-
Debati për ecurinë e hetimeve
rreth ngjarjeve të Shkodrës të
1-‐2 prill 1991
(Debati zhvillohet në 6 seanca,
në datat 3 maj, 4 maj dhe
6 maj 1991) Seanca e
datës 3.05.1991 Kastriot Islami:
-‐ Kalojmë në pikën tjetër të
rendit të ditës: Informacion mbi
ecurinë e ngjarjeve në qytetin
e Shkodrës. Kishte një propozim
nga grupi parlamentar për këtë
çështje që seanca të zhvillohej
e mbyllur, por ne si Kryesi
vendosëm që seancën ta zhvillojmë
të hapur.
Fjalën e ka deputeti Ajli
Alushani. Ajli Alushani -‐
Konkluzione të komisionit të posaçëm
parlamentar dhe masat
që propozon ai për të ndjekur
ecurinë e hetimeve rreth ngjarjeve
të Shkodrës të l-‐2 prill 1991.
Komisioni i posaçëm parlamentar, në
vijim të njoftimit të datës
25.4.1991, sipas detyrës së lënë
nga Kuvendi dhe në përgjigje të
pyetjeve e shqetësimeve të deputetëve
e të shumë kolektivave dhe
personave të tjerë në të
gjithë vendin, paraqet disa konkluzione
dhe propozime për ngjarjen e
Shkodrës.
Në kushtet e vështira të një
mungese të paarsyeshme të
bashkëpunimit të njerëzve që kanë
parë me sy ngjarjet e Shkodrës,
grupet e hetimit vazhdojnë punën
hetimore, që tani plotësohet
edhe me ndjekjen penale të 4
personave. Ndërkohë janë në fazën
e eksperimentimit balistik armët
e bllokuara që janë përdorur.Megjithatë,
nga vlerësimi i përgjithshëm i
të dhënave të deritanishme
komisioni mendon se ngjarjet që
ndodhën menjëherë pas zgjedhjeve në
Shkodër e kanë origjinën në
mospërgatitjen e mjaftueshme të
elektoratit për të pranuar pa
tensionime sa fitoren aq dhe humbjen
në zgjedhje. Ky pësim duhet të
bëhet mësim për partitë politike,
sidomos për një pjesë të
përkrahësve të tyre, në mënyrë që
rezultatet e zgjedhjeve të pranohen
ashtu siç janë dhe format e
punës pas tyre të organizohen
në përshtatje me ligjet e
shtetit juridik e të pluralizmit,
siç është realisht. Këtu e
shohim burimin e atyre demonstrimeve
të 1-‐2 prillit në Shkodër.
Brenda mundësive që pati komisioni
për shqyrtimin e kësaj ngjarjeje,
të dhënat e grumbulluara na
lejojnë të insistojmë edhe një
herë në atë që ngjarja e
2 prillit duhej të ishte
parandaluar. Në këtë drejtim rolin
kryesor e determinant duhej ta
luante Komiteti Ekzekutiv i
Këshillit Popullor të Rrethit, i
cili duhej të ndërhynte më
energjikisht kur iu kërkua ndihmë
nga Dega e Punëve të
Brendshme që bashkë me forcat
politike dhe organizatat e tjera
të qetësonin tensionet e forcave
të pakontrolluara, të grumbulluara
para Komitetit të Partisë së
Punës të rrethit dhe për t’i
shpërndarë ato.
Drejtuesit e Komitetit të Partisë
së Punës të Rrethit duhej të
mbanin qëndrim aktiv dhe të mos
qëndronin mbyllur e të ndaheshin
nga masa e demonstruesve, por
të dilnin para tyre për t’i
qetësuar. Po kështu, drejtuesit
e Partisë Demokratike të rrethit,
me gjithë angazhimin, duhej të
gjenin mënyra e forma pune
për të qetësuar zemërimin e
demonstruesve. Nga ana tjetër,
drejtuesit e forcave të rendit të
rrethit të Shkodrës duhej të
parapërcaktonin më drejtë e saktë
veprimet që do të kryenin
në vend, meqenëse situatën e
prisnin, për shpërndarjen e
demonstruesve në përputhje me dekretin
e Presidiumit të
-
Kuvendit Popullor të datës 5.1.1991.
Forcat e rendit duhej të
përcaktonin mjete të tjera për
shpërndarjen e demonstruesve në
përputhje me dekretin. Në këtë
çështje mungesa e udhëzimeve, që
duhej të ishin nxjerrë për
zbatimin e këtij dekreti nga
Ministria e Punëve të Brendshme,
ngarkon këtë të fundit me
përgjegjësi.
Në vijim të këtij arsyetimi del
përgjegjësia konkrete për shkeljen e
dekretit të Presidiumit të Kuvendit
Popullor të datës 5 janar 1991
nga drejtuesit e Degës së
Punëve të Brendshme të rrethit,
kryetari, shefi i policisë,
zëvendësshefi i policisë, të cilët
janë marrë në përgjegjësi
penale. Përgjegjësi mbajnë gjithashtu
edhe personat që kanë qëlluar me
armë në njerëz, gjë që
mbetet akoma objekt i hetimeve të
mëtejshme.
Drejtuesit e Hetuesisë së Përgjithshme,
për zvarritjet e hetimeve,
pavarësisht nga vështirësitë që
paraqesin,dhe për pasojë mosnxjerrjen e
shpejtë të shkaktarëve të së
vërtetës, mbajnë përgjegjësi. I
propozojmë Kuvendit që Kryetari i
Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal
Lame, të lirohet nga kjo
detyrë.
Drejtuesit e Prokurorisë së
Përgjithshme, që nuk luajtën si
duhet rolin e tyre, siç e
kërkonin ngjarje kaq të mëdha,
ngarkohen me përgjegjësi. Komisioni
propozon lirimin nga detyra të
Prokurorit të Përgjithshëm, Rrapi
Mino.
Mendojmë që organet përkatëse të
marrin masa administrative për
përgjegjësit e grupeve të
hetuesisë dhe të prokurorisë, të
ngarkuara direkt me hetimet, si
dhe për hetuesinë dhe prokurorinë
e rrethit të Shkodrës.
Ministri i Punëve të Brendshme,
megjithëse ishte i ri në këtë
detyrë në kohën e ngjarjeve,
mban përgjegjësi për mosdhënien e
udhëzimeve konkrete se si duhej
vepruar në atë rast dhe
për mungesën e analizës që duhej
të kishte bërë në kolegjiumin
e Ministrisë. Propozojmë që
Ministri i Brendshëm, për këto
arsye dhe duke qenë se nuk
është i specialitetit, të lirohet
nga kjo detyrë.
I rekomandojmë Këshillit Popullor të
Rrethit të Shkodrës që ta
analizojë atë të gjykojë për
përgjegjësinë e drejtuesve të
Komitetit Ekzekutiv.
I rekomandojmë Qeverisë së ardhshme
të marrë masat e nevojshme që
ngarje si ajo e Shkodrës të
mos përsëriten. Gjithashtu të
marrë masa urgjente që, në
bashkëpunim me të gjitha
ministritë dhe organet e rrethit,
të hartojë një program konkret
për të rregulluar e shëndoshur
gjendjen mjaft të rënduar të
rrethit të Shkodrës.
Shkollat e Shkodrës duhet të
vazhdojnë rregullisht mësimin e të
zbatojnë me përpikëri rregullat dhe
disiplinën. Në shkollat “29 Nëntori”
dhe “Jordan Misja” të bëhen
analiza të hollësishme në këshillin
pedagogjik për rregullin, disiplinën
dhe për nxjerrjen e nxënësve
për manifestim.
I rekomandojmë Këshillit të Ministrave
që të nxjerrë akte nënligjore
për të përcaktuar funksionet që
kanë të drejtë të mbajnë armë.
Gjithashtu të shpejtojë punën për
përgatitjen e akteve ligjore që
kanë të bëjnë me statusin
dhe paprekshmërinë e organeve të
ruajtjes së rendit.
Komisioni i posaçëm parlamentar i
bën thirrje popullit të Shkodrës,
forcave të tij politike,
sindikatave, organizatave shoqërore,
komuniteteve fetare për një angazhim
me të madh në stabilizimin e
gjendjes dhe në dhënien e një
ndihme më të organizuar forcave
të rendit për të vendosur kudo
qetësinë dhe jetën normale në
qytet e në fshatrat e rrethit
të Shkodrës. Gjithashtu komisioni
parlamentar i bën thirrje forcave
të rendit që pavarësisht nga
kjo ngjarje, të mos dekurajohen
dhe të jenë në lartësinë e
detyrës së tyre për zbatimin me
përpikëri të ligjeve.
Përgjigje pyetjeve të ndryshme që
janë bërë nga deputetët:
-
Pyetje: Lidhur me masakrën tragjike
në Shkodër, në komunikatën e
dhënë nga zëdhënësi i Ministrisë
së Punëve të Brendshme në
televizion gënjehet në mënyrë të
ulët opinioni i vendit e ai
ndërkombëtar. Çfarë masash dhe
përgjegjësi u morën në kryesinë
e kësaj ministrie, kur dihet që
në shtete totalitare si Serbia,
me vrasjen e dy studentëve,
ministri i Punëve të Brendshme
dha dorëheqjen?
Përgjigje: Zëdhënësi i Ministrisë së
Punëve të Brendshme dha informacionin
e dërguar nga kryetari i Degës
së Punëve të Brendshme të
rrethit të Shkodrës, i cili u
pushua nga puna dhe u mor
në përgjegjësi penale.
Pyetje: Në ç’ konkluzion kanë
arritur ekspertët specialistë për
plagën e Arben Brocit? Fjala
është për llojin e armës që
e ka shkaktuar atë.
Përgjigje: Plaga e hyrjes së
predhës është 2.5 x 1.8 cm,
që nuk i përgjigjet asnjë
arme të njohur, të përdorur nga
forcat e rendit. Deri tani
nuk është përcaktuar lloji i
armës. Ka interpretim të ndryshëm
lidhur me këtë çështje.
