
këtë reformë. Ne si opozitë jemi përfshirë në këtë reformë bashkë me specialistët, edhe si
anëtarë të këtij komisioni kemi bërë propozimet, vërejtjet dhe vlerësimet tona, të cilat ia kemi
përcjellë Komisionit të Venecias, në mënyrë që të kemi një pushtet gjyqësor jo vetëm të
pakorruptueshëm dhe të pavarur, por edhe të pakontrolluar politikisht.
Një pjesë e madhe e këtyre vërejtjeve janë marrë në konsideratë nga Komisioni i
Venecias. Po ashtu, në këtë komision kemi bërë një diskutim intensiv, ku kemi lënë çështje të
hapura për të marrë mendimin dhe gjykimin e specialistëve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-
it.
Drafti i paraqitur para dy ditësh, dhe këtu dua të bëj me dije publikun, është një draft
me tre ngjyra: e zezë, e kuqe dhe blu. Me ngjyrë të zezë janë ato që ishin parashikuar
paraprakisht në draft; me të kuqe janë reflektimet bazuar mbi ato çfarë ne kemi ngritur si
opozitë, si dhe mendimet dhe gjykimet në pjesën më të madhe të gjykuar nga specialistët e
EURALIUS-it dhe OPDAT-it; dhe blu janë çështjet opsionale. Pra, mendoj se është hipokrizi
dhe papërgjegjshmëri të thuhet se ne po e miratojmë draftin kështu siç është, sepse është
draft. Për sa kohë ka qëndrime opsionale do të thotë se duhet të gjykojmë se cili opsion është
më i miri dhe pas miratimit të draftit në parim do ta miratojmë edhe nen për nen.
Page 14
14
Të gjithë kemi thënë se në parim jemi për reformë. Ne kemi dhënë mbështetjen dhe
në parim jemi dakord edhe me draftin. Besoj se ditën e hënë nuk do të ketë më diskutime për
këtë çështje. Siç kemi folur edhe me partnerët tanë, dhe dua të falënderoj ambasadorët
Vlahutin dhe Lu, të cilët kanë qenë shumë të involvuar bashkë me specialistët e EURALIUS-
it dhe të OPDAT-it, do ta miratojmë edhe nen për nen.
Si deputetë që jemi, mendoj se në koshiencën tonë njerëzore dhe individuale para se
të themi “po” për një gjë, duhet më parë të lexojmë, sepse po të veprojmë ndryshme nuk do të
bëjmë as më shumë dhe as më pak veçse një hipokrizi me veten tonë dhe me partnerët tanë.
Besoj se jemi qenie që kemi koshiencë dhe me koshiencë minimalisht për një gjë që do të
vendosim, duhet ta lexojmë më parë dhe ne këtë po bëjmë.
Besoj se ditën e hënë duhet të arrijmë një vendimmarrje të përbashkët për miratimin
nen për nen për të realizuar këtë reformë, siç u tha, siç kërkohet dhe siç duhet ta bëjmë në
kohën e duhur, që Shqipëria të fitojë, pa dyshim, atë çfarë ne presim të gjithë në raport me
Bashkimin Europian, por, mbi të gjitha, duhet të fitojë një reformë në drejtësi, e cila do t’i
shërbejë të drejtës dhe qytetarëve shqiptarë, sepse është në interesin tonë primar që ta bëjmë
të gjithë. Prandaj sinqerisht kam shumë dëshirë, duke pasur këtu përballë kolegë që janë prej
vitesh në Kuvendin e Shqipërisë, që disa gjëra t’i zgjidhnim edhe pa ndërhyrjen e
ndërkombëtarëve. Meqenëse jemi partnerë, si vend anëtar i NATO-s dhe kërkojmë të bëhemi
pjesë e BE-së, nuk kemi pse ta ndiejmë veten keq që të kemi diskutime të hapura dhe të
drejtpërdrejta me përfaqësuesit e BE-së për çështje që janë jetike për Shqipërinë, por edhe të
interesit reciprok, si vend anëtar i NATO-s dhe nesër vend anëtar i Bashkimit Europian.