Pyetje: Flitet se është dhënë
urdhër për të hapur zjarr me
armë. Ç’materiale ka hetuesia për
këtë?
Përgjigje: Nuk ka të dhëna që
të vërtetojnë dhënien e urdhrit
për hapje zjarr. Pyetje: A
ka ndonjë mendim konkret pse
u organizua mitingu fill pas
zgjedhjeve të 31 marsit?
Përgjigje: Siç u tha edhe në
material, ky ishte një reaksion
i grumbuj njerëzish
të ndryshëm që me sa duket
nuk pranonin rezultatin e zgjedhjeve,
një reaksion jonormal, sigurisht,
siç u tha në fillim të
materialit. Aty del edhe
përgjegjësia e partive politike.
Pyetje: Kush e organizoi këtë
miting? Flitet se drejtues të
Partisë Demokratike u ndodhën aty.
A është e vërtetë apo jo
dhe nëse kanë qenë aty, me
ç’probleme u morën ata?
Përgjigje: Se kush e organizoi
mitingun, sigurisht ky është një
problem i hetuesisë. Hetimet
akoma vazhdojnë dhe deri tani
nuk ka dalë ndonjë gjë.
Natyrisht, kjo lidhet dhe me
mosdëshminë e njerëzve të ndryshëm
që pyeten, ku asnjeri nuk flet.
Kurse lidhur me drejtuesit e
Partisë Demokratike që u ndodhën
atje, në datën 1 prill ka
qenë Azem Hajdari në Shkodër,
është kthyer dhe në datën 2
prill ka vajtur prapë. Ai
nuk qenka tani këtu në sallë
që ta thoshte vetë me
ç’probleme u morën ata. Shokë
të tjerë, kush ka qenë atje,
ndoshta mund ta dinë e mund
të thonë me se u morën.
Nuk ka të dhëna nga ana e
hetuesisë se me se u morën.
Pyejtje: A ka të dhëna, fakte
ose ndonjë mendim konkret që
pse u vranë të katër vetat,
kur thuhet se u zhvillua
miting paqësor, por nuk thuhet
se kush e organizoi atë?
Përgjigje: Të dhëna të sakta se
kush i vrau të katër vetat
nuk ka. Pikërisht ky është dhe
objekti i hetuesisë, domethënë ajo
me këtë punë po merret. Hetimet
dhe ndalimet që ka bërë deri
tani, ekspertimi i armëve, i
cili vazhdon, e të tjera, me
të gjitha këto bëhet përpjekje
për të vajtur drejt së
vërtetës. Sigurisht, dyshimet janë të
shumta, ka shumë llafe sikur
janë vrarë nga forcat e rendit,
nga forca të treta etj., me
pak fjalë interpretohet, por faktet
janë të këtilla që mund të
themi se deri tani nuk është
zbuluar vrasësi.
Pyetje: A ka të dhëna se
kush e dogji godinën e
Komitetit të Partisë së Punës
dhe për ç’arsye u dogj ajo,
kur dihej që Komiteti i
Partisë nuk kishte lidhje me
këtë miting?
-
Përgjigje: Në këtë drejtim po
hetohet dhe të gjithë dëshmitarët
që merren në pyetje, asnjëri
nuk flet. Nuk e dimë pse
nuk flasin, ç’presion i detyron
që të mos flasin. Domethënë
fakte nuk jepen.
Pyetje: Kush e nxiti apo e
orientoi manifestimin para Komitetit
të Partisë së Punës të rrethit
të Shkodrës?
Përgjigje: Edhe në drejtim të
nxitësve dhe të organizatorëve ka
një grup hetimor që merret
posaçërisht me këtë çështje.
Megjithatë nuk ka arritur akoma në
asnjë konkluzion. Edhe kjo me
të njëjtin arsyetim, që nuk
dëshmon njeri.
Pyetje: Ka zvarritje të
qëllimshme në nxjerrjen e rezultatit
përfundimtar? Përgjigje: Nuk na
rezulton të ketë zvarritje të
qëllimshme. Sigurisht,
vështirësitë e hetimit lidhen me
gjendjen e krijuar në Shkodër,
me gjendjen që njerëzit nuk
flasin.
Pyetje: Në qytetin e Shkodrës
thuhet se nxënësit e shkollave
janë nxitur nga persona madhorë
për të dalë në demonstratë.
Çfarë thotë hetuesia dhe Dega
e Brendshme për këtë?
Përgjigje: Nuk dëshmon njeri
ekzaktësisht, sepse kanë frikë.
Nxënësit nuk flasin, as mësueset
nuk flasin. Të dhëna, të folura
anonime se i kanë detyruar
mësuesit, njerëz të tjerë (2-‐3
veta) i kanë detyruar dhe
mësuesit dhe nxënësit ka, po
puna është se asnjeri nuk
dëshmon me emër.
Pyetje: Kam vërejtje për kronologjinë
e ngjarjeve, konkretisht për momentin
e vrasjes së Arben Brocit.
Duhet theksuar se ai u vra
në momentin që kishte qetësuar
demonstruesit, se ishte thirrur nga
policia për ndihmë, dhe në
distancë nga Komiteti i Partisë.
Përgjigje: Për vrasjen e Arben
Brocit hetimet vazhdojnë. Këtu
ka disa versione. Ka të dhëna
që është vrarë që në
fillim, kur demostruesit nuk ishin
shpërndarë. Ka të dhëna të
tjera që është vrarë kur
demostruesit janë shpërndarë. Pra, asnjë
dëshmi nuk përputhet me
njëra-‐tjetrën. Secili thotë një variant
më vete.
Pyetje: Në datën 1.4.1991, ora
3 e gjysmë të mëngjesit,
“forca të paidentifikuara” kanë shtënë
me breshëri disa herë në disa
anë të qytetit për të festuar
fitoren e Partisë së Punës. Ky
veprim ka eksituar masat.
Përgjigje: Nga të dhënat e
hetuesisë nuk ka dëshmi e
fakte që të vërtetojnë këto
thënie. Gjithashtu nuk ka dëshmi
që kjo ka eksituar masat. Kjo
është përgjigjja e hetuesisë.
Pyetje: Kush mban përgjegjësi
personale për informimin e rremë
që është dhënë në televizion në
datat 2-‐3-‐4-‐5 prill?
Përgjigje: Informimi i fillimit
është bërë sipas njoftimit që ka
ardhur nga kryetari i Degës
së Punëve të Brendshme të
rrethit të Shkodrës.
Pyetje: A i ka bërë analizë
teknike Qeveria këtij problemi,
kur dhe si? Po Presidenca a
e ka bërë?
Përgjigje: Qeveria ka bërë analizë
fillimisht në datën 4 prill
nga një informacion me të
dhënat që ekzistonin deri atëherë.
Ka vënë detyra për organet
përgjegjëse dhe ka ngarkuar ato
për hetimin e ngjarjes. Pas
përfundimit të hetimeve është
lënë detyra e analizës tjetër.
Kurse Presidenca ka marrë informacione
dhe ka vënë detyra për organet
varëse.
Pyetje: Ka të dhëna për ndikim
të partive politike në këtë
ngjarje? Përgjigje: Të dhëna
të sakta, fakte që hetuesia të
thotë se është implikuar kjo
ose ajo parti, nuk ka. Fakte
nga ana e hetuesisë për këtë
nuk ka.
-
Pyetje: Ka të dhëna që të
jetë urdhëruar goditja dhe vrasja
e viktimave? Përgjigje: Nuk ka
të dhëna. Disa pyetje më duket
se përsëriten, por kanë një
nuancë tjetër. Pyetje: Ka të
dhëna që të jetë qëlluar nga
lart dhe nga pas?
Përgjigje: Nuk ka asnjë goditje
nga lart-‐poshtë: Dy goditje janë
bërë nga pas,
një nga përpara, kurse në
drejtim të Arbenit anash. Plagët
janë të gjitha horizontale, në vijë
të drejtë.
Pyetje: Ka thashetheme që Azem
Hajdari ka qenë në Shkodër më
1 prill deri natën vonë
dhe më 2 prill është nisur
në mëngjes nga Tirana në
Shkodër me gazetarë të huaj. Sipas
hetuesisë, ka ndonjë influencë të
tij në këtë ngjarje?
Përgjigje: Zoti Hajdari mund t’i
përgjigjej vetë kësaj pyetjeje, po
ai nuk është këtu. Sidoqoftë,
më 1 prill ka qenë dhe më
2 prill ka vajtur me gazetarë
atje. A ka influencë të tij
në këtë ngjarje? Na e pret
mendja që po të kishte
influencë të tij në këtë
ngjarje, ajo nuk do të
zhvillohej, por me sa duket nuk
ka influencuar dot. Në një nga
diskutimet atje u tha se ka
folur një herë përpara Partisë
Demokratike për të qetësuar
grumbullin e njerëzve, por me sa
duket nuk e kanë dëgjuar.
I thashë këto ngaqë nuk është,
se po të ishte prezent, mund
të përgjigjej vetë.
Pyetje: Kemi dëgjuar se edhe
nga demostruesit ka pasur të
armatosur. Ç’thonë hetimet për këtë?
Përgjigje: Të dhëna konkrete për
armë nga demostruesit nuk ka,
por një polic është goditur me
armë zjarri. Është vërtetuar se
demostruesit kanë pasur lëndë plasëse
dhe djegëse.
Pyetje: Ç’punë është bërë nga
organet e hetimit për gjetjen e
shkaktarëve të djegies së godinës
të Komitetit të Partisë?
Përgjigje: Është ngarkuar një grup
që merret posaçërisht me këtë
punë, hetimet vazhdojnë, asnjë nuk
flet.
Pyetje: Cili është qëndrimi i
mësuesve ndaj nxënësve që organizuan
dhe morën pjesë në demonstratë?
Përgjigje: Nuk flasin, kanë frikë
me sa duket. Pyetje: Thuhet
se në organizimin e
demonstratës, si dhe në hedhjen
e
parullave destabilizuese kanë dorë
anëtarët e komisionit drejtues të
Partisë Demokratike. A ka të
dhëna hetimore për këtë?
Përgjigje: Nuk ka të dhëna
hetimore. Pyetje: Ngjarjet e 1
prillit fillojnë që në orën 3
e gjysmë me qitje, për fitoren
e
Partisë së Punës në votime. Ka
të dhënë për këtë? Përgjigje:
Nuk ka të dhëna hetimore që
të faktojnë këtë. Pyetje:
Ngjarjet e 2 prillit fillojnë
me manifestimin paqësor të nxënësve
të dy
shkollave të mesme para Komitetit
të Partisë së Punës dhe
vazhdojnë me thirrjen që shefi
i policisë u bën drejtuesve
të Partisë Demokratike të
rrethit për të ndihmuar në
shpërndarjen e manifestuesve. A është
e vërtetë kjo?
Përgjigje: Nuk na rezultoi kështu.
Nxënësit erdhën më vonë ose
rrugës u bashkuan me ata që
shkuan në shesh.
Pyetje: Dikush në shesh ka
thënë që do të vijnë edhe
nxënësit më vonë. A vërtetohet kjo?
Përgjigje: Ka dhe versione të
tjera që thonë se manifestimi
filloi direkt me nxënësit. Kjo nuk
na doli gjatë punës që bëri
komisioni atje.
Pyetje: Nga sa dëgjuam, ju më
tepër jeni marrë me pasojat,
kur analiza nis nga shkaqet.
Kush e mblodhi turmën te selia
e Partisë Demokratike, pse u
mblodhën, kush e drejtoi?
-
Përgjigje: Në fakt, si dhe
hetuesia, ne jemi marrë me
pasojën, sepse ajo është e
dukshme, edhe e rëndë, sigurisht,
por pa lënë shkakun në
harresë. Vetëm se shkaku fshihet me
fanatizëm, nën presionin e frikës
kudo në Shkodër. Kush e ka
futur këtë frikë? Nuk e di
tani, por në këtë drejtim
hetohet, për t’u gjetur shkaqet,
nxitësit. Nuk gjendet sot as
kush e risolli, për shembull,
trupin e Arben Brocit përsëri
në shesh. Ky është një akt
që i shërben vërtet nxitjes
së turmës. Mbasi vdiq, pse duhej
ta sillnin të vdekur e ta
ekspozonin aty? Kjo vetëm për
të nxitur. Mirëpo as ata njerëz
që e sollën, që janë parë
me siguri nga shumë veta dhe
dihet kush janë, nuk dalin të
thonë cilët janë.
Pyetje: Çfarë qëndrimi mbajtën
krerët e degës së Partisë
Demokratike me manifestuesit?
Përgjigje: Ditën e parë u morën
direkt me qetësimin e njerëzve
në shesh. Nga referimet e
drejtuesve të Partisë Demokratike në
Shkodër, thuhet se ata që
organizonin demonstrimin atje, u
bërtisnin dhe i akuzuan si
bashkëpunëtorë të polici-‐ së e
të komunistëve, prandaj, thonë
ata, ditën e dytë ne ishim
të konsumuar nga dita e parë,
kështu që nuk na dëgjonin.
Megjithatë, drejtuesit e Partisë
Demokratike shkuan bashkë me
drejtuesit e organizatave të tjera
politike në Komitetin Ekzekutiv
dhe bashkë me drejtuesit e këtij
komiteti ndoqën problemet e
përpunuan masat që do të
merrnin.
Aty u dha mendimi që të
merreshin përfaqësues nga demonstruesit,
por nuk arritën ta bënin
këtë, sepse ngjarjet precipituan shpejt
dhe nuk u arrit që të
frenoheshin.
Pyetje: Manifestimi, si i
kundërligjshëm, a nuk i rëndon
organizatorët? Këtë na sqaroni.
Përgjigje: Po. Manifestimi i
kundërligjshëm i rëndon, por
organizatorët janë akoma të
panjohur, nuk dihet cilët janë,
hetuesia s’i ka gjetur akoma.
Pyetje: Kemi dëgjuar se në
Radio-‐Shkodra është bërë thirrje për
përmbysjen e pushtetit. Dy të
panjohur kanë tentuar të japin
këtë lajm, por drejtori i
Radios nuk i ka lejuar.
Përgjigje: Drejtori nuk i njeh
cilët janë këta dy persona.
Pyetje: Thuhet që në ngjarjet e
Shkodrës ka pasur edhe nga
krerët e Partisë
Demokratike të qendrës. A mund të
hidhet dritë mbi këtë?
Përgjigje: Ka patur në datën 1
dhe 2 prill, por ata që
kanë qenë, është mirë të
referojnë vetë, kur nga ata
ka deputetë që janë këtu. Të
dhëna që të kenë influencuar
në këto drejtime nuk ka.
Pyetje: Ç’efekte do të bënte
dënimi pa faj i organeve për
revoltat e tjera që mund të
lindin?
Përgjigje: Shqetësimi që ngrihet
këtu është me vend. Edhe
Komisioni i posaçëm parlamentar e ka
patur parasysh shumë këtë çështje.
Ne jemi munduar të ndikojmë mbi
grupet hetimore që të mos
influencohen nga qenia jonë atje,
ose nga ajo që këtë problem
po e ndjekim dhe ne. Në
mbledhjet e tyre, sigurisht, u
kemi thënë që shikoni faktet,
të zbatohet ligjshmëria, të mos
ketë asnjë shkelje dhe të
veprohet në bazë të atyre
fakteve që keni konstatuar dhe
shikoni. Edhe nga të dhënat që
japin grupet e prokurorisë, del
që ligjshmëria është zbatuar në
këto hetime. Duke qenë kështu,
sigurisht, jemi përpjekur që të
mos dënohet njeri pa faj. Por
kjo, natyrisht, nuk lë mënjanë
që fajtorët të zbulohen. Edhe
në këtë drejtim puna e
hetuesisë zhvillohet. Këtë duhet ta
kuptojnë edhe njerëzit, edhe forcat
e rendit.
-
Pyetje: Sa i saktë është
deklarimi i ndonjë deputeti për
numrin 54 të të plagosurve, apo
është i rremë?
Përgjigje: Të dhënat ekzakte që ka
hetuesia janë ato të parat: 14
të plagosur, nga të cilët 11
qytetarë dhe 3 nga forcat
e rendit. Kush pretendon se ka
më shumë, edhe ata që kanë
refuzuar që janë kaq e aq,
nuk dorëzojnë lista. Sigurisht, ka
njerëz të tjerë që nuk janë
të plagosur, por të dëmtuar
në forma të tjera, që nuk
duan të vijnë në hetuesi.
Ndoshta fshihen nga frika se i
marrin e i pyesin, se futen
në telashe etj. Në Shkodër
flitej (nga takimet që bëmë) se
janë 50, janë 59 apo 40,
por lista ekzakte të dorëzuara
në hetuesi nuk ka. Kush i
ka, është mirë t’i dorëzojë.
Pyetje: Për këto grumbullime a
janë zbatuar rregullat e përcaktuara
me ligj? Përgjigje: Nuk janë
zbatuar. Grumbullimet janë të
jashtëligjshme. Pyetje: Përse të mos
thuhet në raport se Arben Broci
është ndër të thërriturit
për të shpërndarë grumbullimet paqësore
dhe që u vra duke kryer
këtë punë? Përgjigje: Përgjigjja
për këtë u dha në pyetjet
më lart. Pyetje: Si
shpjegohet që shumica dërrmuese e
anëtarëve të Komitetit të
Partisë kanë qenë të armatosur dhe
pse nuk u janë marrë armët
që më 2.4.1991? Përgjigje:
3-‐4 veta kanë pasur armë
“Trofe “. Pyetje: A janë
bërë ekspertizat e armëve të
tyre, për të parë cilat kanë
shtënë,
cilat jo? Përgjigje: Është bërë
ekspertiza dhe del se asnjë
armë nuk ka shtënë. Madje
nga të dhënat e hetuesisë thuhet
që ato kanë qenë me pluhur
e të papastruara. Pyetje: Në
një artikull të Rudolf Markut
thuhet se Arben Brocin e
ka vrarë
Xhorxhi Grabova. Ç’mund të konkludohet
për këtë ? Përgjigje:
Artikulli nuk qëndron. Në takimet
që patëm me të gjithë
drejtuesit e
partive politike, të Partisë së
Punës, të Partisë Demokratike
etj., u tha që ky artikull
nuk qëndron, dhe nga të dhënat
e hetuesisë del që artikulli
nuk ka pasur bazë, nuk është
i vërtetë.
Pyetje:Ç’mund të thuhet paraprakisht,
jemi para veprimeve terroriste,
veprimeve të bëra me dashje apo
para veprimeve të bëra nga
pakujdesia?
Përgjigje: Siç duket këtë pyetje
na e ka bërë ndonjë
specialist. Hetimet vazhdojnë. Sigurisht,
djegia e Komitetit të Partisë
është një akt i dënuar nga
të gjithë. Emërtimet “me dashje”,
“terroriste” ose “nga pakujdesia”
mund t’ia bësh çdo ngjarjeje në
mënyrë të veçantë, por që t’i
përkufizosh të gjitha bashkë ne
e kemi të vështirë. Sidoqoftë
këtë do t’ua lëmë hetimeve, të
cilat vazhdojnë dhe do t’u
japin emrin e tyre.
Komisionit të posaçëm parlamentar
dhe Kryesisë së Kuvendit Popullor
u kanë ardhur një sërë letrash
nga kolektiva, persona etj. Ato
janë shumë. Me disa prej tyre
mund t’ju njohim shpejt e
shpejt, që Kuvendi të ketë
njëfarë imazhi. Në njërën prej
tyre thuhet:
Shokut Kastriot Islami, Kryetar i
Kryesisë së Kuvendit Popullor.