Kam bindjen se dita e hënë do të jetë dita e një diskutimi të qenësishëm jo vetëm për
miratimin në parim, se kjo është i tejkaluar, por e vlerësimit të gjithë problematikave për të
dalë në një draft përfundimtar, që të mos kemi më opsione me ngjyrë blu, as me të kuqe dhe
as me të zezë, por të kemi të zezën mbi të bardhë, të gjithë të dakordësuar, siç është reforma
në drejtësi.
Majlinda Bregu - Faleminderit, zoti Mediu!
Jam krejtësisht dakord, sepse reforma në drejtësi ka zaptuar të gjithë spektrin e
diskutimeve kudo, rëndësi ka që të jetë një reformë e drejtë.
Po aq sa edhe ju, do të kisha preferuar të ishim ne autorët e kësaj reforme, ku
kryesisht kjo reformë të kishte nisur me një angazhim të pastër politik dhe pastaj ekspertët ta
përkthenin vullnetin politik në termat dhe në gjuhën juridike. Megjithatë, fatkeqësisht, e
vetmja pikë ku ne gjejmë konsensus është mosbesimi midis njëri-tjetrit dhe e kemi gati të
pamundur t’u japim drejtim punëve tona.
Zoti Shalsi, ka kërkuar fjalën.
Page 15
15
Zonja Çani, doni të bëni një ndërhyrje? Duhet të keni parasysh se keni vetëm 5
minuta kohë, sepse duhet të përfundojmë mbledhjen.
Eduard Shalsi - Do të flas vetëm 2 minuta!
Duke mos dashur të komentoj për reformën në drejtësi, e cila ka nevojë për action,
not words dhe çdo ditë, orë apo minutë që kalon provon më së miri se protagonistët që kanë
folur më shumë, tani duhet të heshtin për t’i lënë vendin veprimit në këto momente kyçe.
Dua të ndalem shkurtimisht te raporti i shoqërisë civile. Unë drejtoj Komisionin e
Veprimtarive Prodhuese dhe do të doja që këtu të ishin edhe kolegët e opozitës, sepse nëse do
të mbikëqyrej me kujdes do të konstatonit se parlamenti nuk është ai i seancave parlamentare,
por ka edhe shembuj, sidomos në komisione, ku debatohet në mënyrë konstruktive dhe kur
nuk biem dakord, nuk është se jemi të papëlqyeshëm për njëri-tjetrin.
Raporti me grupet e interesit dhe me shoqërinë civile e ka bërë punën tonë shumë
më cilësore, këtë e them me bindje edhe në emër të të gjithë deputetëve. Debatet cilësore na
kanë dhënë mundësinë të biem dakord për ligjet, por edhe të refuzojmë ligje, për të cilat nuk
kemi rënë dakord, pavarësisht se nga vijnë dhe nga kush propozohen.
Unë ju përgëzoj dhe ju inkurajoj për shkollën verore, e cila nga njerëzit që do të
ftojë, duhet të zgjedhë mirë edhe shoqërinë civile. Në javën e fundit kemi pasur debate shumë
cilësore për mjedisin dhe për HEC-et. Ka shoqëri civile dhe pseudoshoqëri civile, madje, ka
ndonjëherë shoqëri civile shumë më politike nga ajo që vëmë re në parlament, ndaj duhet të
jemi shumë të kujdesshëm dhe të njohim jashtëzakonisht benefitet. Ne po vijojmë të
bashkëpunojmë me institucionet e huaja dhe vendase për disa iniciativa, vendimmarrja e të
cilave do të bëhet publike shumë shpejt. Ne duhet të inkurajojmë modele të shoqërisë civile,
që realisht janë të shqetësuara, kanë ekspertizën e mjaftueshme dhe nuk po përdoren
politikisht, apo modele që u ngjasojnë atyre, që shqiptarët e dinë mirë kur uzurpojnë
mikrofonat dhe rrallë qëllon që t’i sjellin debatit ndonjë sens pozitiv, të logjikshëm dhe të
arsyeshëm.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Shalsi!
Eralda, dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse shoh që dy përfaqësuesit e shoqërisë
civile kanë kërkuar fjalën! Midis atyre të dyve do të ta jap mundësinë për të folur.