Efektivi i Rajonit të Policisë
Nr. 2 Tiranë, si mbarë populli
shqiptar, po ndjek
me vëmendje punimet e Kuvendit të
parë pluralist në vendin tonë.
Ne ju urojmë suksese e
mbarësi në punën tuaj. Jemi të
shqetësuar dhe u detyruam t’ju
shkruajmë, pasi në datën 26.4.1991
nëpërmjet televizionit dhe shtypit
dëgjuam e lexuam njoftimin e
paraqitur nga Komisioni i posaçëm
parlamentar i ngritur nga Kuvendi
Popullor për të ndjekur ecurinë
e hetimeve rreth ngjarjeve në
Shkodër. Nga ky njoftim
konstatojmë se Komisioni është munduar
të paraqesë drejt tablonë e
ngjarjes, por jo të autorëve të
saj dhe ne mendojmë se për
këtë arsye ky
-
njoftim është i njëanshëm. Në
këtë njoftim nuk del cilët ishin
nismëtarët e grumbullimit të
paligjshëm në datën 1.4.1991, ku
janë hedhur parulla irrituese, si:
“nuk e duam komunizmin”, etj.
Pra, siç mund të konstatohet
lehtë nga kushdo, në këtë
material, në mënyrë të njëanshme,
jepen vetëm pasojat dhe jo
shkaqet, shkaktarët e grumbullimit.
(Ka reagime nga salla)
Kastriot Islami -‐ Ju lutemi,
mos flisni pa leje! Është një
grup parlmentar, të cilit i
kemi dhënë detyrën të hartojë
një informacion. Është një material
që e kanë paraqitur 10 veta
me firmë. Këtë e ka
gjykuar vetë komisioni i posaçëm
parlamentar, të cilin e miratuat
ju. Bëni vërejtje mbasi të
mbarojë informacioni.
Ajli Alushani -‐ Ne, si komision
parlamentar, kemi menduar t’ju japim
3-‐4 nga këto materiale dhe
pastaj Kuvendi le ta çmojë.
Në një letër tjetër thuhet: “Për
ne është naivitet konkluzioni se
turma u irritua nga qëndrimi i
forcave të rendit. Na falni
për fjalën ndoshta të
papërshtatshme që përdorëm, por
duam t’ju kujtojmë se grumbullimet
e paligjshme, aktet vandaliste me
pasoja të rënda sociale e
ekonomike kanë ndodhur në disa
raste muajt e fundit dhe
populli jo vetëm i dënoi me
forcë, por dhe kritikoi forcat
e rendit për gjakftohtësi të
tepruar etj., etj. (Ka përsëri
reagime nga salla dhe deputetë
që kërkojnë të flasin.)
Kastriot Islami -‐ Ju lutem, mos
flisni pa leje! Të procedojmë
siç ka vendosur komisioni i
posaçëm parlamentar. (Ka insistim
nga disa deputetë për të folur
pa lejen e Kryetarit të
seancës.)
Seanca pezullohet. Kryesitë e grupeve
parlamentare të paraqiten në Kryesi!
* * *
Kastriot Islami -‐ Rifillojmë punimet.
Ne si Kryesi jemi të
shqetësuar lidhur me zbatimin e
Rregullores. Edhe një
herë tjetër ju bëjmë thirrje që
këtë frymë mirëkuptimi, në kuadrin
e zbatimit të Rregullores, ta
kemi gjithmonë parasysh.
Fjalën e ka deputeti Neritan Ceka.
Neritan Ceka -‐ Zoti Kryetar,
Bashkohem me mendimin tuaj për
të ndjekur rrjedhën e qetë, por
logjike të zhvillimit të
punimeve të Kuvendit. Ftoj të
gjithë anëtarët e grupit tim
parlamentar që të respektojnë
Rregulloren e përkohshme, të cilën
e miratuam të gjithë së bashku
dhe shpjegoj se protesta, ndërhyrja
ime u shkaktua për të ruajtur
pikërisht rrjedhën e qetë të
këtyre punimeve, për të mos
lejuar që të kalojmë jashtë
kompetencave të ngarkuara nga Kuvendi
dhe për të mos u ofenduar
Kuvendi në një mënyrë të
padrejtë.
Kastriot Islami -‐ Fjalën e ka
deputeti Emin Musliu. Emin
Musliu -‐ I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë, Komisioni
i Kuvendit Popullor, i ngarkuar
nga ky Kuvend për ndjekjen
e
ngjarjeve të Shkodrës, gjatë gjithë
periudhës së tij mund t’ju
themi se ka punuar në unitet
të plotë mendimi dhe veprimi.
Qoftë informacioni i parë që iu
dha Kuvendit Popullor, qoftë
konkluzionet që dhamë sot, janë
mendimi i përgjithshëm i
komisionit parlamentar që ngriti Kuvendi
Popullor. Gjithashtu ne si
komision parlamentar shqyrtuam edhe
pyetjet, si dhe vërejtjet e
ndryshme që u bënë me shkrim
nga ana e deputetëve, për të
cilat dhamë ato përgjigje në
fazën që njohim gjer më sot.
Dhe kjo çështje, si
-
të thuash, është bërë me
miratimin e plotë të të
gjithë anëtarëve të komisionit
parlamentar.
Për sa i përket problemit të
leximit të letrave, këtu, të
na falni, ka një keqkuptim.
Një pjesë e anëtarëve të
komisionit menduan që letrat të
lexohen aty ku ishin, kurse
një pjesë menduan që letrat të
lexohen këtu në Kuvend. Ne
që pamë disa nga këto letra
menduam se do të ishte në
dobi të çështjes që të jepnim
një njoftim për 2-‐3 nga këto
letra, për arsye se atakohej,
si të thuash, me pa të
drejtë puna e komisionit parlamentar,
duke i adresuar edhe disa fjalë
fyese. Këtë çështje e pamë
edhe një herë në grupin tonë
dhe kemi menduar që të
gjitha problemet që kanë të bëjnë
me ngjarjet e Shkodrës t’i
çojmë deri në fund, me drejtësinë
më të madhe.
Në këtë çështje ne ju
kërkojmë ndjesë që nuk vepruam
si duhet. Mund të kishim thënë
që ka edhe letra të ndryshme,
të ardhura në adresë të
Kuvendit, që mund të lexoheshin
më vonë. Nuk ishte mendimi i
deputetit Ajli Alushani për të
lexuar letrat këtu në Kuvend,
por ishte mendimi i një
pjese të grupit të deputetëve. Ne
për këtë çështje ju kërkojmë
ndjesë, se, siç u pa,
kishte edhe keqkuptime. Ne e sqaruam
këtë punë si grup i tërë
dhe menduam të dalim me këtë
shpjegim për sa i përket
leximit të letrave. Prandaj edhe
një herë ju kërkojmë falje për
këtë punë.
Për sa u përket pyetjeve që
mund të kenë deputetët, do t’u
luteshim shumë që t’i bëjnë në
sekretari, mbasi të gjitha veprimet
që kemi kryer deri tani
kërkojnë të jemi korrektë, të
mos dalim me mendime të
ndryshme, por, pasi t’i diskutojmë,
t’i rrahim me radhë, t’u japim
në këto momente të caktuara
përgjigje të saktë dhe sa më
të drejtë. Ky ka qenë synimi
ynë. Të gjithë deputetët e
angazhuar në këtë komision kanë
kërkuar që të dalë e
vërteta ashtu siç është për të
gjitha problemet e Shkodrës. Nëse
ia kemi arritur ose jo kësaj,
është vlerësimi që do të bëjnë
të gjithë deputetët e Kuvendit
Popullor për këtë punë, por
drejtësia ka qenë çështja më
themelore që na ka udhëhequr
në tërë punën tonë. Mund
të kemi edhe gabime, që nuk i
përjashtojmë, prandaj vërejtjet dhe
sugjerimet do të na ndihmojnë
shumë.
Falemnderit! Sali Berisha -‐
Kisha një pyetje për deputetin
Musliu. Zoti Musliu, ju
jeni në dijeni të përgjigjeve që
u dhanë? Janë të miratuara
unanimisht ato përgjigje që u
dhanë nga kryetari i komisionit
tuaj? Emin Musliu -‐ Të
gjitha përgjigjet që dha kryetari
i komisionit parlamentar i
kemi parë në komision dhe me
ato mendime kemi dalë që
të gjithë, nuk ka ndonjë shok
që të këtë mendim tjetër. Sa
janë të vërteta, sa janë të
drejta, këtu mund të ketë
ndonjë pasaktësi, ndonjë mangësi. Ne
këtë çështje nuk e kemi
mbyllur deri në fund dhe do
të kërkojmë që çdo gjë të
jetë me saktësinë më të madhe.
Kastriot Islami -‐ Fjalën e ka
deputeti Sadedin Balla. Sadedin
Balla -‐ Nuk jam i një
mendimi me zotin Musliu, sepse
në një çështje
kaq të thjeshtë për leximin e
letrave ky thotë që kemi rënë
në një unitet mendimi e
veprimi, ndërsa këtu deklaron që
një pjesë e grupit e dinte
që duheshin lexuar letrat këtu,
një pjesë tjetër jo. Atëherë,
unë si deputet si mund të
gjykoj në këtë rast kur një
anëtar i grupit ngrihet e
proteston atje? Ky paska qenë
uniteti i mendimit të këtyre?!
Emin Musliu -‐ Me leje.
Kastriot Islami -‐ Fjalën e ka
deputeti Emin Musliu.
-
Emin Musliu -‐ Për sa i
përket njoftimit të parë kemi
rënë të gjithë në unanimitet
të plotë, nuk ka pasur
asnjë nga anëtarët e komisionit
që të kishte mendim tjetër.
Përsa i përket njoftimit që
mori sot Kuvendi, edhe për këtë
kemi qenë të gjithë dakord,
me shkallën e njohjes që kemi
pasur, dhe e kemi firmosur të
gjithë.