Kam përshtypjen se rregullores së këtij Këshilli mund t’i bëjmë një amendim tjetër,
që ta kërkoni fjalën në fillim të mbledhjen, në mënyrë që kur të rendim në fund të mbledhjes
të mos më duhet të hedh sytë në sallë se kush kërkon fjalën, sepse edhe mund të mos ma kapë
syri ndonjërin.
Atëherë, kush e do fjalën i pari? Po, zonja Vokopola.
Page 16
16
Zana Vokopola - Ju falënderoj për ftesën dhe për fjalët e mira që u thanë!
Dua të shtoj dy elemente. Këtu u përmendën eksperiencat ndërkombëtare të
pjesëmarrjes së shoqërisë civile, edhe pse jo shumë e fortë, siç duhet të ishte në vendet e
zhvilluara dhe jo shumë autonome, por ka rekorde shumë të mira.
Më lejoni t’ju kujtoj se procese të rëndësishme, ligje të rëndësishme, që kanë të
bëjnë me reformën në drejtësi, me luftën kundër korrupsionit kanë pasur një kontribut shumë
të madh nga shoqëria civile, siç ishte hartimi, lobimi dhe më tej monitorimi i ligjit “Për
konfliktin e interesave”, si dhe ligjit “Për deklarimin e pasurive”, që u shërbejnë kësaj
reforme. Janë ligje të rëndësishme, ku roli i shoqërisë civile ka qenë aktiv për vite me radhë.
Ende shoqëria civile mbetet një nga mekanizmat kryesorë për ngritjen e kapaciteteve
për shkollën e verës, për pushtetin vendor apo për shumë aspekte të tjera. Ende shoqëria
civile në Shqipëri është pjesë e reformave sociale, mjedisore, lëvizjeve që vënë mekanizma të
tërë para përgjegjësive jo vetëm organizatat, si ato që jemi sot, por edhe individë.
Nga ana tjetër, reforma që vonohet, mbështetja që kërkohet nga shoqëria civile
është, në radhë të parë, transparenca. Ne nuk e dimë pse vonohet reforma? A ka
llogaridhënie? A do të ketë ndonjë palë që do të na thotë në zinxhirin e madh me shumë
hallka, se cilën hallkë kam unë në dorë, si anëtare e shoqërisë civile? Cilën hallkë kanë të
tjerët e me radhë?
Ne duam të informohemi, që të bëhemi pjesë dhe të mbështetemi, jo vetëm për të
bërë avokatin, sepse shoqëria civile kur ka një kauzë të drejtë, e bën shumë mirë avokatinë,
por edhe më tej akoma. Nga kapitali social që ka shoqëria civile sot do të dalin ata që do ta
zbatojnë reformën më vonë, qofshin organizata, qofshin shoqata, qofshin avokatë, shoqata
avokatësh apo studentët e juridikut, të cilët do të jenë kasta e ardhme e drejtësisë. Kështu që
do t’ju bëja thirrje të na përfshini edhe neve. Jo të gjithë i kujtojnë ministrat, deputetët,
prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, jo pse unë besoj te ndershmëria dhe te gjërat e mira,
por sepse njoh shumë prej tyre që nuk janë të korruptuar. Mirëpo në këtë vorbull i fajshmi
dhe i pafajshmi kanë një fytyrë dhe sapo përmenden disa emra të gjithë mendojnë se janë
hajdutë dhe kriminelë.
Na ndihmoni që ne të respektojmë ata që duhen respektuar! Na ndihmoni me
informacione! Na bëni pjesë të pyetjes së tmerrshme, që ka secili nga ne: a ka shpresë në këtë
vend? Ne presim që përgjigjen ta marrim nga deputetët, nga parlamenti, nga Kuvendi, nga
drejtuesit tanë. Ne duam të kemi shpresa dhe duam që të na bëni pjesë në të gjitha hallkat, që
të sigurojmë progres të mirë edhe në përmasa, ku të përfitojmë të gjithë.
Faleminderit!
Majlinda Bregu - Faleminderit, zonja Vokopola!
Page 17
17
Në fakt, ky është një nga vendet ku ka mundësi përfaqësimi. Unë vazhdoj ta
përsërisë lutjen: të jeni sa më aktivë dhe kontributivë jo vetëm në formatet e kësaj
mbledhjeje, por sigurisht gjatë gjithë ecurisë dhe jetëgjatësisë së Këshillit.
Fjalën e ka zonja Çani, e cila së fundi është zëvendësministre e Integrimit Europian.
Më pas fjalën do ta ketë zoti Vurmo.
Eralda Çani - Disa nga gjërat që unë doja t’i ndaja u thanë.
Zoti Dobrushi përmendi disa zhvillime me karakter politik për ushtrimin e ligjeve, të
cilat janë me rëndësi në përfshirjen e kujtdo që është pjesë e shoqërisë civile, jo vetëm në
proceset vendimmarrëse në këtë vend, kështu që nuk dua t’i përmend.
Dua të them se forume të tilla, si, për shembull, një shkollë vere apo një akademi,
janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të kuptuar të gjithë bashkë edhe më mirë akoma
procesin e integrimit, që është me karakter politik, por është jashtëzakonisht shumë me
karakter teknik. Në fakt, në këtë vend kemi nevojë shumë më tepër të gjithë bashkë të
kuptojmë aspektet teknike të procesit të integrimit.
Një diskutim tjetër është edhe ndarja e disa informacioneve. Ka një sërë
mekanizmash, të cilat ndihmojnë përfshirjen e vetë shoqërisë civile në proceset e integrimit.
Për shembull, një projekt i rëndësishëm i Ministrisë së Integrimit është SMEI, ku në mënyrë
të vazhdueshme është mbështetur nga BE-ja.
Shteti gjerman përmes zyrës së ndihmës së GIZ-it në Shqipëri mbështet punën e
grupeve të rëndësishme ndërinstitucionale të punës në procesin e integrimi, të cilat mbulojnë
të gjithë procesin e komunikimit me BE-në për fusha të veçanta. Së fundi, për shembull, janë
duke hartuar një komunikim me dhomat e tregtisë, me qëllim që ato të përfshihen në kapitujt
që kanë të bëjnë me zhvillimin e tregut të brendshëm apo në fushat e tjera, ku dhomat e
tregtisë janë të përfshira.
Për të mos u zgjatur, sinqerisht mendoj se duhet t’i shikojmë si komplementare këto
procese të krijimit të këtyre shkollave dhe nuk duhet ta konsiderojmë që njëra apo tjetra është
zgjidhja.
Së fundi, institucionalizimi është mjaft i rëndësishëm. Për shembull, dua të përmend
Shkollën e Administratës Publike Shqiptare, e cila luan një rol kyç në trajnimin e
administratës publike për proceset e integrimit. Mbështetja për të është jashtëzakonisht e
rëndësishme.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, Eralda!
Page 18
18
Është e vërtet që Shkolla e Administratës Publike ekziston prej shumë vitesh, por
çështja është se nuk është vetëm administrata publike që do të përballet me detyrimet e
anëtarësimit, prandaj po mendojmë për një përfshirje më të gjerë.
Eralda Çani - Absolutisht, komplementare!
Majlinda Bregu – Po, Zoti Vurmo.
Me sa po shoh nuk ka ndërhyrje të tjera, kështu që do t’a kaloj më pas fjalën zotit
Balla, që, si rrallë herë, në Këshillin e Integrimit rri më urtë se askund tjetër.
Gjergji Vurmo - Faleminderit, zonja Bregu!
Në fakt, ne të shoqërisë civile nuk vijmë këtu me një fjalim të përgatitur, sepse nuk e
dimë nëse dhe kur do ta marrim fjalën. Mua zakonisht më ndodh të inspirohem pas debateve
që ndodhin në fillim. Për shembull, një nga çështjet që u ngrit, dhe shpresoj të jetë lapsus ajo
që përmendi zoti Shalsi, momentin që politika, sidomos politika që është pjesë e qeverisë,
fillon dhe përkufizon se cila është shoqëri civile dhe cila pseudoshoqëri civile, këtu kemi një
pikëpyetje të madhe, mbase edhe fillimin problematikave të tjera, që i shohim edhe në rajon.