Për sa i përket përgjigjes së
pyetjeve, që janë bërë, edhe
për këtë kemi rënë në
unanimitet të plotë.
Për sa i përket leximit të
letrave ka një keqkuptim, një
pjesë menduan se do të
lexoheshin aty ku ishin, një
pjesë menduan se do të
lexoheshin këtu në Kuvend. Thamë
të lexohen 2-‐3 letra. Për këtë
nuk kemi rënë në mendim të
plotë.
Kastriot Islami -‐ Ashtu siç e
tha dhe deputeti Musliu, në
qoftë se keni pyetje ose
vërejtje, depozitojeni me shkrim në
sekretari. Në punën e tyre
ata kanë vendosur që të
përgjigjen si grup në mënyrë
unanime. Ndërsa për sa u
përket diskutimeve, i rifillojmë në
orën 17.00.
Seanca e pasdites, date 3.5.1991,
e premte Kastriot Islami -‐
Të nderuar deputetë, rifillojmë
punimet. Fjalën e ka
deputeti Gramoz Ruçi. Sali
Berisha -‐ Mendoj se duhet të
procedohet me pyetjet rreth raportit
dhe
pastaj të vazhdojmë me diskutimet.
Kastriot Islami -‐ Në
seancën e paradites thashë që të
gjitha pyetjet dhe
sugjerimet t’i depozitonit në
sekretari, në mënyrë që komisioni
i posaçëm parlamentar të përgjigjet
në mënyrë unanime, siç ka bërë
deri tani.
Gramoz Ruçi -‐ I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë, Para
se të jap shpjegime për
ngjarjet e Shkodrës, desha të
shpreh mendimin
tim në lidhje me propozimin që
bëri komisioni parlamentar për
shkarkimin tim nga detyra e
Ministrit të Punëve të Brendshme.
Është problem tjetër nëse
Kryeministri, Presidenti ose Kuvendi
do të më ofrojnë një vend
të tillë në Qeverinë e re
dhe nëse unë do ta pranoj,
dhe është gjë tjetër propozimi
që bëhet nga komisioni parlamentar.
Për arsyet që do të them
më poshtë dhe shpjegimet që do
të jap, më duket i pabazuar.
Ministria e Punëve të Brendshme
dhe unë personalisht kam qenë i
informuar për grumbullimin e
paligjshëm të datës 1 prill në
Shkodër me ata pjesëmarrës, kërkesa
e parulla që është informuar
edhe Kuvendi nga komisioni i
posaçëm parlamentar në informacionin
e parë.
Meqenëse kishte shkaqe për të
menduar për një grumbullim tjetër
të jashtëligjshëm në datën 2
prill, Ministria ka dhënë porosi
që, në radhë të parë, të
bëheshin përpjekje me forcat politike
dhe ato të pushtetit të rrethit
që të evitohej grumbullimi dhe,
së dyti, për respektimin e
kërkesave të ligjit për mbledhjet
e grumbullimet të angazhoheshin
forcat e vetë rrethit.
Në datën 2 prill, në orët
e para të orarit të
punës, jam informuar se në
Shkodër ishte realizuar grumbullimi
i paligjshëm dhe turmat po
demonstronin përpara Komitetit të
Partisë së Punës. Më vonë,
rreth orës 9, më ka informuar
kryetari i Degës së Punëve të
Brendshme të rrethit të Shkodrës
se gjendja është e rëndë,
pjesëmarrja në demonstratë është e
madhe, një masë e konsiderueshme
janë të irrituar kundër forcave
të rendit, me këto forca
që kemi është e pamundur të
sigurojmë qoftë edhe objekte të
tjera, ndaj kërkoj forca, si
dhe pyeti
-
nëse të vinte në lëvizje
transportuesit e blinduar. Iu
përgjigja se forca nuk do t’i
dërgoheshin, ndërsa çështja e
transportuesve të blinduar ishte në
kompetencë të tij.
Megjithatë, duke rivlerësuar informacionin,
bashkë me shokët drejtues që
ishin të pranishëm kur fola
me kryetarin e degës, vendosëm
të nisej Drejtori i Drejtorisë
së Policisë dhe një forcë e
gatshme. Mbas marrjes së këtij
vendimi nuk mora më informacion
tjetër se shkova në mbledhjen e
Presidencës, e caktuar një ditë
më parë, ku do të raportoja
për gjendjen dhe problemet në
shkallë vendi pas zgjedhjeve.
Para se të futesha në mbledhje,
pyeta në telefon zëvendësministrin,
i cili më tha se sapo më
njoftuan që në Shkodër ka një
të vrarë, por nuk kam
informacion për rrethanat e vrasjes.
Duke raportuar në mbledhjen e
Presidencës, më informojnë nga
Ministria se në Shkodër janë
vrarë edhe dy qytetarë të
tjerë, është djegur Komiteti i
Partisë së Punës, si dhe janë
plagosur disa të tjerë, numri i
të cilëve nuk dihet.
Dy fjalë e shpjegime për njoftimin
e Ministrisë për mjetet e
propagandës. Njoftimi, siç u tha
edhe nga komisioni parlamentar,
është përpiluar nga
zëdhënësi i Ministrisë se Punëve
të Brendshme mbi bazën e
informacionit të Degës së Punëve
të Brendshme të Shkodrës, i cili
nuk mund të ishte përfundimtar
për dy arsye: e para, situata
vazhdonte të shtjellohej dhe, e
dyta, informacionin e dha kryetari
i Degës së Punëve të Brendshme,
që ishte në kryerje e sipër
të detyrës, gjendja psikologjike
e të cilit nuk mund të
mos merret në konsideratë. Megjithëkëtë,
në kushtet që u krijuan,
opinioni duhej informuar paraprakisht dhe
ky qe qëllimi i vetëm i
njoftimit.
Për këto arsye që u përmendën,
në njoftim nuk shprehej se
ç’pasojë erdhi, e para, cila
e dyta apo e fundit. Renditja
e fjalëve në njoftim, që
interpretohet si radhë për kohën e
pasojave, nuk ka patur për
qëllim radhën e ardhjes së
tyre, që ishin vërtetuar në atë
kohë e të tjera që u
vërtetuan edhe më vonë.
Radhitja me qëllim, siç dyshohet,
për të dizinformuar opinionin se
vrasja e katër personave
justifikohet nga djegia e komitetit
të Partisë së Punës, do të
ishte naivitet. Një dizinformim i
tillë nuk do t’i rezistonte
as momentit fillestar për qytetin
e Shkodrës dhe aq më tepër
për opinionin në shkallë vendi.
Dua të sqaroj Kuvendin se dy
ditë pas ngjarjes së Shkodrës
unë si Ministër i Brendshëm kam
raportuar para Qeverisë, ku
kronologjia e ngjarjes ishte ashtu
siç ka ndodhur dhe që këtu
e bëri prezent informacioni i
parë që iu dha këtij
Kuvendi nga komisioni i posaçëm
parlamentar.
Vlerësimi, masat dhe konkluzionet tona
paraprake: Mbi bazën e
informacionit që kishim, analizuam
situatën dhe vendosëm të
shihej gjendja në vend nga
një grup kuadrosh nën drejtimin
e një zëvendësministri, që kishte
si synim kryesor analizën e
ngjarjes, zbulimin e shkaqeve, të
shkaktarëve dhe për të përcaktuar
përgjegjësitë.
Mbi bazën e informacionit të
marrë paraprakisht, qysh në datën
4 prill u vendos pezullimi
nga puna i kryetarit të degës
dhe shefit të policisë të
rrethit të Shkodrës, mbasi
paraprakisht dilte se nuk kishin
marrë masat e duhura për të
parashikuar, parandaluar e përballuar
situatën e pritshme e që
me vonë u bë fakt.
Ekipi i kuadrove të dërguar në
Shkodër u plotësua nga të tjerë
të profilizuar, që e prekën
më në detaje punën e Degës
së Brendshme të Shkodrës në
përgjithësi, por pa e shkëputur
atë nga ngjarjet konkrete.
-
Për dobësitë e konstatuara u
vendos shkarkimi i kryetarit të
degës, i shefit të policisë,
nxjerrja në lirim e rezervë,
transferim e ulje në detyrë të
disa kuadrove të tjerë. Por
këto analiza nuk ngarkuan në
përgjegjësi asnjë kuadër ose punonjës
tjetër për vrasjen e katër
qytetarëve. Sigurisht që ky nuk
është një konkluzion i organit,
por rezultat i një analize
të bërë duke pyetur persona
dhe kryer verifikime të tjera.
Konkluzionin do ta japë hetimi
i plotë i çështjes që
përfshin eksperimentime shkencore dhe
analizën e tërësisë së provave
që do të grumbullohen.
Nga analizat nuk rezultoi ajo që
është përfolur shumë dhe me të
drejtë, po jo dhe pa teprim,
që dikush të ketë dhënë
urdhër për të hapur zjarr
që të vriten njerëz. Dëshiroj dhe
e quaj të domosdoshme të
sqaroj, në radhë të parë,
Kuvendin se as mua nga
varësit e mi dhe as unë
nga eprorët e mi nuk kam
kërkuar dhe nuk më është
kërkuar që në një situatë të
tillë të qëllohet me armë
zjarri dhe se gjatë kohës
së ngjarjeve të Shkodrës Presidenca
ka qenë në mbledhje dhe unë
në raport tek ajo.
Së dyti, forcat e rendit janë
ndodhur dhe herë të tjera para
rasteve analoge, madje edhe më
ngacmuese për ndjenjat e popullit
dhe drejtuesit e tyre nuk kanë
dhënë urdhër për të shtënë me
armë zjarri mbi ta.
Së treti, një urdhër që sjell
pasoja të tilla, për vetë
rrugën që ndjek kur jepet nga
komanda, siç është Ministria,
qoftë edhe nga kryetari i degës,
nuk shmang dijeninë për përmbajtjen
e tij të shumë kuadrove dhe
punonjësve të tjerë, gjë që e
bën më të konstatueshëm faktin
edhe një analizë e thjeshtë,
për më tepër e arrin këtë
një hetim i mirëfilltë.