Dua të flas shumë shkurt lidhur me shkollën verore, e cila është një nismë shumë e
mirë, që do t’i vlejë po ashtu edhe shoqërisë civile, pavarësisht se jam i mendimit se shoqëria
civile ka qenë dhe të mbetet mjaft e përkushtuar dhe e përfshirë në procesin të integrimit
europian, por më shumë shpresoj që shkolla do t’u shërbejë dy sfidave, njërës prej sfidave e
di që mund t’i shërbejë, por sfidës së dytë nuk e di, nuk jam shumë i sigurt.
Sfida e parë është informimi dhe përfshirja e politikanëve të rinj dhe të vjetër,
sidomos e atyre të vjetër, në kuadër të procesit të integrimit europian, njohjen më të mirë të
tyre.
Sfida e dytë, për të cilën unë kam pikëpyetje të madhe dhe nuk besoj që kjo shkollë
do të mund ta adresojë, është përkushtimi ndaj procesit të integrimit europian, përkushtimi
ndaj reformave që duhen adresuar, në mënyrë që procesi i integrimit europian të vazhdojë të
ecë para. Kjo lloj sfide nuk mund të adresohet as me shkollë dhe as me mjete të tjera, mund të
adresohet me një aksion më të organizuar, duke filluar edhe nga ne si shoqëri civile për të
siguruar që kjo do të ndodhë.
Rasti i reformës në drejtësi besoj se është rasti më i afërt, më i parë, ku politika
mund dhe duhet të provojë që ka përkushtim për procesin e integrimit europian dhe mbi të
gjitha për proceset zhvillimore të vendit.
Faleminderit.
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Vurmo!
Siç duket, kur ka stuhi mendimesh, brainstorming, fjalën e ka zoti Jaka, edhe sepse
dhomat e tregtisë, në fakt, Dhoma e Biznesit, në forume të tilla rrallë mund të kenë mundësi
Page 19
19
të flasin të gjithë. Ndaj ftesa vlen edhe për ju, për të qenë sa më aktivë edhe në organizimin e
aktiviteteve, të cilat do të pasojnë mbledhjet rutinore të Këshillit.
Nikolin Jaka – Unë do të doja të falënderoja vullnetin e kryetares për një arsye të
vetme, se kur u Krijua Këshilli Kombëtar i Integrimit pothuajse sipërmarrja ishte lënë pas
dore, nuk ishte përfshirë. Me kërkesën dhe me vullnetin tuaj, u bë e mundur që pjesëmarrja e
Dhomës së Tregtisë dhe përfaqësia e biznesit të ishin prezentë. Është shumë e rëndësishme të
kuptojmë rolin që ka secili, por njëkohësisht të kuptojmë edhe kontributin e secilit.
Unë do të doja ta përgëzoja nismën për krijimin e Shkollës Verore të Integrimit dhe
uroj që kjo shkollë të krijojë edhe humorin, edhe vullnetin, por njëkohësisht edhe rezultatet
që të përkthehen realisht në vepra dhe në vullnet për ekzekutimin e atyre që do të bëhen gjatë
këtij sezoni.
Nga ana tjetër, do të doja që kambana që ka gjashtë muaj që e kanë ngritur
ambasadorët dhe në veçanti ambasadorja Vlahutin dhe ambasadori Lu për reformën në
drejtësi, tashmë të kalojë në ekzekutim. Është një kërkesë që e kanë pritur të gjithë shqiptarët,
ka nxitur dialogun, por njëkohësisht ka ndezur edhe shpresën nëse kjo reformë do të bëhet
apo nuk do të bëhet. Meqë kemi zvarritje të këtij procesi, atëherë lind pyetja: a do të
ekzekutohet siç duhet kjo reformë dhe pse duhet të ketë kaq skepticizëm në këtë pikë?
Sipërmarrja është e më e interesuara nga të gjithë ne që kjo reformë të bëhet sa më shpejt dhe
është po aq e interesuar që kjo reformë të zbatohet me vullnet, në zbatim të ligjit dhe në
shërbim të qytetarëve të sipërmarrjes private.
Është shumë e rëndësishme që Shqipëria ka një specifikë të veçantë lidhur me
sipërmarrjen private. Ekonomia e lirë e tregut dhe njëkohësisht reforma strukturore në
privatizimin e ekonomisë mundësuan që sot sipërmarrja private të dominojë zhvillimin
ekonomik, të dominojë si në përbërjen e GDP-së, si në punësim, ashtu edhe në perspektivat
reale të zhvillimit ekonomik dhe në hartimin e politikave ekonomike të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, unë mendoj që mungon ende dialogu dhe partneriteti i duhur për të
marrë edhe vendimet e duhura.
Ambasadorja përmendi që duhen vendime të qarta, që fëmijët tanë të shohin
saktësisht shpresën për të jetuar në këtë vend, në mënyrë që rinia të shohë dritën jeshile për
t’u involvuar dhe për të dhënë një vlerë të shtuar në ekonominë e vendit, ashtu siç vlerësohet
që duhen politika të shëndetshme për zhvillim, ashtu siç vlerësohet një dialog dhe jo vetëm
një dialog politik, që realisht ka kohë që mungon, dhe unë do të doja ta komplimentoja sot
këtë Këshill që nuk kemi një debat të ndezur ose akuza ndaj njëri-tjetrit, por urojmë të ketë
dialog politik në shërbim të interesit kombëtar dhe të ketë një dialog kombëtar duke i
shërbyer transparencës, konsultimit për të dhënë efektin e duhur në zhvillimin ekonomik.
Page 20
20
Dhoma e Tregtisë ju siguron që do të vërë të gjitha resurset dhe potencialet e saj në
shërbim të mirë të vendit, por edhe me kapacitetet e saj, duke qenë pjesë e vullnetit të mirë
dhe e progresit.
Urojmë që ky Këshill të ketë gjithmonë dialog e frymë pozitiv, pa akuza dhe uroj që
politika dhe klasa politike në përgjithësi t’u kthehet objektivave për të realizuar interesat e
sipërmarrjes dhe të qytetarëve shqiptarë ashtu siç duhet.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, Nikolin!
Po ia kaloj fjalën zotit Balla.
Taulant Balla – Faleminderit, zonja kryetare!
Së pari, do të doja të theksoja që kjo mbledhje kishte një axhendë të caktuar, që ishte
konsultimi me anëtarët e Këshillit i idesë për të inicuar këtë vit dhe më pas çdo vit një shkollë
verore për çështje të integrimit europian dhe besoj që anëtarët e Këshillit e kuptojnë që për
çështjen që po diskutohet duhet të japim mendime me vlerë, që përmirësojnë apo japin një
kontribut për këtë çështje.
Në këtë kontekst do të doja të falënderoja të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij
procesi, pjesë e kësaj iniciative për krijimin e kësaj shkolle, sikurse janë përfaqësuesit
ndërkombëtarë, që janë prezent, apo edhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur. Jam i sigurt që
sot do të na akuzojnë që Sorosi grabiti edhe një iniciativë tjetër në Shqipëri, por kjo nuk është
gabim, përkundrazi, është diçka shumë e mirë dhe e mirëpritur. Faleminderit për këtë
kontribut që po na jepni!
Më lejoni të jem korrekt dhe institucionalisht të falënderoj Kryetarin e Kuvendit të
Shqipërisë, zotin Meta, i cili është mbështetësi kryesor i kësaj iniciative për shkak se pardje
Byroja e Kuvendit, por edhe të gjitha institucionet e Kuvendit janë vënë në dispozicion të
mbështetjes së kësaj shkolle. Për të gjithë anëtarët e këtij Këshilli dua miqësisht, jo në rolin e
nënkryetarit të Këshillit, por në rolin e njërit prej anëtarëve, sepse Majlinda dhe unë kemi
detyrën vetëm të drejtojmë punimet, por këtu jemi bashkëpronarë të këtij procesi që ka marrë
përsipër Këshilli, është mirë që të heqim dorë nga kultura e kontributeve verbale dhe të
kalojmë në kulturën e kontributeve shkresore, që së bashku të hartojmë një kalendar temash
vjetore për punën e Këshillit. Deri më sot, një vit bën ky Këshill, të gjitha temat e iniciuara të
këtij Këshilli kanë ardhur nga Majlinda dhe unë, ndaj do të ishte mirë që anëtarët e tjerë të
këtij Këshilli të kontribuojnë me tema për të pasur më pas një kalendar pune të përjavshëm,
nëse doni ju, të përditshëm, nëse doni ju, me çështje që ju mendoni se duhen diskutuar me
Këshillin e Integrimit. Të keni parasysh që këtu janë të përfaqësuara të gjitha institucionet,
Presidenti i Republikës, parlamenti, Kryeministri, Ministria e Integrimit, ministritë e linjës,
Page 21
21
komisionet parlamentare, prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit apo pushteti vendor.