Së katërti, dhënia e urdhrit
për të qëlluar në turmë do
të ishte i papranueshëm për
cilindo pjesëtar të forcave të
rendit. Papranueshmëria ka të bëjë
me formulimin e qartë që i
është bërë nga neni 5 i
dekretit “Për përdorimin e armëve”,
ku shprehet: “Armët e zjarrit
nuk lejohet të përdoren në
vende publike, ku ka mbledhje
e grumbullime njerëzish dhe vihet
në rrezik jeta e tyre”.
Ky formulim, përveç porosive të
dhëna herë pas here organeve të
bazës, është i plotë për të
mos qëlluar me armë zjarri mbi
turmën e njerëzve. Rregullorja që
do të merret për zbatimin e
paragrafit që u citua, as mund
të mendohet se do të zgjerojë
kompetencat e forcave të rendit.
Megjithatë, nga ana ime, me
marrjen e detyrës së re, për
rregulloren që bëhet fjalë edhe
në konkluzionet e komisionit
parlamentar, kam ngritur grupin e
punës për kufirin më vete
dhe për policinë më vete, grupe
këto që kanë punuar atë
mbasi kanë marrë edhe mendimin
e specialistëve të bazës, i
kanë ripunuar dhe ato tashmë
janë të miratuara.
Do të më falni të shpreh
në lidhje me kërkesën e
mësipërme të dekretit një përfundim
që arrin kushdo: djegia e
komitetit të Partisë së Punës
nuk do të justifikonte dhe nuk
justifikon vrasësit. Megjithëkëtë, ne
si organe që mbajmë armë,
por dhe të ngarkuar posaçërisht
me gjurmimin, zbulimin dhe nxjerrjen
e së vërtetës, jemi përpara
faktit të dhimbshëm të të katër
të vrarëve, duke u kufizuar
për të përmendur pasojat e
tjera të Shkodrës.
E ndiejmë se vështirësitë janë të
mëdha, por jo të pakapërcyeshme.
Natyrisht, punën e udhëheq
hetuesia. Paanshmëria e saj dhe
gjithanshmëria e hetimeve janë kusht
përcaktues për të arritur tek e
vërteta. Me provat materiale, siç
janë plumbat, ajo i ka më
të mëdha mundësitë të përcaktojë
se cila armë, pra, cili
person, të paktën nga radhët
e forcave të rendit, ka
sjellë pasojën. Kjo është shumë e
rëndësishme. Por për të pasur
tablonë e plotë të shkaqeve,
nuk do të
-
mjaftonte as kjo dhe as
indentifikimi i autorëve të djegieve
e shkatërrimeve. Këto kanë pasuar
njëra-‐tjetrën. Fillimi ishte tek
organizimi i turmave në një
demonstratë të paligjshme. Në fakt
fillimi është më i hershëm, që
në datën 1 prill, me mendimin
që është shprehur nga pjesëtarët
e turmës për t’u mbledhur
përsëri në datën 2 prill.
Tabloja do të ishte e plotë
kur të marrë përgjigje pyetja:
cilat forca ishin të interesuara
për këtë ngjarje, që ka
një fillim të kundërligjshëm dhe
një pasojë tragjike? Janë partitë
politike të interesuara? Ne, Ministria
e Punëve të Brendshme, nuk i
përgjigjemi dot pozitivisht kësaj
pyetjeje. Ndër të tjera ka një
arsye që mendoj se vlen të
merret me konsideratë nga ne
dhe hetuesia e më gjerë. Kjo
qëndron qoftë dhe te parullat
që janë hedhur. Ka nga ato
parrulla, si “Shkodra Republikë”, që
nuk mund të ketë parti politike
në Shqipëri t’i përkrahë. Janë
të tjerë ata që përpiqen e
dëshirojnë që Shkodra të jetë
tjetër nga ajo që është.
Ose, ndërsa hetuesia jonë nuk
futet dot as pas 2 ditësh
për të kryer detyrën, telekronisti
i Malit të Zi, siç del
nga kronika e filmuar që dha
televizioni i tij, u ndodh
në vend dhe i përgatitur për
të filmuar ngjarjen. Ose një
moment tjetër: kush përfitonte nga
transmetimi nëpërmjet Radio-‐Shkodrës i
lajmit që Tirana ra etj.,
etj.? Atëherë lind pyetja: kush
janë këto forca brenda apo jashtë
kufijve të Shqipërisë të interesuara
për këtë tragjedi?
Është detyra jonë, bashkë me
organet e tjera të specializuara,
që të zhbirojmë të vërtetën,
të cilën do të përpiqemi ta
arrijmë, pavarësisht nga vështirësitë
që shtrihen edhe në kohë. Por
për këtë na duhet edhe
kontributi i forcave politike, edhe
ai i popullit të Shkodrës, që
jemi të bindur se nuk do
ta kursejë, siç nuk e ka
kursyer asnjëherë. Jo për të
vënë para përgjegjësisë dy apo
tre persona kërkohet të sqarohet
kush i shtyu nxënësit e dy
shkollave për të dalë në
demonstratë. Jo për të bërë
aludime të kota, jo për të
shpërndarë përgjegjësinë e forcave
të rendit, por për të shkuar
tek e vërteta kërkojnë shpjegime
nga ekspertë të shumë fushave
e më të mirët e vendit:
ç’lloj arme ka shkaktuar vdekjen
e Arben Breeeeocit, që më tepër
del se është goditur nga brinja
sesa nga prapa apo nga shpina,
plaga e të cilit nga përmasat
nuk justifikon armët që disponojmë?
Ç’mjet apo armë i ka shkaktuar
tri plagë në shpinën e një
viktime tjetër, dy prej të
cilave janë sipërfaqësore, ndërsa
e treta, megjithëse vdekjeprurëse, nuk
ka as daljen dhe as mbetje
plumbi apo materiali tjetër në
trup sipas rezultatit të autopsisë?
Plumbi i gjetur në trupin
e viktimës së tretë, i kujt
pistolete është? Kështu,
shkallë-‐shkallë mendojmë se e
vërteta do të ndriçohet plotësisht
dhe bashkë me të edhe
përgjegjësitë. Sa parashtrova më lart,
qëndrojnë edhe në themel të
shkaqeve pse nuk është mbledhur
kolegjiumi i Ministrisë së
Punëve të Brendshme për të bërë
analizën përfundimtare. Pra, para
nesh këto e të tjera
probleme janë objekt i punës
sonë dhe i organeve tona
për të na çuar në këtë
analizë të shumëpritur përfundimtare
dhe për përgjegjësitë përkatëse.
Kemi dëshirë që të arrijmë
shpejt ku kërkon Kuvendi, mbareeeeë
opinioni, por duam që çdo hap
ta hedhim me siguri, të mos
bëjmë gabime, që do të linin,
në mes të tërën, pjesë të
saj në errësirë. Për këtë
po punohet dhe do të mbështesim
akoma më mirë organet e
hetimit.
Falemnderit! Kastriot Islami -‐
Fjalën e ka deputeti Blerim
Çela. Blerim Çela -‐ I
nderuar Kryetar, Të nderuar
deputetë,
-
Dëgjuam me vëmendje për së
dyti konkluzionet e komisionit të
posaçëm parlamentar. Është e
pamohueshme puna e këtij komisioni,
por raporti i dytë nuk
solli asgjë të re përveç disa
lirimeve nga detyra. Raporti i
parë na dha shpresën se po
shkohej drejt së vërtetës,
ndërsa ky i sotmi tregoi se
puna ka ngelur në vend
numëro, madje do të thosha se
konkluzionet bien erë monizëm, pa
përmendur letrat që na u
lexuan padrejtësisht nga zoti Alushani.
Me këtë veprim komisioni
parlamentar e tejkaloi detyrën e
tij, sepse Kuvendi Popullor qëndron
mbi çdo opinion, i kujtdoqoftë
ai, aq më tepër i një
rajoni policie.
Grupit tonë parlamentar i kanë
ardhur shumë peticione, me mijëra
firma për ngjarjet e Shkodrës,
me kërkesën që të lexohen
në Kuvend. Leximi i tyre këtu
nuk do të ishte i drejtë,
jo vetëm që të mos
influencohej Kuvendi, por dhe për
mungesë kohe e ngecje në
vend të punimeve e sidomos për
të mos ngritur tensionet, të
cilat po mundohemi t’i ulim. Në
këtë kuptim është e lavdërueshme
puna e këtij Kuvendi, ku
është krijuar një atmosferë
mirëkuptimi, që po jep ndikimin e
vet pozitiv edhe në popull.
Zoti Alushani u dha përgjigje disa
pyetjeve që fare mirë mund t’ua
jepte zoti Gramoz Ruçi, në një
kohë që ai kërkoi t’u jepej
përgjigje nga zoti Azem Hajdari
disa pyetjeve të tjera. Për
zotin Hajdari do të përgjigjem
unë, meqë isha me të në
Shkodër pas ngjarjeve të
paradites së 2 prillit të këtij
viti. Po e shpjegoj rrjedhimisht
e kronologjikisht ngjarjen:
Në të gdhirë të datës 1
prill 1991 janë dëgjuar breshëri
të gjata automatiku nga Dega e
Punëve të Brendshme të Shkodrës
për të festuar fitoren numerike
të Partisë së Punës në
zgjedhjet e 31 marsit. Një gjë
e tillë e acaroi popullin
shkodran dhe jo humbja numerike
e Partisë Demokratike në këto
zgjedhje. Ky qe një provokacion
i hapur ndaj popullsisë
demokratike shkodrane, që protestoi
paqësisht para Komitetit të Partisë
së Punës në mbasditen e datës
1.4.1991. Në atë kohë atje
ka qenë edhe zoti Hajdari, i
cili kontribuoi për shpërndarjen
e demostruesve dhe u kthye në
Tiranë po atë natë.