Kështu që jeni të mirëpritur që ta pasurojmë sa më shumë punën e këtij Këshilli, mirëpresim
kontribute dhe propozime konkrete, me qëllim që të bëjmë një punë sa më intensive për t’iu
përgjigjur pritshmërive përse e kemi ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit.
Nuk mund t’i shpëtoj as unë tundimit për të thënë diçka edhe për sa i përket temës së
ditës, pra miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të reformës në drejtësi, e cila do të bëhet shumë
shpejt. Nuk besoj se ka ndonjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që mund të hezitojë të japë
votën në favor të reformës në drejtësi, kush do ta bënte këtë, pa perifrazuar ndonjë mik të
Shqipërisë, do të turpëronte veten e vet, kjo është e sigurt, por do t’i vinte një vulë të zezë,
shumë bukur e tha edhe ambasadorja, të ardhmes së vendit, megjithatë, është e sigurt që kjo
reformë do të bëhet, sepse është diçka që është në të mirë të Shqipërisë dhe në të mirë të
shqiptarëve.
Meqenëse jemi në Këshillin Kombëtar të Integrimit, duhet thënë edhe për ata që nuk
e njohin, miratimi i reformës në drejtësi automatikisht ka kaluar edhe pjesën më të
rëndësishme të negocimit me Bashkimin Europian, që janë kapitujt 23 dhe 24, sepse janë
kapitujt më të vështirë. Vende si Serbia, të cilat janë tashmë në proces negocimi, këta dy
kapituj i kanë edhe më të rëndësishëm. Ne, për fat të mirë, po i përmbyllim këta kapituj
përpara se të hapim negociatat, kështu që kjo është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë dhe
shqiptarët.
Këshilli Kombëtar i Integrimit, besoje ose jo, zonja kryetare, e mbështet tërësisht
miratimin sa më shpejt të reformës në drejtësi, e kemi thënë në mbledhjen e fundit, nuk do të
ikim për pushimet e verës pa miratuar reformën në drejtësi.
Faleminderit!
Majlinda Bregu – Faleminderit, zoti Balla!
Ju do të bënit mirë të mos bënit pushime fare, se keni bërë shumë pushime gjatë
këtyre 3 vjetëve, ndërkohë, në rast se këtu do të kishte qenë prezent, edhe për arsye fizike, për
shkak se takimi u organizua pak me nxitim, përfaqësuesi nga kolegji i Bruzhit, drejtori i cili
merret me pjesën e zhvillimit të politikave, që ka marrë përsipër në emër të rektorit të kolegjit
të Europës, zotit Monart, të cilin dua ta falënderoj për gatishmërinë për të mbështetur këtë
mini kolegj Bruzhi në Shqipëri, do ta kishte marrë fjalën patjetër, por besoj se gatishmëria e
tyre për të përgatitur kurrikulën e kësaj shkolle është një element më shumë i garancisë, që do
të kemi mundësi për të ofruar një trajnim efikas dhe profesional.
Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen sot, duke shpresuar që do të kemi
kontributin dhe idetë tuaja, të cilat do të jenë po kaq ambicioze për të organizuar këtë vit në
Page 22
22
mënyrë pilote shkollën e verës, pse jo edhe kontributin tuaj për temat dhe modulet që do të
përgatiten për këtë vit dhe në vijimësi.
Faleminderit të gjithëve!
Faleminderit, ambasadorja Vlahutin!
Faleminderit, zonjës Oruc!
Faleminderit, zoti Dobrushi!
Takimin tjetër shpresoj që nuk do ta kemi në Tiranë.
MBYLLET MBLEDHJA