Në datën 2.4.1991, ora 8, kishim
mbledhje në Selinë e Partisë
Demokratike. Kur po vazhdonim
mbledhjen telefonoi dega e Partisë
Demokratike në Shkodër për vrasjen
e Arben Brocit. Doktor Sali
Berisha kërkoi të shkonim urgjentisht
në Shkodër zoti Azem Hajdari,
zoti Edmond Tako dhe unë. U
nisëm rreth orës 10.30 nga
Tirana dhe mbërritëm në Shkodër
pas rreth 2 orësh, kur po
digjeshin Komiteti i Partisë së
Punës dhe tanket e policisë. I
bëmë thirrje popullit me megafon
nga tarraca e Radio-‐Shkodrës që
të shpërndahej, të qetësohej,
duke i thënë se Partia Demokratike
është kundër dhunës dhe marrjes
së pushtetit me gjak. Madje aty
edhe na kanë ofenduar duke na
thënë spiunë, provokatorë etj.
Populli u shpërnda pasi i premtuam
se do të gjendeshin fajtorët
dhe për këtë do të jepej
një komunikatë në Radio-‐Shkodra
nga zoti Azem Hajdari. Ne u
larguam nga tarraca menjëherë kur
pamë se populli po shpërdahej,
po ndërkohë megafonin filluan ta
merrnin njerëz të tjerë të
panjohur, që mund të flisnin
edhe për destabilitet. I thamë
drejtorit të Radio-‐Shkodrës, zotit
Gëzim Podgorica, që t’ua merrte
megafonin dhe ashtu u veprua.
Radio-‐ Shkodra nuk ka thënë
ndonjëherë që Tirana ra, por
kjo është thënë nga turma. Zoti
Azem Hajdari ngeli në Radio-‐Shkodra
për të formuluar komunikatën,
ndërsa unë së bashku me dy
shokë të Partisë Demokratike (midis
tyre ishte dhe zoti Agustin
Shqalësi që është këtu deputet)
shkuam te kryetari i Degës së
Punëve të Brendshme të rrethit
të Shkodrës. Theksoj se kryetari i
Degës së Punëve të Brendshme
ishte i qetë dhe biseduam me
të në mënyrë shumë paqësore.
Pra, dhënien e lajmit të
gënjeshtërt
-
ai e ka bërë me ndërgjegje
të plotë, për të shmangur
përgjegjësinë e vetes e të
varësve të tij. Prandaj nuk
jam dakord me zotin Ruçi se
duhet marrë parasysh gjendja
psikologjike e tij. I thamë
atij që të mos nxirrte policë
në qytet, se populli ishte
tepër i acaruar nga vrasjet. Ai
na tha se janë plagosur rëndë
shefi i policisë e 10 policë
dhe është vrarë një polic. Këto
ishin gënjeshtra, pasi zoti Ali
Spahia, me cilësinë e mjekut, i
pa me sytë e tij që ishin
vetëm dy policë të frikësuar
dhe asgjë më shumë.
Kur u dha lajmi në televizion
se u dogj Komiteti i Partisë
dhe pastaj u vranë vandalët,
siç i quajtën, dhe se ishin
thyer xhamat e selisë së
degës së Partisë Demokratike, populli
u irritua më shumë, sepse ato
ishin mashtrim e gënjeshtër e
paskrupullt. Përveç të tjerave,
xhamat e selisë së degës së
Partisë Demokratike nuk ishin thyer.
Gjatë kohës që ne ishim aty
zbrazeshin breshëri automatiku, duke
terrorizuar psikologjikisht popullin. Madje
dhe unë vetë me popullin kam
vrapuar disa herë, se nuk
merrej vesh nga vinte plumbi.
Breshëritë vazhduan me ndërprerje
deri në orët e vona të
natës. Në rrugë, pasi u err,
nuk kishte kalimtarë përveç forcave
të ruajtjes së rendit. Të
nesërmen u gjetën të thyer dy
xhama të selisë së degës të
Partisë Demokratike.
Në takimin që patëm në zyrën
e kryetares së Komitetit
Ekzekutiv, shoqes Tereza Marubi, unë
e akuzova direkt kryetarin e
Degës së Punëve të Brendshme të
Shkodrës për thyerjen e xhamave
të selisë së degës së
Partisë Demokratike, duke e cilësuar
si një akt që donte të
konfirmonte lajmin e gënjeshtërt se
u thyen edhe xhamat e selisë
së degës se Partisë Demokratike,
të cilët, derisa u err e
nuk kishte këmbë njeriu në
qytet, ishin në rregull. Pas
kësaj aty kishte vetëm policë.
Kush i theu xhamat? Logjika
më elementare të tregon se
ato i thyen forcat e
ruajtjes së rendit. Mund t’ju
duket e habitshme, por kështu
është.
Në datën 19.4.1991 aktivistët e
Partisë Demokratike të Shkodrës
kapën një person nga Postriba
duke thyer xhamat e autobusëve
e të dyqaneve të Parrucës. Atë
e dorëzuan në Degën e Punëve
të Brendshme, por për çudi ndaj
tij nuk u mor asnjë masë,
sepse u quajt i sëmurë
psikik. Kujt i shërben ky
qëndrim? Qofsha i gabuar, por
më duket se këto veprime bëhen
me qëllim që Ministrisë së
Punëve të Brendshme t’i lihet
dorë e lirë për të vepruar
pa kufi. Ngjarjet e Lezhës e
më vonë ato të Milotit
ishin të turpshme, por zoti
Gramoz Ruçi, kur raportoi për
Lezhën, i vuri fajin vetëm
popullit. Populli kërkon qetësi e
stabilitet ekonomik. Përse zoti
Gramoz Ruçi nuk nxjerr përgjegjësinë
e Ministrisë së Punëve të
Brendshme për këto akte? Përse
nuk u kapën thashethemexhinjtë
dhe organizatorët e ngjarjeve të
Lezhës që në embrion? Përse nuk
u arrestuan e u dënuan
vandalët e plaçkitësit e dyqaneve?
Policia duhet të kryejë detyrën
e saj me mjetet që i ka
vënë në dispozicion ligji, me
shumë rigorozitet, që rrugaçët të
dënohen ashpër. Jo çdo person
që ngre dy gishtat lart
është anëtar i Partisë Demokratike
apo demokrat. Të ngresh dy
gishtat e të shkatërrosh nuk
je demokrat, por antidemokrat.
Për këta njerëz nuk duhet pasur
mëshirë. Ata e kërcënojnë dhe
e prishin demokracinë dhe frymën
e mirëkuptimit kombëtar.
Partia Demokratike e ka thënë dhe
e deklaron se nuk ka asgjë
të përbashkët me ta dhe
distancohet në mënyrë kategorike prej
tyre. Është për të ardhur keq
që hetuesia më shumë është
marrë me hetimin e organizatorëve
të demonstratës, djegien e
Komitetit të Partisë së Punës e
të tankeve të policisë sesa
me shkaktarët e dhunimeve,
plagosjeve e vrasjeve të popullit.
Vrasja qe shkaku e djegia
pasoja. Hetuesia u mor me
pasojën dhe rezultati vazhdon të
jetë i
-
pakënaqshëm. Dhe nuk ka si të
ndodhë ndryshe, përderisa kryetari i
Hetuesisë së Përgjithshme deklaroi
palë Oltën 12 -‐ vjeçare në
ngjarjet e Shkollës së Bashkuar,
kur shumë e përndershmja hetuesi,
me gjithë provat e pakundërshtueshme,
nuk arrestoi vrasësit e Artan
Lenies në Tiranë etj ., etj.
Të vrasësh njerëz të pafajshëm,
si më 2 prill, t’i thërrasësh
për ndihmë e t’i godasësh
pabesisht pas shpine, këtë nuk
e pranon askush, as Partia
Demokratike dhe as kanuni
shqiptar. Populli shqiptar dhe mbarë
opinioni publik ndërkombëtar, veçanërisht
ai shkodran, kërkon të dalin
fajtorët e vërtetë e jo të
na serviren koka turku. Populli
kërkon drejtësi e qetësi, e
cila është në funksion të
nxjerrjes së fajtorëve të vërtetë,
se çdo alternativë tjetër do të
ishte me pasoja të padëshirueshme.
Faleminderit! Kastriot Islami -‐
Fjalën e ka deputeti Bilbil
Jaupi. Bilbil Jaupi -‐ I
nderuar Kryetar, Të nderuar
deputetë, Ngjarjet e 1 dhe
2 prillit në Shkodër, me
rrjedhojat që patën ishin shumë
të
dhimbshme. Secili nga ne, çdo
shqiptar shqetësohet sinqerisht për
çdo përleshje e incident që
ndodh, në një kohë kur duhet
qetësi. Kujtdo i ther në
shpirt kur mëson për vrasje, në
një kohë që duhet të
forcojmë unitetin tonë kombëtar. Gjendja
e vështirë ekonomike dhe situata
e nderë shoqërore kërkojnë një
stabilitet të fuqishëm politik.
Ja, pse dhimbja për ngjarjet e
Shkodrës është njëherësh thellësisht
njerëzore, sepse u vranë 4 veta
dhe u plagosën dhjetëra të
tjerë. Por ajo është njëkohësisht
edhe një trishtim politik për
pasojat sociale që solli në
Shkodër dhe njëherësh një shkatërrim
ekonomik për vetë dëmet që
u shkaktuan.
Shqetësimi i ligjshëm e human
për të përcaktuar përgjegjësitë e
vërteta të këtyre ngjarjeve çuan
në ngritjen e grupit qeveritar
hetimor, në krijimin e komisionit
të posaçëm parlamentar dhe në
vetë faktin e vendosjes së
kësaj çështjeje në rendin e
ditës të punimeve të këtij
Kuvendi.
Ngjarjet në Shkodër u komplikuan
së tepërmi, sepse pikërisht në
kohën kur duhej punuar me
gjakftohtësi për të zbuluar e
përcaktuar shkaktarët e vërtetë të
ngjarjeve tragjike, një sulm i
paparë filloi kundër Partisë së
Punës të Shqipërisë nga forcat
opozitare dhe shtypi i tyre.
PP e Shqipërisë u akuzua
prej tyre si autore e skenarëve
të fshehtë, sikur ishin forcat
e saj konservatore që përgatitën
këto trazira, vrasje të paramenduara.
Këtë akuzë e përsëriti në
diskutimin e tij në Kuvend, në
seancën e dytë, edhe deputeti
Azem Hajdari. Dua t’i them
këtij deputeti, por edhe kolegëve
tanë në këtë sallë, meqë ai
s’është, që janë të tjera
forca dhe kanë qëllime tepër të
rrezikshme ata që përgatisin dhe
zbatojnë herë pas here skenare
të tillë antinjerëzore e
antikombëtare. Ngjarjet e muajit të
fundit kanë evidentuar në mënyrë
të pakundërshtueshme se proceset e
mëdha e legjitime të demokratizimit
të jetës së vendit i kanë
shfrytëzuar dhe forcat aspak
demokratike, forca që kërkojnë
mjegull e synojnë të
destabilizojnë situatën në Shqipëri.
Është e vërtetë që përleshja
në Shkodër u bë midis
demonstruesve dhe forcave të ruajtjes
së rendit, por të tjera
forca e shfrytëzuan atë dhe i
dhanë drejtimin që deshën. Ishin
pikërisht ato forca të cilat
bërtitën: “Shkodra Republikë, nuk
e duam komunizmin” etj., etj.,
të cilat janë të interesuara të
ndezin në Shqipëri një luftë
civile e pastaj të vjelin të
qetë frytet e saj. Ekzistenca
dhe qëllimet antikombëtare të
këtyre forcave duhet t’i kemi
mirë parasysh të
-
gjithë ne, forcat politike të
vendit, me qëllim që, me
veprimtarinë tonë politike, të mos
u japim atyre asnjë pretekst
për të vepruar pas emrit të
demokracisë, për të goditur e
për t’u fshehur pas tyre.
Personalisht nuk besoj që një parti
politike, cilado qoftë ajo, të
orientojë anëtarët ose simpatizantët
e vet të thyejë xhama, të
djegë farmaci e librari, të
vjedhin e të bëjnë batërdinë
nëpër dyqane e magazina. Por
këto forca shpesh gjejnë sebep
nga deklaratat e pamatura të
vetë forcave politike.
Bëhen përpjekje për të akuzuar
Partinë e Punës të Shqipërisë
lidhur me ngjarjet e Shkodrës,
por pas zgjedhjeve të 31 marsit
nuk ishte PPSH që konstatoi
rezultatet ose që bëri
thirrje e parashikime për fatet
e ardhshme të opozitës. Përkundrazi,
qysh para zgjedhjeve u bë
vetëm një deklaratë publike nga
udhëheqësi i PPSH se Partia
jonë do ta pranonte rezultatin
e votimeve, pavarësisht se si
do të ishte ai dhe
zotohej se do të vazhdonte
procesin e reformave demokratike.
Përkundrazi, nga ana e Partisë
Demokratike dhe shtypit të saj,
akoma pa u numëruar votat, që
në ditën e zgjedhjeve, zgjedhësit
e saj të zellshëm filluan të
ngrenë akuza gjoja për çrregullime,
falsifikime e manipulime të
zgjedhjeve, të cilat i lëshuan
pa fre në konferencat e tyre
të shtypit me gazetarë të
huaj, që ato ditë ishin shumë
të shpeshta.
Edhe pse, si para dhe pas
zgjedhjeve, anëtarët e PPSH e
simpatizantët e saj u kërcënuan
e u dëmtuan në mënyra nga
më të ndryshmet, Partia jonë
nuk bëri asnjë deklaratë për
opinionin e brendshëm ose për
shtypin e huaj. U dogj zyra
e sekretarit të byrosë së
Partisë në fshatin Rrilë të
Lezhës, por komunistët nuk dhanë
asnjë deklaratë. Në qendrën e
votimit nr. 7 të zonës
elektorale 240 në Vlorë një grup
të rinjsh, me dy gishtat
përpjetë, në kundërshtim me rregullat,
hynë aty dhe, pasi e
provokuan, e qëlluan me pëllëmbë
vëzhguesin e PPSH-‐së Faik Sheme,
kurse në fshatin Labovë e
Sipërme të Libohovës në Gjirokastër
simpatizantë të Partisë Demokratike
u prenë hardhitë e i
dëmtuan kopshtet sekretarit të byrosë
së partisë dhe komunistëve të
tjerë të fshatit, therën
fshehurazi bagëtitë e tyre dhe
kryen akte të tjera rrugaçërie,
si thyerje xhamash, përmbysën makinën
e drejtorit të NB-‐së etj.
Për këto e dhjetëra raste të
tjera, të cilat nuk është
vendi dhe koha për t’i përmendur
këtu, Partia nuk u dha asnjë
deklaratë të huajve. Ajo ishte
e bindur që këto eksese do
të kapërceheshin pa rrjedhoja të
tjera, vetëm me gjakftohtësi e
urtësi. Kjo logjike nuk të fut
kurrë në lojën politike, sepse
do të ishte me pasoja të
rrezikshme. Ndaj akuza se ngjarjet
e Shkodrës u bënë sipas
skenarëve të PPSH është thellësisht
një akuzë absurde.
Po shtroj një problem të thjeshtë:
mos vallë PPSH i grumbulloi ato
masa e u tha bërtisni kundër
fitores së PPSH-‐së, kundër
komunizmit etj.? Pa dyshim që
jo.
Ngjarjet e 2 prillit në Shkodër
u paraprinë nga grumbullimi i
këtyre masave më 1 prill para
selisë së Partisë Demokratike në
Shkodër, ku u hodhën parulla,
si zgjedhjet janë të parregullta
etj. Ato u paraprinë edhe
nga grumbullimet në Tiranë para
selisë së Partisë Demokratike, ku
anëtarë dhe simpatizantë të saj,
të deziluzionuar që Partia e
tyre nuk fitoi shumicën
ose siç kishin deklaruar në
mënyrë euforike brenda dhe jashtë
vendit drejtues të Partisë
Demokratike se ne do të arrijmë
një fitore totale, bërtisnin kundër
zgjedhjeve dhe i frynë psikozës
së manipulimit të tyre etj.
Pikërisht kjo psikozë bëri që në
ato grumbullime të hidheshin edhe
parulla nga më ekstremet kundër
Partisë së Punës e anëtarëve të
saj. “Poshtë Partia e Punës!”,
“Komunistët në litar !“ janë
dy nga parullat më të egra
drejtuar kundër Partisë sonë. Psikoza
e sëmurë dhe dufi çuan në
veprime
-
vandale, siç ishin shkatërrimet e
dëmtimet e prodhimeve të fshatarëve
në disa qytete, duke përfshirë
edhe Tiranën, si dhe në
veprime të atilla, si ato të
nëpunësve të stacionit të Mjedës,
të cilët nuk pranonin të
ngarkonin me grurë makinat e
Kukësit, me akuzën se kuksianët
e kishin fajin për humbjen e
Partisë Demokratike, pasi kishin
votuar 100% për PPSH.
Duke dënuar gjakderdhjen, nuk duhen
mbyllur sytë edhe përpara këtyre
ngjarjeve, sepse shkaku e pasoja
lidhen ngushtë me njëra-‐tjetrën.
Natyrisht, asgjë s’e justifikon
goditjen me armë dhe vrasjen e
njerëzve, por pikërisht tragjedi të
tilla të rënda që çojnë në
humbjen e jetës së njerëzve,
duhet të na bëjnë të
gjithëve të nxjerrim mësime, që
veprimet e forcave politike kurrë
të mos çojnë në rritjen e
tensioneve sociale, të cilat mund
të çojnë, siç kanë çuar, edhe
në veprime të pakontrolluara.
Partia e Punës e Shqipërisë i
hyri rrugës së pluralizmit me
vullnet të mirë dhe ndershmëri,
e ndërgjegjshme që do të
ecë në mënyrë të pakthyeshme në
proceset e demokratizimit. Fakt
bindës për këtë janë edhe punimet
e këtij Kuvendi, ku me qetësi
e durim, dialog e mirëkuptim,
kanë ecur të gjitha problemet,
duke u distancuar nga mendimi
që ajo përbën shumicën në
Kuvend e duke shmangur mekanizmin
e votës. Për sa u tha
këtu nga komisioni i posaçëm
parlamentar, unë nuk e gjej me
vend që të shkarkohet Ministri
i Punëve të Brendshme, me sa
u raportua këtu dhe me sa
dëgjova nga ai.
Falemnderit! Kastriot Islami -‐
U sugjeroj deputetëve të
përqendrohen kryesisht në
ngjarjen e Shkodrës. Fjalën e
ka deputeti Tritan Shehu. Sali
Berisha -‐ Ju lutem, edhe një
herë, zoti Kryetar, që në
pozicionin që jeni,
të ruani imparcialitetin, të ruani
paanësinë, se po lejoni që
kjo tribunë të shfrytëzohet për
qëllime partiake dhe jo për
ato qëllime për të cilat
jemi mbledhur këtu. Ndërhyrja juaj
ishte tepër e vonuar, kur në
raste të tjera nuk keni nguruar
të tregoni gatishmërinë për një
ndërhyrje imediate.
Tritan Shehu -‐ I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë, Që
në fillim dua të protestoj
përpara Kryesisë për një problem.
Ditën e parë,
kur referoi komisioni parlamentar për
ngjarjet e Shkodrës, na u tha
nga Kryesia që do të na
viheshin në dispozicion të gjitha
procesverbalet që lidhen me këtë
çështje. Ne e kemi kërkuar
këtë gjë dis